E Diel, 1 Nëntor 2026

Enkelejdi po na bie në qafë

Reagon Shoqata e Gjyqtarëve: Ministri Alibeaj e teproi me akuza

TIRANË - Dy ditë pas akuzave që ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, hodhi ndaj gjyqësorit, reagon dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve. Në një njoftim për shtyp, kjo shoqatë, në emër edhe të të gjithë gjyqtarëve, denoncon akuzat e ministrit Alibeaj, që sipas gjyqtarëve janë shumë të rënda. Gjyqtarët pranojnë pjesërisht akuzat e ngritura nga ministri, kur thonë se “ministri i Drejtësisë mund të ketë të drejtën për të bërë akuza”, por nuk pajtohen me tonalitetet dhe mënyrën e komunikimit. “Ajo që është e papranueshme, është kapërcimi i normave të etikës. Ministri duhet të demonstrojë etikë dhe një kod komunikimi model për gjyqtarët”, - thonë gjyqtarët. Vendimi për të reaguar sipas burimeve zyrtare nga kjo shoqatë, është marrë në mbledhjen e mëngjesit të dy ditëve më parë të gjyqtarëve të Tiranës, të cilët u pajtuan tërësisht me mendimin që akuzat e ministrit se “gjyqësori është bërë vend biznesi”, “gjyqtarët i lënë qytetarët të vdesin në sallën e gjyqit” dhe akuza të tjera, janë një zhvlerësim dhe goditje e rëndë ndaj autoritetit gjyqësor. “Kemi vite që punojmë të gjithë bashkë, me mjetet që kemi në dispozicion dhe në kushte shumë të vështira pune, që ta rrisim autoritetin e gjyqësorit dhe besimin e publikut tek drejtësia, por ky autoritet e besim nuk rritet, siç thotë z. ministër, duke zhvlerësuar edhe atë pjesë të mirë të punës që është bërë dhe që është për t’u lavdëruar”, - thonë gjyqtarët, të cilët përmendin të gjitha fjalët e ministrit ndaj tyre, me përjashtim të dy akuzave konkrete: mbajtjen e vendimeve të pashpallura për 7 muaj e 23 ditë dhe uzurpimin e oborreve të gjykatave nga makinat luksoze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›