Ceka: Nuk e përjashtoj përfshirjen në koalicionin e djathtë

Kreu i Partisë Aleanca Demokratike (PAD), Neritan Ceka, nuk e përjashton mundësinë e daljes në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me të djathtën e Sali Berishës. Në një prononcim për “Korrierin”, Ceka thotë se aktualisht nuk ka asnjë diskutim për koalicionin në të cilin do të bëjë pjesë forca e tij, megjithatë diskutimet do të nisin pasi të përfundojë Kodi i ri Zgjedhor. Kreu i PAD-së thotë se pasi të përfundojë Kodi Zgjedhor, atëherë Aleanca Demokratike do të shikojë për mundësitë që krijohen për PAD-në. “Nuk kemi asnjë diskutim për sa i përket mënyrës së daljes në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Vetëm pasi të dalë Kodi i ri Zgjedhor, atëherë do të shikohen hapësirat që krijon ky kod për Aleancën Demokratike. Kështu që nuk kemi paragjykime për sa u përket kampeve ideologjike, pasi Aleanca Demokratike është një parti e qendrës dhe është e hapur për një spektër të gjerë aleancash. Natyrisht që nuk përjashtohet një bashkëpunim me të djathtën, derisa Partia Socialiste e ka bërë “bukë e djathë” të djathtën”, thotë Ceka. Ndërkohë, rikthimi i Neritan Cekës në kampin e djathtë është diskutuar vazhdimisht edhe nga ana e zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike, të cilët kanë deklaruar se kjo mundësi do të diskutohet në kryesinë e PD-së. Ndërkaq, edhe vetë Ceka në qëndrimet e tij politike të kohëve të fundit ka dhënë sinjale për një bashkëpunim të mundshëm me ish-partinë e tij, atë Demokratike. Megjithatë, akoma nuk janë konkretizuar diskutimet për mënyrën e bashkëpunimit mes PD-së dhe PAD-në për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndërkohë, duke folur për Kodin e ri Zgjedhor, Ceka mbështet idenë për korrektimin e sistemit proporcional rajonal, kur thotë se një korrektim kombëtar është i mundshëm që të realizohet. “Patjetër që një korrektim kombëtar do të çonte drejt një proporcionali. Që në fillim të Reformës Zgjedhore, veçanërisht pesë partitë e opozitës janë shprehur për një sistem sa më proporcional, por i personalizuar. Kështu që një korrektim kombëtar besoj se do të krijonte edhe një bazë më të mirë për pjesëmarrjen e gjerë të elektorateve, por dhe një përfaqësim edhe të grupimeve të vegjël në parlament”, thotë Ceka.