E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enver Bytyçi, promovon librin “E drejta e vetëvendosjes: Rasti i Kosovës”



Kosova përbën problemin më të mprehtë të sotëm evropian e më gjerë. Ajo është në momentet e kthesës së saj, në përfitimin e së drejtës ndërkombëtare të njohjes për vetëvendosje. Shumë njerëz në Perëndim nuk e dinë ende se çfarë përfaqëson Kosova, cila është historia e saj, cila është struktura etnike e popullsisë, çfarë orientimi kanë shqiptarët dhe çfarë përfaqësojnë serbët. Këto dhe më gjerë u prezantuan dje në librin "E drejta e vetëvendosjes: Rasti i Kosovës", me autor Enver Bytycin. Me rastin e 2-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve,në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës se Kosovës u promovua libri, "E drejta e vetëvendosjes: Rasti i Kosovës". Ministri Xhaferaj në kuadër të 2-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës theksoi se, “Zgjodhëm që këtë përvjetor ta përkujtojmë disi ndryshe nga vitet e tjera, duke promovuar librin “E drejta e vetëvendosjes: Rasti i Kosovës”, të autorit Enver Bytyçi. Dhe megjithëse ky libër është një përmbledhje interesante në fushën e studimeve për këtë temë, dua të theksoj se pavarësia e Kosovës si akt, si proces, si përvojë historike unikale ka dimensione shumë më të mëdha”. “Siç përshkruhet dhe në librin që promovojmë, pavarësia e Kosovës ka kushtuar për ne shqiptarët shumë sakrifica; sakrifica njerëzore, materiale dhe nacionale. Rrallë popull e ka paguar lirinë e tij me çmimin që kanë paguar shqiptarët e Kosovës. Dhe rrallë komb i ka rezistuar me aq vitalitet kërcënimit asgjësues, sa shqiptarët e Kosovës” cilësoi Ministri Xhaferaj në fjalën e tij. Ndërsa diplomati i njohur Mal Berisha bëri një përmbledhje të shkurtër mbi librin në fjalë. Ai tha se: “Libri që Ju, Zoti Bytyçi, i keni dhënë në dorë lexuesit shqiptar, është një vlerë reale e shtuar në korpusin e madh bibliotekar të trajtimit të çështjes sonë kombëtare. Libri “E drejta e vetëvendosjes: Rasti I Kosovës” është ndërtuar mbi një bazë shumë të pasur argumentesh bindës jo vetëm për të tërë ata që merren me aspektin historik dhe bashkëkohor të çështjes “KOSOVA”, por edhe për juristët dhe njerëzit e të Drejtës Ndërkombëtare. Për këtë Ju meritoni shumë më tepër se këto fjalë përgëzimi dhe vlerësimi. Mendoj se autori ka arritur të pasqyrojë shumë mire harmonizimin e rolit të faktorit të brendshëm shqiptar në Kosovë, rezistencën e pamposhtur të popullatës, rolin e partive politike dhe të UÇK – së, me faktorin ndërkombëtar, duke i dhënë lexuesit tablonë realiste të tërë elementëve që konverguan në Pavarësinë e Kosovës. Merita e tij qëndron ne faktin se njohja e kësaj pavarësie të fituar në këtë mënyrë është argumentuar dhe justifikuar në këtë libër me të drejtën ndërkombëtare, ç’ka përbën edhe debatin e fundit të sotshëm i cili pret një opinion nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës , kërkuar nga serbët dhe sponsorizuar pro dhe kundra nga dy fuqitë më të mëdha, ShBA dhe Rusia , si dhe aleatët e tyre respektivë. Vetë autori i librit Bytyçi shprehu duke thënë se, “Kur nisa të shkruaj këtë libër dhe kur e përfundova atë, pavarësia e Kosovës nuk kishte mbërritur. Por më vjen mirë që shumë parashikime të hedhura në këtë libër kanë rezultuar si alternativë e zgjidhjes. Shkrimi dhe botimi i këtij libri nuk ishte ndonjë përpjekje për të bërë hipokritin, përkundrazi, ishte një mision për ta rrënuar sa të ishte e mundur hipokrizinë. Nuk ishte një mundim për të shkatërruar falsitetin e historisë, ishte një përpjekje për të shkuar te e vërteta. Makineria propagandistike e Serbisë na kishte faturuar ne shqiptarëve antivlerat dhe anticivilizimin. Fatkeqësia e të qenit emigrant politik në Gjermani më dha shansin të bija në kontakt me këtë lloj diversioni shovinist, e më pas të hidhja në libër diçka serioze për të ngritur vlerat e shqiptarëve mbi antivlerat, të cilat i kishin servirur shkenca, Akademia, Kisha dhe shteti serb, pra, të vërtetën mbi trillin, realitetin mbi falsitetin.

Marianne Graf konsulle e Shqipërisë për Austrinë

Humanistja e njohur austriake, Marjanne Graf merr titullin Konsulle e Shqipërisë për Austrinë. Ajo është vlerësuar nga ministria e Jashtme e Shqipërisë me titullin Konsulle e Shqipërisë për Austrinë. Graf ka një kontribut prej 20 vitesh në gjithë hapësirën shqiptare dhe në Kosovë. Në ceremoninë e organizuar në Graz të Austrisë kanë qenë të pranishëm personalitete të rëndësishme nga Shqipëria si, Zëvendësministrja e Jashtme, Edith Harxhi, Skënder Thaçi drejtor Exekutiv i Shoqatës Albania-Austria Partnerschaft, Mark Ruci, Kryetar i Bashkisë Rubik, Gjovalin Prenga, Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun ne Kryeministri, Gilbert Galanxhi, ambasador i Shqipërisë në OSBE në Vjene dhe Egin Ceka i ngarkuari Ambasadës Shqipëtare në Vjenë. Marianne Graf ka një veprimtari të dendur sociale dhe humanitare si presidente e shoqatës së ndihmave “Albania-Austri partnershaft”. Ajo është nderuar me shumë dekorata e tituj dhe pikërisht “Qytetare Nderi”, për njësitë vendore; Fier, Mamurras, Rubik, Pukë, Drenës, Kosovë, Rrap, Qaf-Mali,etj. Mban medaljen më të lartë shtetërore me titullin “Medalja Nënë Tereza” në Shqipëri në vitin 1996, është nderuar me çmimet kombëtare austriake si “Jozef Krajner” në Austri 1999 dhe çmimi “Johani i Madh” si dhe “Gruaja e Vitit 2002”, po ashtu dhe çmimin “Humanitar-2003”, dorëzuar nga Gorbaçov dhe Helmut Kohl. Ka një veprimari të begatë me publikun dhe median në Austri dhe Shqipëri si në botimet periodike, konferenca kombëtare e ndërkombëtare për çështjet e arsimit, simpoziume, organizata dhe institucione shtetërore ose jo për kulturën, ka patur prezencë në mediat lokale dhe qendrore influente, dokumentar dhe programe satelitore. Shquhen disa tituj emisionesh si “Një engjëll në Shqipëri”, “Net të gjata shqiptare”, “Varfëria me respektin takohen”, etj.

16 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›