Enveri si Stalini. EdRama si Enveri. I lidh pushteti përmes dhunës
Vasilij Grossman ka skalitur dy rreshta që portretizojnë totalitarizmin: “Rusia ka parë shumë gjatë një mijë viteve të ekzistencës së saj. Ajo nuk ka parë një gjë në një mijë vjetët e saj: lirinë”.
Me kalimin nga regjimi carist në qeverisjen bolshevike, Rusia shkoi nga shiu në breshër. Do të duket e pabesueshme kjo pjesë nga “Imperium” e Rikard Kapuçinskit: “Qershori i vitit 1933 është një nga ata muaj kur fushat dhe rrugët e Ukrainës janë të shtruara me dhjetëra mijëra kufoma njerëzish të vdekur urie, ndërsa nuk ishin të rralla rastet (të bëra publike sot) kur nëna, të luajtura mendsh nga uria, të pandërgjegjshme për veprimet e tyre, hanin fëmijët e vet. Atëherë nga uria nuk vdisnin vetëm në Ukrainë. Vdisnin edhe në Povollozh, edhe në Siberi, edhe në Ural, edhe në Detin e Bardhë”. Ndërkaq nuk ishin të paktë intelektualët e Perëndimit që i bënin jehonë lumturisë së prosperitetit ekonomik sovjetik! Në të njëjtën kohë, terrori stalinist bënte kërdinë. Zhan-Pol Sartri dhe bashkëshortja e tij Simona dë Bovuar e kuptuan vonë miopinë e tyre ndaj një sistemi rrënimtar, të cilin e ngritën në apoteozë. Shkrimtari mendjemprehtë, André Zhidi, e kishte kuptuar që herët sesi kolegët e tij, që ishin zëdhënës të një arti të vërtetë, kishin rënë megjithatë në këtë batak, politikisht. Por atëherë ishin në kohën e verbimit dhe zëri i Zhidit nuk përfillej.
çé Gevara, në komunizmin e Fidel Kastros, të propaganduar nga Sartri, e pësoi si bashkëpunëtorët e Leninit, Zinovievi, Kamenievi dhe si Radeku e të tjerët, në B.S. Ai ishte idealist në iluzionet e tij. Por F. Kastro, tërë xhelozi për popullaritetin e Gevarës, e çoi në Bolivi, që të përhapte komunizmin në kontinentin amerikan. Dhe atje Gevara e pagoi shtrenjtë: Ia prenë duart, që t’i kishin si relike besueshmërie, dhe e ekzekutuan në vend. Ndërsa Fideli, siç kishte dalë në disa statistika, ishte bërë njëri ndër të pasurit e rruzullit!
Enver Hoxha, që ishte një student mediokër dhe që s’ishte as anëtar i grupit të Korçës, zuri majën e piramidës komuniste shqiptare, vetëm me dinakërinë që të ishte përkrah më të fortit. I kishte vënë vetes për detyrë që të bëhej vasali i armiqve shekullorë të kombit tonë, që personifikoheshin në mareshalin Tito. Emisarët e këtij gjetën personin e duhur te zhigolòja shqiptar, Enveri, - sipas shprehjes që e përdorte shpesh i ndjeri Uran Kalakulla. Për ata që s’e njohin fjalën frënge që përdorëm, kjo fjalë përcakton djalin e ri, dashnorin e një gruaje të moshuar, e cila e mban me parà “të dashurin”. është inversi i fjalës mantenutë, që përdorej shpesh në kohën e “Zonjës me Kameliet” të Dymá birit, që u pavdekësua edhe nga Verdi, në rolin e Violetës, në “Traviata”.
