98 të prekur me tuberkuloz
Në periudhën janar-korrik të këtij viti në rajonin e Ferizajt janë evidentuar 98 raste të personave të prekur apo të sëmurë nga tuberkulozi. Pjesën dërrmuese të të sëmurëve e përbëjnë të rinjtë, por drejtuesit e Dizpanzerit Antituberkular nuk e kanë quajtur këtë gjendje si situatë alarmante. Doktoresha Zoja Halimi-Bujupi, penumoftiziologe ka thënë se grupmoshat e reja janë të prekur nga kjo sëmundje apo janë të sëmurë, por kjo është normale pasi të rinjtë përbëjnë shumicën e popullatës tek ne.
“Gjatë periudhës janar-korrik në rajonin e Ferizajt janë evidentuar 98 raste të reja. Në shikim të parë duket numër i madh, por nuk është i madh pasi që regjioni i Ferizajt ka numër të madh të popullatës. Si në gjithë Kosovën, numër më të madh përbëjnë rinia dhe krijohet përshtypje e gabuar se kjo sëmundje atakon të rinjtë. Ndoshta mendohet për numrin e njerëzve hiper-reaktorë që është i madh, por këta nuk konsiderohen se janë të sëmurë nga tuberkulozi”, ka thënë doktoresha Halimi-Bujupi.
Të dhënat flasin se në nivel rajoni janë po aq të prekur apo të sëmurë nga tuberkulozi sa kanë qenë edhe viteve tjera, me ndonjë ndryshim të vogël. Gjatë viti të kaluar në rajonin e Ferizajt kishte 123 raste të reja. Sipas statistikave që ofrojnë mjekët në Kosovë thuhet të jenë rreth 1 mijë persona të sëmurë nge tuberkulozi.