Epoka dixhitale prodhon shefa Big Brother
Punëdhënësit anembanë Europës kanë lexuar emailat privatë të punonjësve dhe bisedimet në chat duke përdorë ilegalisht programe kompjuterikë survejimi; në Rumani punonjësit mëtojnë se shefat i kanë përdorë informacionet private për t’i shantazhuar dhe persekutuar.
Nga: Dollores Beneziç, Bukuresht, Beograd, Berlin dhe Londër
Shumica e punëtorëve rumunë hyjnë në kompjuterat e tyre çdo mëngjes pa e ditur faktin se shefat e tyre jo vetëm monitorojnë cilat faqe vizitojnë, por edhe se sa kohë kalojnë duke punuar apo duke lundruar në internet.
Më e keqja është se askush nuk e kupton se punëdhënësi i tij, me programet e duhura, mund të interceptojë emailet private të dërguara nga llogaritë personale si Gmail apo Yahoo!.
Punonjësit duhet ta dinë se përmbajtja e emailave të tyre mund të lexohet,thotë L.F., drejtues në firmën Netsec Interactive Solutions, kompani konnsultative IT për sigurinë me qendër në Bukuresht, që kërkoi të mos i publikohej emri.
Fatkeqësisht, megjithëse të dizajnuar fillimisht për tu përdorë në mënyrë konstruktive, veglat e monitorimit IT po përdoren nga disa punëdhënës për qëllime personale dhe jo profesionale. Po flasim për shantazh, deri edhe persekutim.
Netsec llogarit që 40 përqind e kompanive multinacionale dhe të mëdha që veprojnë në Rumani përdorin programe të specializuara për të interceptuar dhe gjurmuar rregullisht gjithë rrjedhën e informacionit, përfshi atë çka mund të shkruajë një punonjës i tyre në një email apo që mund të shkarkojë në USB.
Survejimi i fshehtë i punonjësve, ndaluar nga ligjet e Bashkimit Europian, ka qenë tepër kundërthënës edhe në shtetet e tjera europiane, veçanërisht në Gjermani, ku disa kompani janë detyruar të paguajnë gjoba me miliona euro dhe ligjbërësit po debatojnë mbi një legjislacion të ri mbi privacinë në vendin e punës.
Në Rumani, shumë veta aludojnë që shefat jo vetëm mbledhin informacion për ta me mjete të paligjshme e të fshehta, por mandej i përdorin edhe kundër tyre.
Shantazhuar nga shefi
Asnjë punonjës rumun nuk dëshiroi të fliste hapur me BIRN-in lidhur me përvojat e tyre të monitorimit të paligjshëm në vendin e punës, duke pasë frikë që po të flisnin do të rrezikonin vendin e punës dhe do të shenjoheshin si problematikë.
Një grua mëton se u detyrua të jepte dorëheqjen pasi shefi i pa emailet e saj private që ia kishte nisë një shoqeje dhe në të cilat kritikonte menaxherin e linjës së vet.
Pasi u thirr në zyrën e shefit, iu treguan printime të emaileve private dhe iu tha se do të ishte më mirë që të largohej. Ajo pranoi një pagesë të vogël mbasi punëdhënësi e kërcënoi se do të bënte që ajo të mos gjente punë në asnjë vend tjetër.
Një tjetër, burrë i martuar, pretendon se u shantazhua nga shefja pasi ajo zbuloi se ai kishte lidhje jashtëmartesore me një kolege. Menaxherja e zbuloi këtë pasi kishte aksesuar bisedimet mes të dyve në mesenxherin e Yahoo!-së që ishin regjistruar nga programi kompjuterik i survejimit.
Ai mëton se shefja e detyroi të kryente detyra që nuk donte me kërcënimin se do t’i tregonte të shoqes që nuk i kishte qenë besnik. Kur ai refuzoi dhe u largua nga posti, shefja i telefonoi të shoqes dhe i tregoi për lidhjen.
Të dy këta thanë se punëdhënësit nuk i kanë informuar asnjëherë se komunikimet e tyre, si ato private ashtu edhe ata zyrtare, do t’i nënshtroheshin survejimit.
