E Diel, 1 Nëntor 2026

Engel: Serbia s'duhet të hyjë në BE para Kosovës

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me gjendjen aktuale në veri dhe ka kërkuar zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij problemi, pasi që sipas tij kjo gjendje nuk mund të tolerohet.

Ai këto komente i bëri të dielën gjatë një ligjërate para studentëve dhe profesorëve të Universitetit Amerikan në Kosovë, ku ka folur rreth mbështetjes që i ka dhënë Kosovës në rrugën drejt çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë.

Duke folur për veriun, Engel e ka quajtur të domosdoshme shtrirjen e rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të vendit, ku serbët e rebeluar tash e sa muaj kanë ngritur barrikada në shenjë kundërshtimi ndaj dërgimit të policëve dhe doganierëve të Kosovës atje.

“SHBA duhet të mbajë trupat e saja në KFOR dhe të qëndrojë në Kosovë, dhe të sigurojë se ka trupat e veta këtu, për të siguruar paqe dhe stabilitet. Jam i shqetësuar për atë që po ndodh në veri të Mitrovicës, ku është ndarë një e dhjeta e vendit, dhe me strukturat paralele dhe gjëra tjera nuk mund të lejohen të vazhdojë, sipas vlerësimit tim”, ka thënë Engel.

Ai ka tërhequr vërejtjen se derisa Prishtina zyrtare të mos jetë në gjendje të kontrollojë gjendjen në veri vazhdimisht do të ketë probleme. Për më tepër, Engel ka kërkuar që mbikëqyrjes së pavarësisë duhet të marrë fund.

“Mbikëqyrja e pavarësisë duhet të përfundojë. Kosova është vend i lirë dhe i pavarur, dhe duhet trajtuar si e tillë. Unë mendoj se shtete e lira nuk mund të tolerojnë situatën ku një pjesë e territorit të tyre është e okupuar dhe mendoj se problemi në veri duhet të zgjidhet”, ka thënë ai.

Ndërkohë që Serbisë i është ndarë statusi i kandidatit por me kusht që të normalizojë raportet me Kosovën, kongresisti amerikan Eliot Engel mendon se Serbia nuk duhet të hyjë në BE para Kosovës, pasi do ta bllokonte hyrjen e Kosovës më vonë, por të dyja shtet duhet të hyjnë së bashku.

“Unë mendoj se Serbia nuk mund të jetë anëtare e BE-së para Kosovës, sepse ajo do të vazhdojë njëjtë sikur në Kombet e Bashkuara”, ka thënë Engel.

Ndërsa, kongresisti Geri Piters ka folur rreth rëndësisë së krijimit të kushteve të volitshme për thithjen e investimeve të huaja, dhe se për këtë ai ka thënë se duhet pasur stabilitet, në mënyrë që investuesit të ndihen të sigurt në investimet e tyre./kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›