Engel: Politika amerikane në Ballkan nuk do të ndryshojë
WASHINGTON-Kongresmeni demokrat, Eliot Engel, i cili ka në distriktin e tij një komunitet të madh shqiptaro-amerikanësh tha në një konferencë telefonike me shtypin dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, sa i përket Kosovës dhe Shqipërisë, pavarësisht se cili nga dy kandidatët zgjidhet president, asgjë nuk do të ndryshojë.
Vetë Engel mbështet senatorin Barack Obama, dhe argumenton se kandidatura e tij është më e mirë lidhur me zgjidhjen e problemeve të brendshme që kanë aktualisht Shtetet e Bashkuara.
"Politika dhe mbështetja për pavarësinë e Kosovës, për Shqipërinë, për shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi ka qenë dy-partiake. Ajo filloi në vitet e Clintonit dhe vazhdoi në një masë të madhe në vitet e presidentit Bush. Si Senatori McCain, që ka një histori të njohur në favor të kësaj politike, ashtu edhe senatori Obama do t’i përmbahen asaj”, ka vlerësuar Engel.
Engel citoi në këtë kontekst dhe lexoi dy paragrafë nga një letër që senatori Obama i dërgoi kohët e fundit Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ku shpreh mbështetjen për pavarësinë e Kosovës dhe vazhdimësinë e politikës amerikane atje dhe në gjithë rajonin e Ballkanit.
Engel theksoi gjithashtu se kandidati demokrat për nënpresident, senatori Joseph Biden, është një nga përkrahësit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës dhe do të ketë një influencë të madhe në politikën amerikane të administratës Obama.
(d.b/BalkanWeb)