Helikopteri u nis nga baza e Avianos?
A u rikthye në bazën ushtarake amerikane në Itali mjeti luftarak që dha alarm SOS në veri të vendit? Nxitimi për të mbyllur kërkimet dhe heshtja e zyrtarëve
TIRANË – Mjeti fluturues, i supozuar si helikopter luftarak që dha alarmin SOS mëngjesin e së mërkurës në lartësitë mes kufirit të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, dyshohet se u nis nga baza ushtarake e Avianos në Itali, që është një aeroport ushtarak që përdoret nga Forcat e Armatosura Aeronautike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lajmi bëhet i ditur nga burime konfidenciale jozyrtare ushtarake, që nuk pranojnë të identifikohen. A u kthye më helikopteri në bazë? Çfarë ndodhi në malin e Jezercës? A ishte një alarm SOS momental dhe më pas piloti zgjidhi gjithçka vetë? Çfarë zhurme të pazakontë dëgjuan banorët e fshatit Valbonë? A pati humbje në njerëz nga kjo histori? Këtë pakkush e di. Sekreti ushtarak duket se mban të mbyllur në “kasaforta” mirëbesimi të shumë pak njerëzve të vërtetën e fluturimit mbi Jezercë. Zyrtarisht kërkimet e palës shqiptare u mbyllën, megjithëse për këtë askush nuk dha dje deklaratë zyrtare as nga Ministria e Mbrojtjes dhe as nga Ministria e Brendshme që u angazhuan në zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Sipas konventave ndërkombëtare të nënshkruara nga pala jonë, në raste të tilla alarmesh SOS kërkimet mund të mbyllen 48 orë pas dhënies së sinjalit për tragjedinë, por në fakt kërkimet duket se u mbyllen që dje, kur për arsye kushtesh atmosferike nuk fluturuan më avionë në drejtim të Alpeve Shqiptare dhe kërkimet zyrtarisht u tha se u bënë vetëm në rrugë tokësore. Ndonëse dje nuk dolën as zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme në një njoftim të fundit për shtyp, nga burime të gazetës “Korrieri” mësohet se raporti përfundimtar i cili pritet të dalë sot, nuk do të ketë asgjë më shumë në përmbajtjen e tij, sesa ajo çka në fakt u la të kuptohet gjatë orëve të ditës së djeshme, që nga kontrollet e kërkimet e bëra rezulton se në hapësirën territoriale të vendit tonë nuk ka rënë asnjë mjet fluturues. Zyrtarët e lartë të dy ministrive dje preferuan të heshtnin dhe të mos jepnin detaje në lidhje me alarmin për ndihmë të kërkuar nga pala italiane rreth orës 4.25 të së mërkurës. Asnjë nga zyrtarët e pyetur dje nuk mohon marrjen e një alarmi SOS nga pala italiane, çka do të thotë se në veri të vendit tonë kishte një mjet fluturues të dyshuar si helikopter, për të cilin autoritet tona nuk kishin dijeni derisa morën sinjalin nga pala italiane, por zyrtarisht pyetjes se çfarë mjeti, i cilit vend apo mision ishte që dhe lëshoi këtë alarm, kjo duket se është ende pa përgjigje, me gjithë transparencën e premtuar me publikun.