E Diel, 1 Nëntor 2026

Real - Roma, natë emocionesh

Hapet sot ne mbremje, nata e dyte e eleminatoreve te Champions League. Gjithe sfidat

Sfida mes Realit të Madridit dhe Romës pritet të dhurojë emocione të shumta në “Santiago Bernabeu”, që do të jetë me kapacitet të plotë, ku 80000 tifozë do të ndjekin ndeshjen e kthimit për një vend në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Gjithçka ka mbetur pas në 19 shkurtin e kaluar në “Olimpiko”, ku Roma përmbysi avantazhin e madrilenëve nga 0-1 në 2-1, pas golave të Pizarros dhe Mansinit. Një fitore që rrit moralin e italianëve në ndeshjen e kthimit, ku romanistët do të mjaftoheshin edhe me një barazim për të kaluar më tej. Real Madridi rikthehet të luajë në “Bernabeu”, ku herën e fundit në kampionat ndaj Getafes i dha fund serisë pozitive prej 18 fitoresh radhazi. Gjërat kanë ndryshuar shumë kohët fundit, ndërsa ekipi i Shusterit nuk tremb më aq shumë sa më parë. Humbjet e fundit kanë qenë të ndikuara sigurisht edhe nga mungesat e shumta. Ndaj italianëve, trajneri gjerman do të ketë në dispozicion Robinjon, që zgjidhi fitoren e Realit në kampionat ndaj Rekreativos. Megjithatë, e sigurt është mungesa e holandezëve Shnajder, Van Nistelroi dhe Roben (një muaj jashtë fushave), që kanë dëmtime në kavilje. Për shkak të kartonëve do të mungojë në mbrojtje Serhio Ramos, të cilin Shuster mund ta zëvendësojë me të saporikthyerin Pepe. Reali ka fituar 5 ndeshjet e fundit në shtëpi ndaj klubeve italiane. Shifra mund të kishte qenë 12 fitore radhazi nëse nuk do të kishte qenë kaq e vështirë Roma në kryeqytetin spanjoll, duke fituar 1-0 në sezonin 2002/03, falë një goli të Françesko Totit. Humbja e fundit e verdhekuqve në “Santiago Bernabeu” i takon fazës së gupeve në vitin 2004, kur u mundën 4-2. Ndeshjet e fundit kanë treguar se Roma është një skuadër në shëndet të plotë fizik dhe mendor. Lojtari dhe kapiteni i verdhekuqve ka fituar formën e tij më të mirë, duke qenë një ndihmesë e rëndësishme. Vetëm Kaseti do të jetë i padisponueshëm, ndërsa Juan do të jetë në fushë, edhe pse do t’i duhet të shtrëngojë dhëmbët, pasi ende nuk e ka marrë veten nga dëmtimi në ndeshjen e parë ndaj Realit. Sulmi duke parë rendimentin në ndeshjet e fundit, pritet të jetë një nga pikat më të forta për Spaletin, i cili në “Santiago Bernabeu” do të ketë edhe mbështetjen e 7000 tifozëve romanistë.  Çelsi favorit ndaj Olimpiakosit Pas barazimit pa gola të marrë në Greqi, Çelsi i Avram Grant duket se të paktën në letër nuk do ta ketë shumë të vështirë në “Sranford Bridge” kundër Olimpiakosit. Pas ndeshjes së fituar në kampionat 0-4 kundër Uest Hamit, londinezët janë në një formë shumë të mirë për këtë ndeshje dhe do të kenë formacion të plotë. Ne ndeshjen e fundjavës, në kampionat trajneri izraelit ka mundur të lërë pushim disa prej lojtarëve kryesorë, për t’i ruajtur për këtë ndeshje. Kampionët e Greqisë janë për herë të parë në 1/8 e Ligës së Kampionëve që nga sezoni 1998-99, dhe në këtë ndeshje do të kenë në dispozicion dy nga tre rezultatet e mundshme. Djemtë e Panajotis Lemonis kanë mbetur të kënaqur nga ndeshja e parë dhe do të kërkojnë t’i bëjnë ndonjë surprizë Çelsit. Ndërsa Grant e ka cilësuar si një nga ndeshjet më të dobëta atë të parën ndaj grekëve dhe u ka kërkuar lojtarëve të tij të jenë më të përqendruar. Blutë e Londrës janë ende të pamundur në këtë edicion të Ligës së Kampionëve. Për grekët, dy mungesa të rëndësishme do të jetë ajo e mesfushorit Luciano Galeti (problem muskulor) dhe e sulmuesit Lua Lua, i cili u dëmtua në ndeshjen e fundit të kampionatit grek. Në sulm do të jenë Kovaçeviç dhe Stoltidis. Porto në kërkim të arritjes historike Porto duhet të përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë 1-0 kundër Shalkes, për të kaluar në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Nëse objektivi do të arrihej, atëherë për Shalken do të ishte eliminimi i parë në një kompeticion të UEFA-s për klube nga një skuadër portugeze. Kampionët e Portugalisë në këtë ndeshje do të kenë edhe ndihmën e magjisë së stadiumit “Dragao”, i cili e ka ndihmuar skuadrën e vet në shumë arritje të mëdha. Argjentinasi Lisandro Lopez mund të jetë çelësi i suksesit për Porton, pasi në ndeshjet e fundit ka treguar se është në një formë të shkëlqyer. Në fushën e vet, skuadra luzitane ka treguar se është një kockë e fortë dhe këtë më shumë se kushdo tjetër e ka provuar edhe Liverpuli, Marseja e Beshiktashi. Gjermanët janë skuadra më e dobët nga ato që janë në lojë për sa u përket realizimeve, pasi kanë shënuar gjashtë gola në shtatë ndeshje. Trajneri Mirko Slomka ka deklaruar se skuadra e tij do të kërkojë të mbrojë rezultatin e ndeshjes së parë. Shalke vjen në këtë ndeshje nga humbja minimale 1-0 kundër Bajernit të Mynihut në kampionat. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›