Vdekja e Gligorov, Topalli homazhe në ambasadën maqedonase

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të presidentit të parë të Maqedonisë së pavarur, Kiro Gligorov. Zonja Topalli ishte në Ambasadën maqedonase në Tiranë, ku la dhe një shënim në librin e ngushëllimeve, të hapur me këtë rast nga kjo ambasadë. Kryeparlamentarja ka vlerësuar figurën e Glikorov, si një person që ka luajtur një rol historic, jo vetëm për vendin e tij, por edhe për rajonin.
"Jam këtu në Ambasadën e Maqedonisë për të shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të presidentit Gligorov, i cili vitet 1974-1978 ka qenë në fakt kryetari Parlamentit të Jugosllavisë. Më pas, në një periudhë delikate dhe të vështirë për rajonin, gjatë periudhës 90-91 , ai luajti një rol absolutisht historik, jo vetëm për vendin e tij, por edhe për rajonin. Ishte një atdhetar, ishte një lider që bëri të mundur që, vendi i tij të fitonte pavarësinë përmes rrugës paqësore.
Sigurisht që do të mbetet në histori si Presidenti i parë i shtetit të pavarur të Maqedonisë. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal, dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta Maqedonisë, Kuvendit të Maqedonisë, të gjithë autoriteteve, ambasadës për humbjen e një lideri të këtij vendi"-u shpreh Topalli.
Kiro Gligorov u nda nga jeta tre ditë më parë në moshën 94 vjeçare.