Epikriza e “shtojzovalles” Kodheli
E zhytur në apati strukturore e intelektuale, Partia Socialiste çdo ditë kujtohet të konsumojë një konferencë për shtyp për të theksuar pretendimet mbi gjendjen ekonomike. Bukur fort. Më mirë pak se hiç. Kësaj radhe është përdorur për zhurmë megafoni vokalik i mrikës shkodrane Kodheli. Mimika Kodheli jo vetëm që nuk e ka haberin për makro-ekonomi apo lexim buletinesh statistikore, por roli i saj është të lexojë një hartim të shkruar nga Shkëlqim Cani. Këto dalje publike kundër ekonomisë kanë synim të pështjellojnë opinionin publik pas shpalljes së Kryeministrit Berisha se 540 mijë pensionistë do të përfitojnë rritje pensioni, dhe se administrata publike do të ketë rritje page. Këto operacione të përditshme të shpëlarjes së trurit synojnë të zhvlerësojnë një nga premtimet kryesore të maxhorancës.
Sidoqoftë tashmë është e qartë se realizimi i premtimit të bërë gjatë fushatës elektorale ka xhelozuar dhe frikësuar se tepërmi lidershipit socialist që përpiqet të ulin efektin e kësaj nisme të pashembullt, në një kohë kur pensionet janë ngrirë apo reduktuar, pothuajse në të gjitha vendet e Europës. Kush më mirë se rritja e pagave dhe e pensioneve reflekton situatën tërësisht pozitive të financave publike. Me 1 korrik rreth 15 mijë pensionistë kanë tërhequr pensionet bashkë me shtesat. Paniku i socialistëve që kuptohet në kordat vokale të tendosura se përmes rritjes së investimeve dhe rritjes së pagave e pensioneve rrezikon ekonominë dhe zmadhon borxhin e brendshëm, është jo vetëm i pabazë por edhe absurd në pamje të parë, pasi edhe një problem tepeleku kupton se kur ka rritje investimesh dhe ndërtim të infrastrukturës, ky fakt tregon gjallërinë dhe funksionalitetin substancial ekonomik.
Afërmendsh deputetja shtojzovalle Kodheli nuk ka fakte por vetëm me fjalë të pabazuara, fjalë pa mbështetje të dhënash, qofshin këto edhe të pasakta. Partia Socialiste ka qeverisur tetë vjet vendin dhe sa herë ka menduar të rrisë pagat dhe pensionet, ka marrë borxhe të brendshme (250 milionë dollarë nga taksa “Majko” - harxhuar që të gjitha për të mbyllur gollat e zeza që qeveria socialiste kishte në buxhetin e shtetit, përmes kontrabandës në dogana, evazionit fiskal dhe politikave të shkatërrimit të ekonomisë kombëtare) dhe të jashtme. Prej 6 vjetësh maxhoranca qeverisëse në këtë vend nuk është marrë asnjë qindarkë borxh për pagat. Dhe ky është një fakt. Një ekonomi që rrit nga viti në vit të ardhurat, në një sektor si doganat, do thotë që nuk është një ekonomi që meriton lotët e krokodilëve politikë, por një ekonomi që manifeston dinamizëm. Bile në forumin jubilar të Crans Montana i mbledhur në Bruksel, Shqipëria u cilësua një rast i veçantë, e cila i rezistoi presionit të krizës financiare globale, në sajë të reformave të ndërmarra nga qeveria në ekonomi para krizës. Po ashtu në konferencën e fundit për shtyp të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaroi se deficiti buxhetor ka pasur një tendencë uljeje gjatë muajve të parë të vitit 2010, si rezultat i politikave fiskale stimuluese të qeverisë dhe po ashtu edhe deficiti tregtar ka shënuar ulje, si rezultat i rritjes së nivelit të eksporteve gjatë këtyre muajve.
Gjithashtu ekonomia shqiptare është cilësuar nga të gjithë ekspertët ndërkombëtarë, si dinamike. Sepse qeveria aktuale shqiptare ka qenë mjaftueshëm insistuese, si dhe e vendosur në reformat anti-korrupsion, për të cilat ka qenë kampione në vitet e fundit dhe të cilat duket se po tregojnë rezultatet e para. Reformat e ndërmarra nga qeveria për luftën kundër korrupsionit me taksa, tatime, prokurime, dhe regjistrimin e biznesit. Sigurisht implementimi i sistemeve elektronike për taksat, prokurimet dhe regjistrimin e biznesit, ka reduktuar në kufirin minimal mundësinë e ryshfetit dhe të gjobës.