Perëndimi i kohës, kur në emër të lirisë, thellohej diktatura
E keqja nuk e shfaq veten haptas. Veprat e mbrapshta vënë maskë. Komunizmi mburrej me mjerimin. Djalli vetëshpallet si etalon i mirësísë. Diktatorët e çmojnë ligësínë e vet si ajkën e lirisë dhe prosperitetit. Modestia është virtyt i njerëzve humanë. Veprat e mira flasin vetë. Kush mbijeton në politikë me sharje, synon të bëjë keq. I paafti e proklamon veten gjení. Nuk mashtrohet përjetësisht elektorati nga sharlatanët. Mjerë kush u beson fjalëve të një xhahíli. Kush mendon vetëm për vete, nuk ndërton programe për popullin. Kur shpifja i kalon caqet, paralajmëron fundin e autorit. Udhëheqësit socialistë e dinë që s’kanë të ardhme. Mos vallë prandaj i janë kthyer rishtas rrugës së “revolucionit”? Ata që lëngojnë nga kompleksi i inferioritetit, bëhen ithtarë të marrjes së pushtetit me dhunë, të gënjeshtrës, të mohimit dhe, së fundmi, të bllokimit të çdo reforme madhore. Socialistët janë kapur pas votës së lirë, pikërisht për të shkatërruar lirinë e votës. Një transparencë e paligjshme, sjell pushtet të pakontrolluar. Edhe diktatori më i zí kapet pas idealizmash abstrakte për të sheqerosur banalitetin e tiranísë së vet. Socialistët kanë rrëmbyer flamurin e “votës së lirë”, ndoshta për t’i bërë varrin vetë lirisë. Sepse, në emër të lirisë së votës, ata po kërkojnë të prishin institucionet e lirisë. Ata e dinë që edhe reformat madhore, edhe shteti ligjor, edhe transparenca reale, konsensusi dhe mirëkuptimi në vetvete janë lirí. Por ata nuk duan një lirí që s’është atribut i tyre. Bijtë e bllokmenëve, që kanë veshur “xhidíket” liberale socialiste, urrejnë çdo progres që vjen nga kundërshtari politik. Ata ndjekin metodat që përdorte diktatura. Edhe kjo e fundit e shpallte si kulmin e lirisë vjedhjen më skandaloze të votës. Në krye të socialistëve janë sot “neronët” e krimit të djeshëm komunist. Pikërisht këta predikojnë sot lirinë e votës, edhe pse vetë kanë vjedhur me daulle në çdo proces zgjedhor. Ata kanë asgjësuar madje dhe komisionerë, kanë braktisur zgjedhjet, sa herë kanë dalluar në to disfatën e tyre. Kurse me paturpësí sot shpallen si apostuj të lirisë së votës. Djajtë e diktaturës më të zezë, deklarohen sot si shenjtorë të demokracisë së kulluar (!). Për cilën transparencë mund të flasë ai që nuk bashkëpunon për krijimin e një Kodi të Ri Zgjedhor ? Kush nuk distancohet nga krimet e komunizmit, nuk mund të adhurojë lirinë e votës. Diktatorët nuk e kuptojnë lirinë jashtë privilegjeve të tyre të pamerituara. Të mundur, ata e shpallin veten fitimtar. Fajtorë që nga hartimi i Kodit Zgjedhor, akuzojnë ata që u krijuan çdo hapësírë liríe. Jo më kot blasfemojnë sot zgjedhjet, që u vlerësuan si më të mirat dhe brenda standarteve kryesore. Egoisti emërton edhe të bardhën si të zezë, kur del prej saj i humbur ! Pafytyrësia e socialistëve po revolton sot çdo socialist me sedër. Udhëheqësit e tyre gangsterë po kapen pas së kaluarës kriminale, me kryxhelatin Ramiz Alia në krye. Dhe guxojnë të vetëshpallen avoketër të zjarrtë të lirisë së votës. Por populli e di se, po t’u japësh gishtin, bijtë e bllokmenëv të rrëmbejnë krahun. Ky është virtyti i çdo harbuti ! Ky është etaloni i çdo grabitësi. Madjé dhe dinjiteti i çdo mëkatari të papenduar.
