Artificialiteti i një kauze antishqiptare
Janë të njohura mënyrat e të ushqyerit artificial. Artificialisht mund të ushqehen njerëzit, kafshët, bimët, gjithçka që gjallon në planetin tonë. Kësisoj, domethënë me rrugë artificiale, ushqehen fëmijët, kur nënës i mungon gjiri, kafshët ose bimët, në mungesë të ushqimit natyral ose të sëmurët, organizmi i të cilëve e ka humbur aftësinë e përpunimit të ushqimeve.
Nëse do të shkëputeshim paksa nga bota lëndore me një abstagim fare të thjeshtë, do të vërenim se edhe debati politik mund të ushqehet në mënyrë artificiale. U bë kaq kohë që ky debat po ushqehet me kutitë e Edi Ramës. Sikur të qenkëshin ngrënë me të vërtetë kutitë e mbyllura me votat e shqiptarëve mbrëmjen e 28 qershorit 2009, tashti, në prag të prillit 2010, përafërsisht nëntë muaj pasi nisi fushata elektorale, nuk do të kishte mbetur as edhe një kuti për të ushqyer debatin politik të shpikur nga socialistët si e vetmja mënyrë e politikëbërjes.
Nëntë muaj! Nuk janë pak. Në nëntë muaj, zihet dhe lindet një fëmijë, hidhet fara e të lashtave dhe afron koha e korrjeve, ndërrohen tri stinë të vitit dhe fillon e katërta, fillon dhe mbaron një luftë. Edi Ramës nuk i mjaftuan vera, vjeshta dhe dimri për të shpallur, për ta filluar e për ta fituar “luftën civile” në Shqipëri. Nuk kam lajthitur, ndonëse e kam futur nê thonjëza politikëbërjen e Edi Ramës në këta nëntë muaj. Në këtë rast, thonjëzat nuk janë përdorur për metaforë. Përkundrazi, për të vënë në pah një të vërtetë të pamohueshme. A nuk i ngjan një lufte civile kjo situatë e stisur artificialisht për t’i zgjatur jetën politike Edi Ramës, e ushqyer artificialisht me kuti, e mbajtur më këmbë artificialisht me bojkot të plotë a me hyrje-dalje qesharake në parlament? Me “luftë civile”, në këtë rast nuk do të parakuptoja përleshje fizike mes njerëzish, kërcitje armësh, gjak, kufoma, ndonëse ata që shkaktuan ’97-n, do t’i dëshironin me gjithë shpirtin e tyre të katranosur. Le të sjell në kujtesë të lexuesit kërcënimet Ruçit gjatë procesit zgjedhor, thirrjet luftënxitëse të Ngjelës, gjestet prej të çmenduri të kryesocialistit përpara ndërtesës së Kryeministrisë në protestën e famshme të qofteve dhe të WC-ve lëvizëse, ngrehosjen e “gjeneralëve” të tjerë si komandantë injorantë të tipit Panço Villa.
Kur politika nis e mbaron me kërcënime, ose kështu si them unë, ose rashë e vdiqa, çfarë mund t’u thuash situatave të pasigurisë për reformat imediate që mezi po i pret vendi dhe ndërkombëtarët, përveçse luftë civile?
Klima e urrejtjes është karakteristika më e qenësishme e situatave të luftës në përgjithësi. Le të më gjejë kush qoftë edhe një gjest të vetëm mirëkuptimi të socialistëve të udhëhequr prej Edi Ramës dhe klanit të tij të aferave të dyshimta, ndaj kundërshtarëve politikë që i fituan zgjedhjet nën dritën e qartë të diellit. Do t’i merrja mbrapsht të gjitha konsideratat e mia, si të gabuara. U bënë nëntë muaj që po dëgjojmë vetëm daullet e luftës. Nëntë muaj fyerje, asgjë të bukur; nëntë muaj kërkesa për qiqra në hell, kur dihet se qiqra nuk e ha hellin; nëntë muaj stërkëmbtha Shqipërisë dhe shqiptarëve, asnjëherë krahun në qafë njëri-tjetrit; nëntë muaj ne prit mana, ato dil thana. çfarë mund t’ia vësh emrin kësaj situate përveçse “luftë civile”?
Le të sjell një shembull kur një anonim, përpiqet të fyejë një personalitet që, në një mënyrë a në një tjetër, diçka ka bërë dhe po bën për këtë vend. Lexova dje një deklaratë për shtyp të zotit Edmond Haxhinasto. Po citoj vetëm një paragraf që e përkufizon më së miri profilizimin e debatit politik në Shqipëri, sipas linjës politike që ai ka zgjedhur. (Debati) “Nisi dhe vazhdon të mbetet një debat me objektiv të qartë politik, kontestimin e mazhorancës dhe faktorizimin politik të lidershipit të PS.” Nëse Haxhinasto ka këtë bindje, ai që ka të kundërtën, mund ta shprehë me të njëjtën mënyrë korrekte.
Por jo. Idrizi (?) anonim e “komenton” Haxhinaston politikan: “Edhe ti del ndonjëherë me porosi të faktorizosh veten dhe partizën tënde që tashmë nuk ekziston. Edi Rama është një faktor i njohur botërisht dhe nuk ka nevojë për ndihmën e askujt. Sepse ai mbron një kauzë të drejtë ai është njëherë më i faktorizuar se më parë”.
Vër re, i nderuar lexues, anonimin që ka përvetësuar perversitetin politik të atij që po e ushqen urrejtjen! Po të gjykosh nga mënyra e të shkruarit shqip, ky Idrizi nuk ngjan aq injorant në krahasim me do të tjerë në faqet e internetit të mediave të majta. Ama helmi që vjell, është më i keq sesa ai i nepërkës. Nëse Edi Rama qenka, sipas Idrizit, i njohur dhe i faktorizuar botërisht, kjo jo sepse mbron një “kauzë të drejtë”, por sepse është bërë pjesë e kauzave antishqiptare.
...