E Diel, 1 Nëntor 2026

Engel: I zhgënjyer nga BE, vepron ngadalë me Kosovën

WASHINGTON - Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, anëtar me përvojë i nën-komisionit për Evropën dhe Kryetar i Komisionit, që merret me çështjet shqiptare në Dhomën e Përfaqësuesve, përshëndeti marrëveshjen e javës së kaluar mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jam i kënaqur që në bazë të kësaj marrëveshjeje, Kosova do të marrë pjesë në negociatat rajonale dhe përshëndes Kryeministrin Thaçi dhe qeverinë e tij për këtë vendim të guximshëm dhe të vështirë për ta çuar përpara procesin. Kjo marrëveshje e shumëpritur u arrit vetëm pasi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian garantuan se Serbia nuk do të bllokojë Kosovën që të ketë vendin e saj të duhur në tryezën e bisedimeve si një shtet i pavarur. Sekretarja e Shtetit Clinton meriton vlerësime të larta për garantimin se të drejtat e Kosovës si një vend sovran do të jenë të sigurta gjatë gjithë negociatave dhe se Shtetet e Bashkuara mbështesin miqtë e tyre në Ballkan dhe në gjithë botën.”- deklaroi Engel.

Por ligjvënësi amerikan u shpreh i zhgënjyer që Bashkimi Evropian ka vepruar shumë ngadalë për t'i dhënë Kosovës të njëjtat përfitime, që sipas tij i ka dhënë shteteve të tjera.

“Nga liberalizimi i vizave deri tek marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, Bashkimi Evropian duhet të punojë më shumë dhe të lëvizë më shpejt në përpjekjet për të përfshirë Kosovën në strukturat evropiane dhe për t'u siguruar se Serbia zbaton marrëveshjet, që nënshkruan me Kosovën. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk mund të vazhdojnë të bëjnë një sy qorr kur Serbia injoron marrëveshjet e arritura me Kosovën. Ne duhet ta mbajmë Serbinë përgjegjëse duke mos i dhënë Beogradit përfitime të tjera deri sa të përmbushë të gjitha kushtet e specifikuara nga BE-ja dhe deri sa të zbatojë marrëveshjet, që ka nënshkruar.”- u shpreh Engel.

(er.nu/voa/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›