Obama përkëdhel serbët
Barak Obama
A do të kemi hapa prapa nëse Obama merr pushtetin? Ai shkruan: "Zgjidhja duhet të jetë e pranueshme nga të dy palët"
Letra e Barak Obamës mund të lexohet në origjinal në adresën: http://www.serbianunity.net/vote/Barack_Obama-response_01-03-2008.pdfI gjithë populli i Kosovës pavarësisht origjinës së tij etnike, duhet të jetojë në një shoqëri tolerante dhe të lirë, ku respektohen plotësisht të drejtat e minoriteteve dhe vendet fetare. Kështu e nis kandidati demokrat për në Shtëpinë e Bardhë, Barak Obama, letrën drejtuar komuniteti serb në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në të ai i përgjigjet një letre të dërguar nga Kongresi i Unitetit Serb (KUS), ku ky komunitet shpreh shqetësimin lidhur me pavarësinë e Kosovës. Letra dërguar senatorit me ngjyrë të Ilinoisit më 28 shkurt nga presidentja e KUS-it, Mirjana Samardzija, kërkon mbështetjen e Obamës për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve serbe në Kosovë, Bosnje Hercegovinë dhe Kroaci. Në përgjigjen e tij, Obama shprehet se ndan të njëjtin shqetësim me komunitetin serb lidhur me situatën në Ballkan dhe natyrisht është për respektimin e plotë të të drejtave të minoriteteve. Sipas tij, Serbia dhe populli i saj kanë vuajtur në mënyrë të tmerrshme në dy dekadat e fundit, ndaj dhe meritojnë një të ardhme paqësore dhe plot shpresë. Obama shkruan në letër, se mbështet plotësisht qëllimin për integrimin e plotë të Serbisë në Perëndim, duke përfshirë këtu edhe anëtarësimin e saj në organizatat euroatlantike, si NATO dhe BE. Për sa i përket Kosovës, ai shprehet se SHBA-të kanë përgjegjësinë e vazhdueshme për të inkurajuar të dyja palët të arrijnë një zgjidhje paqësore të çështjeve të mbetura. Ai nuk shprehet hapur nëse e konsideron apo jo pavarësinë tashmë të kryer të Kosovës një çështje të mbetur, ashtu siç pretendojnë ende serbët. Gjithsesi, ai shprehet se si presidenti i ardhshëm, ai do të ndihmojë në dialogun mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, pasi është e vetmja mënyrë që zgjidhjet të jenë të pranueshme nga të gjitha palët. Barak Obama i përgjigjet pyetjes së komunitetit serb lidhur me Marrëveshjen e Dejtonit, duke i garantuar serbët se si president i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai do të vazhdojë mbështetjen amerikane lidhur me të drejtat dhe përgjegjësitë e dy komuniteteve në Bosnje-Hercegovinë. Ai do t’i kërkojë gjithashtu edhe Kroacisë të mbajë premtimet e bëra sipas një tjetër marrëveshjeje, lidhur me respektimin e të drejtave të minoriteteve. Ai e mbyll letrën, duke theksuar faktin se Serbia është një pjesë integrale e Evropës moderne dhe do të ndihmojë për stabilitetin dhe prosperitetin që populli serb meriton.