Sistemi ynë kooperativist do të na çonte në po atë mjerim të kolkozeve sovjetike të Stalinit. Atë morëm si etalon, së fundi. Dhe fshatari që u bë intelektual, falë vullnetit të tij të pazakontë për studim, N. Isufi, do të shkruante në Ditarin e tij (Bot. 2007): E premte, 26 shtator 1969: “...Ai (burri i motrës) pará nuk kishte dhe kooperativa nuk i kishte dhënë asnjëfarë ndihme. Më keq nuk kishte se ku të shkonte. Varfëri dhe vetëm varfëri! Realiteti i gjallë te punonjësit e kooperativës bujqësore të tipit socialist! ...Ky shtet krenohet për prodhimet bujqësore që jep ky fshat. Por fshatari që punonte atje nuk kishte as kafshatën e bukës së misrit! Mos dëgjoni radiot e mos shikoni gazetat, por shkoni e shikoni në vend, ashtu siç e pashë edhe unë sot. E atëherë mendoni e gjykoni!
E diel, 23 korrik 1972, te motra, në fshat: “Gjendja e saj shëndetësore, sa vjen e keqësohet më tepër. Por edhe gjendja ekonomike ka arritur në nivelin më të ulët, saqë nuk kanë me se të marrin një biletë udhëtimi, e jo më të merren me mjekët e të blejnë ilaçet! (Pas shtrimit në spital) Kryesia e kooperativës nuk ia pagoi raportin mjekësor se është katundare, duke qenë edhe anëtare e rregullt e kooperativës bujqësore të tipit socialist! Kështu thotë ligji: Anëtarëve të kooperativave bujqësore nuk u paguhet raporti mjekësor... Të pesë fëmijët e sime motre nuk kanë një lugë shëllirë, kurse këta, qeveritarët tanë, na çirren duke bërtitur për prodhimet e larta që marrin kooperativat e tipit të lartë socialist! ç’padrejtësi!”. (f. 103).
Ky intelektual që e bëri shkollën e mesme, falë vullnetit të tij të papërkulur për studime, që mësoi vetë gjuhë të huaja dhe që shkruan se s’ia dinte aspak për nder shkollimin sistemit të zisë e të mjerimit, u rregullua me një punë modeste në Durrës. Por i pikonte zemra, kur shkonte në fshat tek i ati, në skaj të varfërisë më të dhimbshme dhe në fshatin tjetër, te motra, që s’kishte lekë as për doktor, as për autobus! Mbase nuk e kishte lexuar André Zhidin. Por lajmet në radio, ama, i dëgjonte. Dhe dinte ta bënte mirë krahasimin me ato vende, që demagogjia komuniste i paraqiste sikur banorët e tyre flinin nën ura! Kështu që nuk u habit asfare kur klasa punëtore hegjemone (!) iu vërsul valëve të Adriatikut dhe kloneve kufitare, për t’u punësuar nga punëtorët, që kishin ofiçinat dhe veturat e tyre, paçka se në Manifestin Komunist shkruhej se duhej të bashkoheshin për të përmbysur kapitalizmin shfrytëzues! Ky “sistem shfrytëzues” dinte të vetëkorrigjohej, pa rënë nën kurthin e ekonomisë së centralizuar, në të cilin kompeticioni krijues ishte shndërruar në zero dhe kolektivizmi ishte bërë burim plogështie e hajdutllëku. Dhe mbahej në këmbë vetëm në saje të një propagande mashtruese euforike.
***
Sa më i madh terrori politk, aq më e rëndë gjendja ekonomike. Aq më tepër marramendëse demagogjia. Enver Hoxha u bë titist gjer në dhurim të ofiqit të tij të Sekretarit të Parë të K.Q. të Shqipërisë (më zi se Kuislingu ndaj gjermanëve), e shiti kombin nën emblemën e Internacionalizmit Proletar dhe, pastaj, kërkonte skeptrin e luftës kundër tradhtarit Josif Broz Titos! Edi Rama e imitoi në mënyrë të përkryer ithtarin besnik të Kristaq Ramës, Enverin, në këto qëndrime kontradiktore. Citojmë nga “RD”-ja e 17 marsit të tanishëm: “Rama e nisi me thirrjet për gjak e varje në litar të të gjithë komunistëve pa përjashtim (!), madje para stadiumit Q. Stafa deklaroi se duhet ta niste me babanë e tij, ndërkohë që tani, thjesht për arsye karrieriste dhe jo humane, bën të ofenduarin”. Pra janë ekscentrikë, si Enveri, ashtu edhe EdRama. Ka gjetur tenxherja kapakun!