Ndërkohë që është e ligjshme për punëdhënësit të monitorojnë forcën e tyre të punës, ata janë të detyruar nga ligji i Bashkimit Europian dhe ai kombëtar t’i informojnë punëtorët për këtë. Nga ana tjetër, punonjësit duhet të pajtohen zyrtarisht me survejimin. Në praktikë, kjo ndodh rrallë.
Zyrtarisht, asnjë kompani e vetme në Rumani nuk e survejon forcën e vet të punës. Punëdhënësit gjithashtu janë të detyruar nga ligji të informojnë Agjencinë Rumune të Mbrojtjes së të Dhënave (ANSPDCP) nëse e monitorojnë stafin, por askush nuk është regjistruar aty deri më sot.
Shitja e programeve lulëzon
Kjo duket se nuk përputhet me përllogaritjet e shitjeve të programeve të survejimit në Rumani, ku kompanitë IT thonë se ky biznes po lulëzon.
Tregu i programeve të survejimit përllogaritet në vlerën 1 milion euro në Rumani vetëm në vitin 2010 sipas Amplusnet, një prodhues tjetër programesh, që thekson se është një biznes që po zhvillohet me shpejtësi.
Kushtetuta rumune thotë që krejt letërkëmbimi është konfidencial por nuk bën dallim mes komunikimeve private apo zyrtare që lidhen me punën.
Alina Savoiu, kreu i komunikimeve në ANSPDCP, thotë: Eshtë dhunim i letërkëmbimit, që përbën veprim kriminal. Të gjitha kompanitë që janë përfshirë në praktika të tilla janë duke shkelur ligjin.
Programet prodhuar nga kompanitë si Netsec gjurmojnë çdo veprimtari në kompjuterat e punonjësve, jo thjesht letërkëmbimin, privat apo tjetër.
Shefi mund të shohë saktësisht cilën faqe viziton, çfarë përmbajtjeje shikon, dhe krahason sa kohë kalon duke lundruar në internet me kohën që kalon duke përdorë Excel-in, Word-in apo programe të tjera zyre.
Gjykatësit që përfaqësojnë punëdhënësit shtjellojnë që ata kanë nevojë të sigurohen që punonjësit e tyre i shfrytëzojnë si duhet orët e punës dhe nuk angazhohen në veprimtari jo-produktive apo të paligjshme, si për shembull faqet pornografike apo shkarkimi i përmbajtjes së paligjshme.
Punonjësit gej iu kërkua të largohej
Por, siç thotë L.F. Nga Netsec, shefat mund t’i përdorin veglat e zhvilluara për monitorim të ligjshëm për të marrë informacione që mund t’i abuzojnë pastaj. Edhe faqet që vizitojnë punonjësit mund të tregojnë apo të sugjerojnë se mund të kenë probleme personale, si për shembull probleme shëndeti apo jetë të ndërlikuara private.
Mihai Russu është një avokat nga Bukureshti që ka përfaqësuar kompanitë e përfshira në mosmarrveshje me punonjësit lidhur me privacinë. Kohët e fundit ai ka përfaqësuar një kompani mjekësore që ka monitoruar fshehtas punëtorët e vet dhe duke e bërë këtë ka zbuluar se një nga drejtuesit, që ishte i martuar, kishte vizituar faqe interneti për takime homoseksualësh. Këtij drejtuesi iu kërkua të largohej nga puna.
Ai në fillim refuzoi, duke mëtuar se kërkesa ishte diskriminuese. Në fund, u dorëzua ngaqë frikësohej se familja do të zbulonte se ishte gej.
Russu këmbëngul se orientimi seksual ishte irelevant dhe atij iu kërkua të largohej sepse nuk po punonte tetë orë në punë.
Megjithatë, Russu e pranon se kompania e ka shkelur ligjin ngaqë i ka monitoruar fshehtësisht punëtorët e vet.
Savoiu thotë se ANSPDCP nuk ka marrë ndonjë ankesë lidhur me survejimi e fshehtë, por ngulmon që do ta hetonin nëse do të sekuestronin paisje, përfshi kompjutera, nëse do të gjykohej e nevojshme.
Gjithsesi, ajo pranon se kanë të punësuar vetëm një ekspert të kualifikuar IT që mund të gjurmojë programet e monitorimit.
Shefat zotërojnë provat
Provimi se i je nënshtruar survejimit të paligjshëm në vendin e punës nuk është detyrë e lehtë, sepse shefat zot