Banka Botërore: Shqipëria me çmime të lira, ja shembulli ‘Cola’
Çmimi i një malli homogjen të prodhuar në vend si ‘Coca-Cola’, mund të përdoret për të vlerësuar diferencat në çmime. Banka Botërore vlerëson se Shqipëria ndër të tjera ka çmimin më të lirë të ‘Cola’-s në rajon
Pas Maqedonisë, Shqipëria ka çmimet më të lira ndër tetë vende të Ballkanit, konstaton Banka Botërore në analizën krahasimore për ekonomitë e disa vendeve ballkanike. Banka ka marrë si referencë matjet e EUROSTAT-it, por ndërkohë e ka ilustruar rezultatin me çmimin e ‘Coca –Cola’s. “Çmimi i një malli homogjen të prodhuar në vend (me përjashtim të Kosovës dhe Malit të Zi) si Coca-Cola, mund të përdoret për të vlerësuar diferencat në çmime, si edhe përshtatshmërinë e përqindjeve të kursit të këmbimit në rajon”, - sqaron Banka Botërore ne analizën e saj. Gjatë 25 viteve të fundit, revista ‘Economist’ ka publikuar indeksin ‘Big Mac’ për këtë qëllim. Kështu, ‘Coca-Cola’ ka çmimin më të lirë në Shqipëri dhe më të shtrenjtin në Bosnje-Hercegovinë: çmimi mesatar i ‘Coca-Cola’-s në Sarajevë është 34 për qind më i lartë sesa në Tiranë. Ka një dallim të madh në strategjitë e çmimeve të ‘Coca-Cola’-s midis dyqaneve të vogla dhe atyre të mëdha. Në rast se do të bëhej një krahasim i çmimeve të ‘Coca-Cola’-s që tregtohet në dyqane të vogla, Serbia ka çmimin më të lartë. Banka Botërore vëren se krahasimi i çmimeve në vende të ndryshme mund të shërbejë për të hedhur dritë mbi çështje të rëndësishme që lidhen me ekonominë, siç janë tregtia rajonale dhe integrimi europian, konvergjenca e të ardhurave për frymë dhe politikat mbi kursin e shkëmbimit. Teoritë ekonomike sugjerojnë se rritja e integrimit rajonal dhe atij në BE, që vjen nga heqja e pengesave tarifore dhe jotarifore ndaj tregtisë, duhet të sjellë harmonizim të çmimeve brenda rajonit të Europës Juglindore (EJL), me ato të BE-së. “Nivelet e çmimeve ndryshojnë si brenda për brenda rajonit, ashtu edhe në lidhje me tregun europian ku rajoni synon të integrohet më thellësisht”, - sqaron Banka Botërore në analizën e saj. Brenda për brenda rajonit, çmimet janë më të ulëta në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (44 për qind e mesatares së EU-27-ës) dhe më të larta në Malin e Zi (59 për qind e mesatares së EU-27-ës). Çmimet në rajon në tërësi janë shumë më të ulëta nga mesatarja e BE-së. Në raportin e Bankës vihet në dukje se ndryshimi i çmimeve në disa vende të EJL-së është më i lartë sesa në vendet më të reja anëtare të BE-së, si Bullgaria dhe Rumania, pavarësisht nga fakti që këto dy vende kanë të ardhura më të larta për frymë dhe janë pjesë e tregut të vetëm. Ndërsa rritja e përgjithshme e çmimeve arriti kulmin e gjatë gjysmës së parë të vitit 2011, pas një rritjeje qysh nga fundi i vitit 2009 dhe tani po vjen gradualisht duke u ulur. Kolapsi i kërkesës vendase çoi në një kolaps të inflacionit me fillimin e krizës të periudhës 2008-2009. Megjithatë, qysh nga tremujori i fundit të vitit 2009, inflacioni u rrit në kurriz të rritjes së çmimeve globale të ushqimit dhe energjisë. Në veçanti, vendet e Ballkanit e sigurojnë një përqindje të madhe të indeksit të tyre nga çmimet e ushqimeve dhe energjisë. Inflacioni arriti kulmin në tremujorin e parë të vitit 2011 me zbutjen e këtyre presioneve të jashtme të çmimeve. Serbia në veçanti përjetoi një rritje të fortë të inflacionit, ku indeksi arriti kulmin e vet në muajin prill me 14.7 për qind për çdo vit; qysh nga ajo periudhë ka zbritur në 9.3 për qind në muajin shtator.