E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, të gjithë të mbytur në borxhe

(Situata në prag katastrofe. KESH i ka liqenet e hidrocentraleve pa ujë dhe arken pa para)

Tirane -  Sistemi energjetik në Shqipëri është zhytur në një zinxhir borxhesh të ndërsjellta. Sipas Ministrit të Ekonomisë Nasip Naço, kompania çeke ÇEZ ka 58 milionë Euro borxh ndaj KESH-it dhe 20 milionë të tjera ndaj operatorit të transemtitmit, OST. Por ndërkohë edhe KESH, është i mbytur në borxhe, ndërkohë që KESH i detyrohet bankave të huaja dhe vendase një shumë prej 70 milionë Euro kredi. Por CEZ, që përgjigjet për furnizimin me energji, ka borxhe të pa mbledhur nga konsumatorët e energjisë, kryesisht institucione shtetërore. Kështu, Entet shtetërore i kanë borxh CEZ-it 20 milionë Euro. Momentalisht KESH është duke importuar energji me çmime të larta për shkak të thatësirës dhe ia shet me çmim të ulët CEZ-it, cka po thellon me shpejtësi krizën financiare të kompanisë duke rrezikuar ta fusë vendin në një kolaps energjitik, pasi kompania prodhuese gjendet me hidrocentralet e zbrazura nga uji dhe arkën e zbratura nga paratë.

Situata e rëndë dhe borxhet që kanë përfshirë këtë sektor u bënë edhe objekt debatesh në parlament, ku opozita akuzoi qeverinë se ka lejuar degradimin e gjendjes duke shkruar në prag të katastrofës ekonomike. Për këtë arsye qeveria i kërkoi parlamentit të votojë një projektligj që e shndërron faturën e CEZ-it ndaj KESHit në titull ekzekutiv, ashtu sic janë faturat e konsumatorëve për CEZ-in. Gjithashtu konsumatorët e mëdhenj të energjisë tani do të duhet ta sigurojnë vetë energjinë nga ekporti, pasi KESH nuk është i detyruar ti furnizojë.

KESH: CEZ prej 12 muajsh nuk na paguan detyrimet

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) në një deklaratë për shtyp sqaron se CEZ Shpërndarje nuk po paguan borxhin ndaj KESH-it duke bërë që ky i fundit të gjendet në vështirësi financiare. Madje duke i quajtur si të pavërteta deklarata e bëra nga CEZ.

Për të sqaruar opinionin publik, KESH bën me dije se borxhi në vlerën e 55 milionë eurove, që së bashku me kamatvonesat kap vlerën e rreth 58 milionë eurove, një debi kjo që njihet edhe nga CEZ Shpërndarje, është krijuar duke filluar nga muaji dhjetor i vitit 2010 e në vijim. Pra, CEZ Shpërndarje ka 12 muaj që nuk i paguan KESH-it energjinë që ai e furnizon dhe që më pas, iu kalon konsumatorëve. Si pasojë e këtyre detyrimeve të papaguara, të cilat CEZ Shpërndarje duhet ti kishte paguar në bazë të kontratës që ka me KESH-in, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ndodhet aktualisht në vështirësi financiare-citohet në deklaratën për mediat të KESH.

Sipas KESH-it klienti i vetëm i tij është CEZ, dhe në rast se ky i fundit nuk shlyen detyrimet, atëherë korporata vendoset në vështirësi të mëdha.

Vlen të theksohet se i vetmi klient që KESH ka është CEZ Shpërnadrje dhe si rrjedhim, shlyerja e detyrimeve nga CEZ është e një rëndësie jetike për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare- citohet në deklaratën e KESH-it.

Po sipas KESH-it, CEZ nuk ka bërë një planifikim vjetor të energjisë. CEZ kërkoi në fillim të këtij viti një konsum vjetor të energjisë prej 4.3 miliardë kilovat orë për furnizimin e vendit. Por sasia e energjisë që KESH ka furnizuar CEZ është 5.2 miliardë kilovat orë deri tani. Kjo do të thotë 900 milionë kilovat orë shtesë mbi kërkesen fillestare.

Sipas KESH-it të dyja kompanitë duhet të zbatojnë ligjet e shtetit shqiptar, dhe të zbatojnë kontrata e lidhura me mirëkuptim të përbashkët.

KESH, ashtu si edhe CEZ Shpërndarje janë kompani që funksionojnë në bazë të kontratave të vendosura me mirëkuptim të përbashkët dhe në përputhje me ligjet e shtetit shqiptar dhe si të tilla, ato janë të detyruara për t`u respektuar nga të dyja palët- thuhet në fund të deklaratës së Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.

Dorina Bilbili/IDEA

Shkrime të tjera me interes:

  1. Berat, rikthehen ndërprerjet e energjisë elektrike
  2. Pas ankesave të qytetarëve, METE gjobit me 500 mijë euro CEZ-in
  3. Vdes i mbytur nga gjoksi me silikon i një striptisteje

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›