E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paloka: Duhet të ketë ndryshime në qeveri

Kështu deklaroi sot deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili shtoi se zgjedhja e Presidentit do të bëhet në respekt të Kushtetutës së miratuar nga të dyja palët me konsensus dhe që parashikon që kandidati për President kalon me shumicë të thjesht votash.   

"Fatos Nano mund të jetë kandidat, pasi është ish- kryetar i PS-së dhe është kjo forcë politike që ka të drejtën e saj ta propozojë ose jo, por është absurde që ta propozojë PD. Ndërsa, Bamir Topi e ka tërhequr vetë kandidaturën e tij, jo vetëm me deklaratën që bëri se nuk do të jetë kandidat, por me të gjithë qëndrimet që ka mbajtur", tha Paloka.

I pyetur mbi domosdoshmërinë ose jo për ndryshime në kabinetin qeveritar, Paloka tha se, ato janë atribut i Kryeministrit. "Parimisht për mua duhet të ndryshohen jo vetëm emrat por edhe strukturat e qeverisë, sepse ndryshojnë situatat, objektivat dhe është normale që të ndryshojë dhe kabineti qeveritar", tha ai. 

Duke u ndalur te objektivat kryesore të mazhorancës për vitin 2012, Paloka tha se, marrja e statusit të vendit kandidat është objektivi kryesor. "Synimi i Edi Ramës ishte shmangia e marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë duke bojkotuar parlamentin dhe duke bërë një opozitë agresive. Pasi arriti qëllimin e tij politik, humbjen e statusit, Rama hyri në parlament", tha Paloka, ndërsa shtoi se nëse Edi Rama do të ketë vullnetin të vazhdojë bashkëpunimin me maxhorancën, Shqipëria do të marrë këtë vit statusin e vendit kandidat./Start/

                                                                                             2012-01-05 12:48
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›