E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një studim i ri mbi Kosovën



Një histori e shkurtër e një krahine qendrore ballkanike. Oliver Jens Shmid, profesori zviceran që ligjëron në Universitetin e Vjenës e që për lexuesin shqiptar është i njohur me përkthimet e dy veprave të tij në gjuhën shqipe, “Shqipëria arbërore” (venedikase) dhe vepra e dytë mbi Skënderbeun, ka botuar një libër (gjermanisht) mbi Kosovën të titulluar "Kosovo - Kurze Geschichte einer zentralbalkanischen Landschaft". Shikuar nga aspekti krahasimor, studimet dhe veprat e studiuesit të ri mund të themi se kanë një qasje dhe analizë të historisë së popullit shqiptar, Shqipërisë, Skënderbeut e tash së fundi edhe mbi Kosovën, që dallon nga studimet e deritanishme. Nëse marrim parasysh botimet e kohëve të fundit që janë bërë mbi e për rajonin, e në veçanti mbi Kosovën, vërejmë se ato dominohen nga aspekti i shkencave politike përballë shkencave historike dhe kulturore, që trajtojnë tema që lidhen me luftën e fundit në Kosovë, zhvillimet para dhe pas saj. Një pjesë e vogël e këtyre studimeve kanë për autorë studiues shqiptarë e serbë, dhe shumë pak nga këto studime me karakter kulturor e historik janë pa ndikime politike. Dhe mu kjo situatë, studiuesin Shmid e bën që të jetë më i kujdesshëm lidhur me teoritë, hipotezat dhe mendimet që dalin nga këto vepra. Pjesa dërmuese e këtyre veprave studimore historike, e posaçërisht të autorëve serbë e shqiptarë, i shikojnë ngjarjet historike duke u ndikuar nga situata e tashme politike mes serbëve dhe shqiptarëve. Duke u nisur nga kjo situatë studiuesi, Jens Shmid thotë: Ky libër përpiqet për një qasje tjetër. Si qasje ndryshe ai paraqet në studimin e tij strukturën hapësinore, shoqërore e kulturore të regjionit të Kosovës. Pra, përpjekja e këtij studimi ka të bëjë me sqarimin e zhvillimit socio-kulturor të Kosovës. Në pjesën e parë të librit, autori Jens Schmid fokusohet në paraqitjen e gjendjes shoqërore, hapësinore, kulturore e ekonomike të Kosovës deri në vitin 1912, duke u munduar që me vetëdije t`i ikë vënies në rend të parë të aspekteve gjuhësore e nacionale, sepse në fakt identitetet etno-kombëtare fillojnë të marrin formë vetëm në shek. e 19-të. Pjesa e dytë e librit trajton ngjarjet e shek. të 20-të, ngjarjet e viteve 1918-1945; 1945-1999 që lidhen ngushtë me sundimin jugosllav. Kjo pjesë e studimit, siç e thekson edhe vetë autori, përqendrohet më tepër në zhvillimet e gjata historike sesa në aspektin e kufizuar historiko-politik. Ai përpiqet të paraqesë procesin e kombëtarizimit të shoqërisë, pra kalimin e identitetit paramodern fetar, social ekonomik drejt identitetit etnik kombëtar. Dhe pjesa e fundit e librit trajton ngjarje dhe aspekte pas luftës së fundit në Kosovë, që ai e quan, edhe si shumë autorë të tjerë, si konflikt. Autori vëren se perceptimi i historisë së Kosovës nga serbët dhe shqiptarët dallon aq shumë, saqë interpretimet konkurruese jo vetëm që përjashtojnë njëra-tjetrën, porse ato perceptime mundohen ta "mundin" njëra-tjetrën. Dhe kjo qasje, vlerëson autori, është e ngulitur thellë në perceptimet e të dyja palëve. Dhe mu këtu autori paraqet një perspektivë, perceptim tjetër të historisë së zhvillimit të proceseve dhe ngjarjeve në rajonin e Kosovës. Aspektet e perceptimit dhe paraqitjes së historisë së Kosovës, sikur nga pala serbe, po ashtu edhe nga ajo shqiptare, përshkohet nga aspektet nacionaliste. Kështu, pikëpamja serbe e historisë së Kosovës ka filluar të zhvillohet në shek. e 19-të. Dhe kjo histori ka për bazë traditën e trashëguar gojore e popullore të manifestuara edhe në epos. Duke pasur parasysh, sipas autorit, që në rajonet e banuara me shqiptarë nuk ka pasur institucione universitare e akademi deri para vitit 1945, elita serbe kishte një përparësi tejet më avancuese edhe kohore në propagandimin e historisë së Kosovës sipas këndvështrimit të tyre. Njëkohësisht, duke mos harruar se ka pasur edhe intelektualë serbë që kanë fituar emër edhe në arenën ndërkombëtare, dhe me depërtimin e tyre ka depërtuar edhe versioni i tyre mbi historinë e Kosovës në qarqet ndërkombëtare dhe paraqitjes së saj në studimet e ndryshme mbi Evropën Juglindore. Librin e preferoj për lexuesit shqiptarë dhe serbë. Përkthimi i kësaj vepre në shqip do ta pasuronte jashtëzakonisht bibliotekën e studimeve mbi Kosovën.

*Autori është bashkëdrejtues i "Albanisches Institut" në St. Gallen në Zvicër

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›