Kur populli pret liberalizimin e vizave dhe integrimin e vendit në B.E., socialistët po tentojnë t’i vënë zjarrin të ardhmes së Shqipërísë. Vetëm me E. Ramën në pushtet mund të lulëzojë liria e kopaçes, gënjeshtrës dhe urísë. Prandaj socialistët shpifin, akuzojnë, pa dhënë asnjë alternativë zgjidhjeje. Dhe ngjajnë këtu si dy pika uji me Enver Hoxhën, që i shihte shqiptarët si “bunkerë” për ta mbrojtur atë nga zëri i lirisë. Se liria për diktaturën ishte e drejta e saj për t’i lënë njerëzit gjallë (!). Socialistët shtiren sikur po vetëflijohen për lirinë e votës. Por, pikërisht në emër të kësaj lirie, ata po kërkojnë t’ia shkatërrojnë Shqipërísë të gjitha lirítë!
Por populli sheh qartë përtej fjalëve të tyre të bukura. Sepse, më e fuqishme se patetizmi i fjalimeve të çdo biri të Bllokut, qëndron vepra e përditshme e mazhorancës. Dhe populli di ta dallojë sot shapin nga sheqeri! Ndaj thotë për socialistët sharlatanë se, kushedi sa kapital politik do të kishin fituar, sikur të kishin shkelur sadopak mbi interesat e tyre meskine, apo t’i qenë larguar mentalitetit të marrjes së pushtetit me dhunë! Mos vallë për këtë të fundit ata nuk munden? Nuk munden, ngaqë nuk i përkasin vetes? apo ngaqë janë peng i krimit dhe mafies komuniste?...
është një fat i madh për Shqipërínë, që ka mundur të nxjerrë mësime të mëdha nga vuajtjet e saj nën diktaturën komuniste ! Ndërsa, për mercenarët e privilegjuar me sheshe ndërtimi, apo për militantët e blerë me lekë në dorë; për gjithë ata që bllokojnë sot trafikun, ka për t’ua parë vetë PS-ja “haírin”. Ata shpejt kanë për t’u shndërruar në një “shpatë Demokleu” për “oratorët”, që po shtiren se gjoja mbrojnë sot me zjarr votën e lirë. Ndërkohë që shqiptarët po shohin se si bijtë e Bllokmenëve po përpiqen t’i mbyllin rrugët aspiratës së popullit për t’u bërë anëtar i familjes së madhe të Demokracisë Perëndimore!...
Të gjithë e panë fundin fatal të tiranisë komuniste, që u zhvillua nën flamurin e lirisë për të gjithë. Klithmat komuniste “Botën e ré do të ndërtojmë !” dhe “Hakmarrje riní!” buçasin ende në veshët e çdo shqiptari. Ato britma histeríke të kujtojnë kërcënimin e një izolimi të ri, që nuk ka për të ndodhur, sa kohë që populli po e kthen kokën pas të kujtojë si u mashtrua nga “Bijtë e Stalinit”, të cilët e mjeruan me dekada duke i premtuar lugën e florínjtë !
Ndërsa gjithë socialistët e ndershëm kanë për të gjetur shpejt brenda vetes aq forca sa të detyrojnë sharlatanët e tyre të korruptuar, bijtë e ish-Byrosë Politike, t’i përulen vullnetit të sovranit, të cilit etërit e tyre i vodhën, jo vetëm votën, por edhe jetën për dekada të tëra në diktaturë !...
Jo më kot Napoleon Bonaparti ka thënë: “Vota që të jep populli, është komandë!”. Toleranca dhe thirrjet e shumicës për transparencë, janë pjesë e misionit të saj, ngarkuar prej votës legjitime të Sovranit!...