Kjo fraza e fundit është e pajtueshme edhe me karakterin e të dyve: Njëri zhigoló (e pamë); tjetri pervers seksual. Nëse duhet të citojmë edhe këtu, mjafton të përmendim neofitin po aq “parimor” sa Mustafa Nano, Mero Bazen, që ia nxori Edvinit të gjithë mbrapështinë e karakterit, gjer në incestin brenda familjes! Po aq gënjeshtarë, sa njëri dhe tjetri! Enveri i thoshte së motrës se fatin e B. Omarit e kishte në dorë Koçi Xoxe. Por ky i shfajësohej Fahries se nuk merrte dot asnjë vendim pa pranimin e E. Hoxhës! Tjetri, Edvini, i turret brutalisht në Amerikë një ish-të përndjekuri, që e akuzoi për firmën e Kristaq Ramës që të ekzekutohej poeti Havzi Nela. EdRama iu përvesh me harbutllëk: - Si s’ke turp që gënjen paturpësisht, je dhe goxha burrë! Ndërsa i paturpshmi ishte ai vetë, se firma e Kristaqit ishte përcjellë edhe në fac símile! Madje s’ka pak ditë që doli në gazetë edhe firma tjetër e Kristaq Ramës, që miratonte dënimin me vdekje të Enver Osmanit (“55”, 17.03.2010). Janë analogji krahasimore, me të cilat mund të zgjateshim pa fund.
Sa për përngjasimet e Enverit me Stalinin, edhe këto s’kanë të mbaruar. E nisim me Stalinin, me qëndrim e tij mizor ndaj njerëzve të gruas së parë,Ekaterinës, dhe të gruas së dytë, Nadjezhdës I vëllai i gruas së parë, Ekaterina Svanixes, Aleksandri, që ishte njëri ndër miqtë më të mirë të Stalinit në rininë e tij, u vra si spiun. Në të njëjtën kohë, e shoqja e Aleksandrit u arrestua dhe vdiq në një kamp përqendrimi. Bijtë e këtij çifti, si “pinjollë të armikut të popullit”, u internuan në Siberi. Motra e Ekaterinës, Maria, u arrestua edhe ajo dhe vdiq në burg. Enukixe, të cilin Svjetllana e kishte si dajë, u ekzekutua se s’e kishte nxjerrë në pah sa duhet Stalinin, në një libër kujtimesh, për veprimtarinë e përbashkët në Kaukaz! ...
Motra e gruas së dytë, Nadjezhda Alliluievës, Ana, u arrestua në vitin 1948 dhe u dënua me dhjetë vjet burg, si spiune; i shoqi i saj, Stanislas Redens-i, ishte arrestuar më parë, në vitin 1938, si “armik i popullit” dhe, më vonë, u pushkatua. E veja, Ksenia, e të vëllait të Nadjezhdës, dhe Jevgjenia, gruaja e dajës së Nadjezhdës, u arrestuan pas luftës dhe u liruan vetëm pas vdekjes së Stalinit.
Për krimet brenda familjes të E. Hoxhës, ia lëmë fjalën analizës së mprehtë të I. Kadaresë:“Diktatori sqimatar nuk u lëkund gjatë. Midis të afërmve ai zgjodhi njeriun më të shtrenjtë, burrin e motrës, një nga intelektualët më të shquar të vendit dhe, kryesorja, bamirës dhe tutor i tij. Ishte ky njeri që, jo vetëm i kishte nxjerrë bursën për studime në Francë, jo vetëm e kishte ndihmuar financiarisht por, falë njohjes dhe personalitetit të tij, e kishte fshehur shpesh gjatë Luftës në shtëpinë e vet. Të gjithë e kuptuan thelbin e epokës që po vinte: Mëshirë s’do të kishte për askënd!”.
