E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, Qeveria raporton sot për 100 ditët e qeverisjes

 

SHKUP-Koalicioni qeveritar në Maqedoni mbushi 100 ditë nga qeverisja. Për këtë arsye sot pritet që të shpalosen rezultatet e kësaj qeverisje midis VMRO-DPMNE dhe BDI.

Kryeministri Nikolla Gruevski dhe anëtarët e kabinetit qeveritar do të zhvillojnë sot pasdite një konferencë për shtyp me rastin e 100 ditëve të funksionimit të Qeverisë aktuale.
Krerët e partisë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim(BDI) kanë deklaruar se gjatë qeverisjes së tyre të 3 mujorshit të parë kanë arritur të realizojnë rezultate të kënaqshme.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në paraqitjet e tij mediale ka deklaruar se koalicioni aktual arriti të zgjidh çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe me ligj të posaçëm, njohja e Kosovës që pasoi gjatë këtij mandati dhe projekte të tjera.

Nga ana tjetër edhe partitë opozitare pritet t`i kundërpërgjigjen qeverisë aktuale. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi deklaroi dje se "Ju e dini se ne kemi qenë korrekt dhe duhen edhe disa ditë që të bëhen 100 ditët e kësaj qeverie dhe pastaj do dalim që ti radhisim çështjet që kjo qeveri i ka lëshuar. Mendoj se politika e gabuar gjithnjë kthehet bumerang në atë forcë politike apo drejtuesve të asaj force politike", deklaroi Menduh Thaçi.

Edhe partitë e tjera politike pritet të deklarohen lidhur me 100 ditëshin e qeverisjes aktuale. Koalicioni VMRO-DPMNE dhe BDI i votuar më 28 shtator të këtij viti ka një shumicë absolute prej 82 deputetë nga 120.

(d.b/INA/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›