E Diel, 1 Nëntor 2026

Energjia, shtohet prodhimi, rritet me 88% eksporti i saj

Bilanci i energjisë, koncesionet rrisin me 44% prodhimin e energjisë

Bilanci i energjisë elektrike për vitin 2009, sipas raportit të INSTAT-it, flet për një ndryshim të ndjeshëm të raportit të prodhimit dhe atij të importit. Për vitin 2009, vihet re një rritje e gjithë sasisë së energjisë së përdorur, të siguruar si nga prodhimi, ashtu dhe nga importi. Vihet re se një shtim në sasinë e prodhuar të energjisë ka dhënë edhe energjia e siguruar nga hidrocentralet e vogla të dhëna me koncesion, përveç asaj të siguruar nga HEC-et kryesore në vend. Sipas raportit të INSTAT-it, sasia e energjisë elektrike të prodhuar dhe importuar në vitin 2009 u rrit 8.9 për qind, krahasuar me vitin 2008. Sasia e energjisë së prodhuar dhe asaj të importuar arriti vlerën 7,194 GWh.

Prodhimi total i energjisë elektrike në vend u rrit ndjeshëm me 35.8 për qind, krahasuar me vitin 2008. Sasia totale e prodhuar është 5,230 GWh dhe përbën 72.7 për qind të burimeve gjithsej të energjisë. Në vitin 2009 burimi i vetëm i prodhimit të energjisë elektrike ishte prodhimi në hidrocentrale. Rritja e konsiderueshme në sasinë e energjisë së prodhuar prej HEC-ve, me 35.7 për qind krahasuar me vitin 2008, ka dhënë ndikimin kryesor në rritjen e prodhimit total të energjisë. Rritje të ndjeshme pati dhe prodhimi i energjisë nga impiantet private e me koncesion me 44.1 për qind krahasuar me vitin 2008, e cila përbën 1.7 për qind të prodhimit në vend.

Importi (përfshirë këmbimet) i energjisë elektrike pati një ulje prej 97.9 për qind krahasuar me vitin 2008. Në vitin 2009, sasia e importuar (përfshirë këmbimet), arriti vlerën 1,964 GWh nga 2,759 GWh në vitin 2008. Ajo përbën 27.3 për qind të sasisë së burimeve gjithsej në vitin 2009 nga 41.7 për qind në vitin 2008. Sasia e eksportuar (përfshirë këmbimet) në vitin 2009 është rritur me 82.8 për qind krahasuar me një vit më parë. Ajo zë 7.5 për qind të sasisë së disponuar për përdorimin gjithsej.

 Humbjet në rrjet janë rritur 8.8 për qind në krahasim me vitin 2008. Sasia e humbjeve totale është 2,328 GWh. Ato përbëjnë 32.4 për qind të sasisë së energjisë disponibël për përdorim. Humbjet në shpërndarje janë rritur 9.8 për qind. Ato vazhdojnë të zënë pjesën më të rëndësishme të humbjeve në rrjet me 90.9 për qind.

Përdorimi nga konsumatorët në vitin 2009 është rritur 3.5 për qind krahasuar me vitin 2008. Sasia e disponueshme për konsum final arriti vlerën 4.301 GWh dhe përbën 59.8 për qind të sasisë totale të energjisë elektrike për përdorim. Energjia e konsumuar nga sektori i familjes është rritur 6 për qind. Ky sektor ka konsumuar 56.3 për qind të sasisë së energjisë të disponueshme për konsum final. Sasia e energjisë elektrike të konsumuar nga përdoruesit e tjerë është rritur 0.3 për qind krahasuar me vitin 2008.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›