E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enver Hoxha nuk është i tëri i Fevziut

Ai që për afër 15 vjet bëri bujë me emisionin e tij televiziv Opinion duke rrahur tema nga më të ndryshmet, tashmë është bërë vetë pjesë e një debati.

Plagjiatura që ka dalë në shesh tregon se jo i tërë libri është në autorësi të gazetarit Fevziu. Ngjashmëria fillon me kopertinat e librave që u kushtohen dy diktatorëve, rus dhe shqiptar. Libri për diktatorin Stalin ka për autor Edvard Radzinsky, i botuar në vitin 1997, ndërsa ai për diktatorin Hoxha ka për autor Blendi Fevziun, i botuar në vitin 2011.

Secili syresh ka shkruar për diktatorin e vendit respektiv dhe deri këtu ska asgjë të keqe. Por, po ti vësh re me kujdes të dy kopertinat, të bie menjëherë në sy se kanë shumë të përbashkëta, ose më saktë, kopertina e librit të Fevziut ka ngjashmëri me atë të Radzinsky-t.

Pesë nga to janë: Të dy i kanë titulluar me emrat e tyre, Stalin dhe Enver Hoxha, të dy titujt janë shkruar me shkronja të bardha, të vendosura në një fushë të kuqe e të rrethuara nga një kornizë e verdhë, të dy autorët kanë vendosur nga një shënim poshtë titullit, Radzinsky: E para biografi e thelluar bazuar në dokumentet e reja shpërthyese nga arkivi sekret i Rusisë, Fevziu: E para biografi bazuar në dokumentet e arkivit personal dhe në rrëfimet e atyre që e njohën.

Si titulli ashtu edhe shënimi janë vendosur në të njëjtën lartësi e pozicion, djathtas. Tek të dy kopertinat diktatorët shfaqen me gjysmëportretin e tyre, Stalini me pamje ballore, por me gjysmën e fytyrës, Enveri në profil edhe ky, pra me gjysmën e fytyrës.

Mirëpo, vetë autori i librit, Blendi Fevziu, në një deklaratë për Zërin mohon se është një plagjiat, pasi që thotë se është bërë me dëshirën e tij. Unë i kam kërkuar vetë shtëpisë botuese që kopertina ti ngjajë një libri perëndimor që është shkruar për Stalinin. Të dy diktatorët kanë ngjashmëri mes vete, për këtë arsye kam dashur që ti krahasoj. Ndërsa fotografinë e kam marrë nga interneti dhe nuk e di se kush është autori, ai mund edhe të paraqitet, ka thënë Fevziu.

Jo të gjithëve iu kishte pëlqyer ideja për të pasur në dorë një libër me biografi të Enver Hoxhës. Javë më parë disa përkrahës të ish-diktatorit e kishin djegur atë duke e cilësuar si një libër që nuk u bën nder shqiptarëve.

Grupi i qytetarëve nga Ferizaj e kishin cilësuar librin si propagandë ndaj figurës së Hoxhës. Ata e përforcojnë këtë qëndrim me argumentin se libri është shkruar nga nipi i Esat Pashë Toptanit. Gazetari Blendi Fevziu është autor i nëntë librave dhe bashkautor me Ben Blushin i librit 100 ushtarë. /Zëri/

“Vjedhja” e Fevziut

Libri i gazetarit Blendi Fevziu vazhdon të jetë pre e sulmeve ndërsa në rrjetin social Facebook ka qarkulluar lajmi se kopertina e librit Enver Hoxha është një kopjim i atij për Stalinin shkruar nga Edvard Radzinsky. Në një krahasim që vizitorët e internetit kanë bërë bie në sy që kopertina e librit nuk është bazuar vetëm në anën grafike të veprës së Radzinskyt por edhe më tej. Teksti mbi kopertinë është një kopjim fjalë për fjalë. E ndërsa Radzinsky ka zgjedhur të përdorë arshivën sekrete sovjetike për tu bazuar, Fevziu ka preferuar atë personale të Enver Hoxhës.

***

Kosovë, digjet publikisht libri i Blendi Fevziut

Libri biografik për Enver Hoxhën i shkruar nga Blendi Fevziu është djegur në Ferizaj të Kosovës në shenjë demonstrative kundër asaj që thuhet në këtë libër. Ky grup qytetarësh e ka cilësuar librin si propagandë ndaj figurës së Hoxhës. Ata e përforcojnë këtë qëndrim me argumentin se “libri është shkruar nga nipi i Esat Pashë Toptanit”.

Një prej njerëzve që ka ndërmarrë këtë hap është edhe Remzi Hasani, profesor filozofie. Ai është shprehur se njerëzit duket të krahasojnë librin e Fevziut me librin e para 30 viteve të shkruar nga 12 gazetarë të agjencisë së lajmeve Tanjug me titull Shqipëria e Enver Hoxhës.

Dallimi qëndron në atë se para 30 viteve për Enverin shkruanin ata të cilët e konsideronin si armikun numër një për shtetin jugosllav, ndërsa tash po bëhet nga një autor, i cili është ushqyer me propagandë dhe urrejtje për këtë figurë të ndritshme të kombit. Dallimi qëndron në atë se ky i dyti është shqiptar dhe është nipi i Esat Pashë Toptanit, ka thënë Hasani. Qytetarët e Ferizajt që i kanë vënë flakën dy librave njihen si përkrahësit e Frontit popullor për kultivimin e veprës revolucionare të Enver Hoxhës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›