E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debatojnë për avionët

 Deputetët socialistë, theksuan se tregu i aviacionit në vend është një treg monopol dhe se në këtë sektor janë punësuar militantët.

Ata sollën gjithashtu edhe rastin e bllokimit të disa linjave të fluturimit ndërkombëtar. “Përmend këtu Albatross që drejtori i atëhershëm i aviacionit civil e nxori me përdhunë nga tregu. U fut Bell Air, e dimë tashmë që për të ka preferenca politike. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Të kërkoj z Olldashi të mos bësh gabimet e ministrit të atëhershëm që sot e kemi kryetar bashkie të Tiranës. Kjo duhet ndrequr një orë e më parë, ju duhet ta sistemoni”, tha deputeti socialist, Sajmir Tahiri.

Nga ana e tij, ministri Olldashi, kundërshtoi pretendimet e opozitës, duke theksuar se në vend ka jo pak por 17 kompani ajrore.  "Në konsideratën e Ministrisë së Transporteve dhe Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) nuk kemi një situatë monopol, për sa kohë kemi 17 kompani ajrore që operojnë nga Tirana drejt destinacioneve të tjera", deklaroi Olldashi.

Gjatë diskutimit të disa ndryshimeve në 'kodin ajror', ministri Olldashi i'u përgjigj kritikave të deputetëve të opozitës lidhur me 'situatën kaotike' në aviacionin civil dhe 'preferencat' për disa kompani ajrore që operojnë në këtë fushë.

“Në politikat që ndjek Ministria ndaj AAC-së mban parasysh kriteret dhe standardet evropiane në këtë fushë. Detyrimi ynë si administratë dhe si politikbërës është të krijojmë kushte të barabarta për të gjitha kompanitë dhe në asnjë rrethanë nuk favorizohet dhe as ndërhyhet për t'i dhënë kujt 'pjesën e luanit' në tregun e aviacionit ajror", u shpreh Olldashi. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-11-24 11:54
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›