Pranga vrasësit me pagesë
Armando Hasani
Armand Hasani u arrestua dje, pasi dyshohet se është autor i ekzekutimit të biznesmenit elbasanas Sokol Çapja. Dyshohet edhe për vrasje të tjera
TIRANË - Ekzekutimi me 30 plumba i biznesmenit elbasanas Sokol Çapja, afro tre vite më parë, ka tashmë një autor. Sektori i Mbikëqyrjes dhe i Operacioneve Speciale arrestoi dje Armand Hasanin, lindur dhe banues në Elbasan, 25 vjeç, si autorin e vrasjes së Çapjës në vitin 2005. Pasi prej një viti e gjysmë Hasanit i ishte dokumentuar vrasja e bashkëqytetarit të tij dhe policia e Tiranës ka shfrytëzuar momentin e kthimit së fundmi në Shqipëri, për ta vënë atë në pranga. Sipas burimeve zyrtare policore, arrestimi i Hasanit u realizua rreth orës 17.30 të ditës së djeshme, kur 27-vjeçari po qëndronte në një hotel përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. Në momentin e arrestimit, efektivat e sektorit i komunikuan atij akuzat dhe i bllokuan dy pistoleta dhe më pas e shoqëruan drejt policisë së Tiranës. Burime tepër të rezervuara pranë policisë së Tiranës bëjnë të ditur se Hasani dyshohet të jetë vrasës me pagesë dhe ditët në vazhdim pritet që t’i dokumentohen vrasje të tjera. Ka dyshime se bashkë me të, në vrasjen e biznesmenit Çapja të ketë qenë edhe personi tashmë i vdekur, Dritan Sheme, i vrarë më 19 tetor të vitit 2006, në një lokal bastesh sportive në zonën e “Don Boskos”. Tregtari i gomave, Sheme, u vra me një plumb në kokë dhe në atë kohë policia ngriti si pistë zyrtare atë të hakmarrjes për vrasjen e Çapjës. Ka qenë ora 19.15 e muajit dhjetor të vitit 2005, kur u vra në mes të qytetit të Elbasanit biznesmeni Sokol Çapja. Ai u qëllua me 30 plumba, teksa po qëndronte në një lokal pranë universitetit “Fan Noli”.