E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benedikti XVI Rumanisë: “Laikët janë pjesë të jetës dhe të veprimtarisë së Kishës”

25-08-2012 / Gazeta 55

Kisha ka nevojë për laikë të pjekur, që të marrin përsipër përgjegjësinë së bashku me Kishën, për ta çuar deri në fund misionin e saj universal. Ata nuk mund të konsiderohen bashkëpunëtorë të thjeshtë të klerit. Këto janë fjalët e Papës në Mesazhin për pjesëmarrësit e Forumit ndërkombëtar të Veprimit Katolik, që po mbahet në Iashi të Rumanisë. Benedikti XVI vë në dukje se ndarja ndërmjet laikëve dhe klerit është shtuar në shekuj, por në fillimet e krishterimit, ky problem as që ekzistonte: barinjtë e Kishës dhe laikët ishin “një zemër e një shpirt i vetëm”. Laikët, vazhdon Ati i Shenjtë, duhet ta jetojnë si protagonistë misionin e Kishës. Edhe tema e sivjetme e Takimit, që do të vazhdojë deri të shtunën, është “Ta ndjeni tuajin impenjimin për të vepruar në misionin e Kishës”. Papa i fton ta bëjnë këtë me anë të lutjes, të studimit, me pjesëmarrjen në jetën kishtare, duke hedhur një vështrim të kujdesshëm e pozitiv mbi botën, duke kërkuar vazhdimisht shenjat e kohrave. “Mos u lodhni së përsosuri gjithnjë e më shumë, me formim serioz e të përditshëm, aspektet e thirrjes suaj të veçantë si besimtarë laikë, për të qenë dëshmitarë të guximshëm e të besueshëm në të gjitha fushat e shoqërisë”.
Laikët, thekson Benedikti XVI, mund t’i ndihmojnë barinjtë e Kishës të gjykojnë më drejt si gjërat e shpirtit, ashtu edhe gjërat e botës. Për këtë, ata duhet të përdorin gjuhë e mënyra të kuptueshme për kohën e sotme, duke përballuar sfidat e ungjillëzimit të ri, gjithnjë në bashkëpunim me famullinë e dioqezën. Merrni guximin për të bërë propozime, edhe të vështira e kërkuese, e përfundon Papa mesazhin për Veprimin Katolik, sepse kështu ecim së bashku në rrugën e shenjtërimit të jetës, drejt së ardhmes plot shpresë të njerëzimit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›