Mustafa: Marrëveshja PDK-AKR-LDK do të respektohet

Ai këto komente i bëri duke iu përgjigjur interesimit të mediave lidhur me deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili me rastin e shënimit të 12-vjetorit të PDK-së në Drenas ka thënë se nuk dihet se kur do të mbahen zgjedhjet presidenciale.
“Marrëveshja është legjitime dhe Kuvendi e ka pranuar si të tillë dhe ne do të punojmë sipas marrëveshjes”, ka thënë Mustafa, pas takimit që pati me kongresistët amerikanë Eliot Engel dhe Geri Piters të cilët po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.
PDK, AKR dhe LDK në fillim të prillit kanë arritur një marrëveshje për ndryshime të nevojshme kushtetuese që do të krijonin rrethanën për zgjedhje të presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli.
Bazuar në marrëveshje, Komisioni do të përfundojë punën e vet brenda gjashtë deri në nëntë muaj nga data e themelimit të tij, kështu që kufiri i skajshëm ka mbetur edhe dy muaj.
Marrëveshja parasheh që zgjedhjet e para presidenciale të mbahen jo më vonë se gjashtë muaj nga data, në të cilën ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe legjislative do të hyjnë në fuqi. Sipas kësaj, i bie se ato do të duhet të mbahen në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.
Ndryshe, në takim me kongresistë amerikanë, Mustafa i ka informuar ata për aktivitetet dhe rolin e LDK-së si opozitë në rrugën e ndërtimit të shtetit demokratik të Kosovës.
“I njoftova lidhur me aktivitetet që ne po i zhvillojmë tani në Kosovë, lidhur me rolin që Lidhja Demokratike po luan në opozitë, lidhur me vizionin tonë për ndërtimin e shtetit të Kosovës. I falënderuam për përkrahjen që e kanë dhënë pa ndërprere për çlirimin e Kosovës për pavarësinë e Kosovës dhe ndërtimin demokratik të Kosovës dhe po ashtu kërkuam që ata të na përkrahin edhe më tutje”, ka thënë ai.
Kongresisti amerikan Eliot Engel ka shprehur kënaqësinë që ndodhet në Kosovë, për të parë progresin e arritur.
“Ne patëm një takim të mirë dhe biseduam lidhur me atë se si SHBA-të dhe Kosova mund të bashkëpunojnë ngushtë së bashku. Ne biseduam edhe për disa çështje, vështirësitë, zhvillimet në veri të Mitrovicës”, ka thënë ai.
Ndërsa, Geri Piters, kongresisti tjetër amerikan, ka siguruar edhe një here përkushtimin e shtetit amerikan për vazhdimin e miqësisë së fuqishme me popullin e Kosovës.
“Miqësia ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës mbetet e fuqishme. Ne do të vazhdojmë të përçojmë këtë mesazh në Kongresin amerikan”, ka thënë ai.
Kongresistët amerikanë premtuan ndihmë dhe vazhdim të përkrahjes si edhe në të kaluarën për ndërtimin e shtetit të Kosovës. /kp/