Engel: KFOR-i jo ultimatume, por punë konkrete

Kongresmeni amerikan, Eliot Engel ka deklaruar për agjencinë e lajmeve INA se KFOR-i duhet të kryej veprime konkrete dhe jo të japë ultimatume të panevojshme.
“Veriu i Kosovës, veriu i Mitrovicës është pjesë e Kosovës, dhe është absolutisht qesharake që autoritetet në Beograd të kalojnë përmes kufirit, të hyjnë dhe të kthehen prapa. KFOR-i duhet të ndërpresë së dhëni ultimatume të cilave nuk u përmbahet dhe të jap një ultimatum të cilit do ti përmbahet. Nuk mund të ketë bllokim serb të hyrjeve dhe daljeve nga Kosova. Mendoj se KFOR- i duhet të bëjë punë konkrete e jo të jap ultimatume të panevojshme”, deklaroi Engel.
Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka pasur të drejtë kur ka vendosur shtrirjen e autoritetit në tërë territorin e Kosovës.
Kongresmeni Engel ka theksuar se duhet të bëhet e qartë se autoritetet në Kosovë janë qeveria e Prishtinës dhe jo Beogradi. Ai ka përsëritur faktin se Plani i Ahtisarit që çoi në pavarësimin e Kosovës është i vetmi model që duhet të zbatohet në Kosovë.