E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Presidenti Begaj pret në takim Ambasadoren Kim: Rol domethënës në avancimin e reformës në drejtësi

Presidenti Bajram Begaj ka pritur në takim këtë të martë (20 qershor) Ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, me rastin e përfundimit të misionit diplomatik të saj në vendin tonë.

Në takimin me dyshes, Begaj vlerësoi rolin dhe angazhimin e ambasadores Kim në Shqipëri në avancimin e reformës në drejtësi, forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes e të sigurisë, si edhe të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Po ashtu, Begaj falënderoi Ambasadoren për kontributin e dhënë në forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë gjatë mandatit të saj në vendin tonë, për angazhimin në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, dhe rritjen e aktivitetit të bizneseve amerikane në Shqipëri. 

Kreu i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë të Ambasadores Kim me institucionet shqiptare për nxitjen dhe koordinimin e bashkëpunimit mes agjencive të specializuara të dy vendeve për çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë, me fokus të veçantë në atë kibernetike. 

Duke çmuar marrëdhëniet e ngushta e njerëzore që Ambasadorja krijoi me shqiptarët në të gjitha krahinat e vendit, si dhe duke i uruar suksese në detyrat e angazhimet e ardhshme profesionale, Presidenti Begaj shprehu besimin se Ambasadorja Kim do të mbetet një mike e mirë e shqiptarëve dhe gjithmonë e mirëpritur në Shqipëri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›