E pamë si e rrejti të motrën E.H-a, duke hedhur gurin dhe fshehur dorën! Ia ngarkoi Koçi Xoxes!
Mosmirënjohja meskine ishte tipar dallues për të dy. Enukixe ishte si një dajë për Svjetllanën. Megjithatë Stalini e ekzekutoi. Enukixe kishte mëkatuar në një libër kujtimesh, se nuk e kishte ngritur sa duhet rolin e Stalinit në veprimtarinë revolucionare! Por edhe Enveri ekzekutoi Syrja Selfon, Nysret Karagjozin, doktor Sazanin, që e kishin mbajtur me banesa falas e me pare gjatë luftës. Për Syrjanë u justifikua se ia kishte marrë firmën Koçi Xoxe, me dhunë!
Sa për sindromën e kultit të individit për të dy mund të shkruhen faqe të tëra. Edhe për falsifikimin e historisë ishin të dy ustallarë. Natyrisht ustai i vogël kopjonte ustanë e madh!
Po përse Enveri dhe, pas 1985-s, Nexhmija dhe Ramizi, nuk e përmendnin më Stalinin e Madh, sido që ia ruajtën statujat gjersa këto i përlau uragani popullor antidiktatorial? Të paktë janë tani ata që mundet të mos e dinë se Stalini ishte antishqiptar. U bënë të njohur librat e Eduard Kardeljit dhe të Milovan Gjilasit që ia nxirrnin petën lakrorit, duke shkruar për gëlltitjen që duhej të pësonte Shqipëria, me sugjerim të Stalinit, në këmbim të disa interesave të tij. Shprehur ndryshe, Stalini e kishte trajtuar vendin tonë si plaçkë tregu. Pra, ne shqiptarët, në vitin 1956 kishim arsye të përligjshme për ta bërë destalinizimin më shumë se të gjitha vendet e Lindjes komuniste europiane. Por kjo do të thoshte të fluturonte karrigia! Pra, iu tha derrit dajë, për domosdoshmërinë që duhej të vazhdonin metodat staliniste, gjithmonë për hir të karriges! (Për hir të karriges së Edvinit, sot Shqipëria është futur në qorrsokak!“ ). Në këtë dashuri të kamufluar staliniane mplekset edhe qëndrimi antiatdhetar i Enverit, i Nexhmijes dhe i Ramizit. Më shkoqur: stalinizmi vazhdoi nën surdinë, sepse nëse do të vazhdonin britmat si më parë për Stalinin e Madh, kjo do të ishte një pohim i tërthortë kundër atdheut, mneqë Stalini i kishte nxjerrë brirët si antishqiptar!
Nuk është e vështirë të kuptohet se parësor për këta ujq të interesave kombëtare, është pushteti i dhunshëm dhe nuk janë perspektivat e vendit. Edvini njëherë vë Gramozin, Mustafa Nanon dhe Spartakun që të dalin hapur kundër perëndimorëve dhe pastaj del e thotë se BE-ja është me të! është e kotë t’i renditësh që, përkundrejt dy zërave në favor të tij, janë të gjithë të tjerët si Doris Paku, e cila ia kuptuar ëndrrën për një ’97-të të dytë!
Por loja me zjarrin e Edvinit dhe e disave që ai i tërheq për hunde, mund të djegë jo më Shqipërinë demokratike, por ata që do të shpërfillin të drejtat e një shteti ligjor. Sado që t’ia bëjnë hyzmetin nostalgjisë enveriste, manifestimi gjysmë milionësh i 8 dhjetorit nuk do ta lejojë që ai ta vërë në dorë pushtetin me ato kërcëllimat e dhëmbëve të të mbledhurve të bashkiakëve majtistë nga janë e nga s’janë, me pare në dorë, si jeniçerët!
...