E Shtunë, 31 Tetor 2026

Importi i plehrave, çpo ndodh në Rumani, ose ajo që do të pësojë nesër Shqipëria

Share

Kjo është një fotografi nga fshati Glina në Rumani ku përfundojnë plehra – apo mbetje :) – nga Italia

Përbindëshi është zgjuar përsëri. Kanë filluar përsëri rënkimet e Ochiul Boului (Syrit të Demit), vendgrumbullimit më të frikshëm të plehrave në Rumani. Rënkon qëkur Napoli u gjet i mbuluar për të disatën herë nga plehrat. Në Glinë (fshati ku gjendet ky vend-grumbullim afër kryeqytetit të Rumanisë, Bukuresht) ekziston frika e kthimit të rrezikut italian, ose ajo që njihet ndryshe si fluksi i kontenierëve me plehra, drejtuar nga Kamorra.

Kanë frikë se përtej deklaratave të qeverisë Berluskoni që premton, heqjen dhe zhdukjen e malit të plehrave duke e shpërndarë në rajone të tjera, do të filloj trafiku i anijeve fantazmë të tejmbushura me plehra. Kjo, sepse paratë e vëna në lojë janë të shumta. Nuk është hera e parë që kargot e plehrave italiane shkarkohen këtu dhe dihet edhe se pas këtij operacioni ligjor fshihet dora e mafias. Toka tashmë është kalbur dhe prishur. Liqeni dikur i Glinës, tashmë është zhdukur. Uji i zonës ka marrë ngjyrë kafe të errët.

Historia e fshatit Glinë

Plehrat e Bukureshtit, shtresë pas shtrese formuan një kodër në jug-lindje të kryeqytetit duke mbuluar pothuajse plotësisht fshatin e vogël. Ka njerëz që marrin frymë duke thithur atë erë të keqe që nga 1976, kohë në të cilën ish-lideri komunist Nicolae Ceausescu vendosi që në këtë vend të hidheshin mbeturinat e Bukureshtit. Ashtu si Glina, janë edhe një mori vend-mbledhjesh të tjera të shpërndara. Drejtimin e tyre, paçka që në fasadë janë rumunët, e kanë italianët.

Fenomeni i fundit, i cili ka alarmuar Interpolin, është lulëzimi i një morie kompanish që merren pikërisht me plehrat. Projekti filloi para tre vjetësh, kur biznesi drejtohej nga ortakë të don Vito Ciancimino (dënuar me 13 vjet burg për bashkëpunim mafioz), që morën me firmën e qeverisë rumune fushën e Glinës, krematorin në Ploiesti dhe një sërë vendgrumbullimesh të mëdha në Mures dhe Baicoi. Ecorec që drejton biznesin në Glina, u fitua nga grupi Valente. Dy vjet më parë, ata vendosën që të luanin ndeshjen e tyre të parë për plehrat duke zbatuar një plan modern për transformimin e Ochiul Boului duke mbyllur kontratat me një pjesë të madhe të vendeve të Unionit Europian: plehrat e tyre, drejt Rumanisë. Shumë prej korporatave tentakula të Vëllezërve Pileri, që drejtonin grupin me në krye Gianni Lapis e Romano Tronci, operojnë akoma në Bukuresht në sektorin e plehrave, në fushën e pasurive të patundshme dhe në biznesin e modës.

Kontenierët e plehrave vijnë nëpërmjet detit, dhe kalojnë lehtësisht kufirin nga porti i Kostancës (Costanza). Ka raste që vijnë edhe nga Odessa dhe Illichivsk në Ukrainë. Gjatë muajve të nxehtë janë shtuar kontrollet në kufij dhe gazetat rumune flasin për caracativa, (oktapodi italian), rrjeti i shoqërive që ndajnë llomkat e plehrave. Është e lehtë ta luash këtë lojë, këtu ku mafia dhe kamorra kanë kohë që janë stabilizuar.

Mjafton të mendosh që në 5 vitet e fundit janë arrestuar të paktën dhjetë super të arratisur italianë të gjetur në këtë zonë: që nga Francesco Schiavone, kushëriri i Sandokan, kamorristi Mariano Pascale i kapur në Dubraveni, Ignazio Nicodemo etj., etj.

Ndërkohë janë trefishuar kompanitë italiane që marrin pjesë në garën për plehrat dhe që prezantohen në Romenvirotec, panairi më i madh që zhvillohet për këtë biznes.

Nëse në jug të vendit mbizotëron mafia kineze, rusët janë organizuar në kufi me Moldavinë për të drejtuar trafiqet e mbeturinave toksike nëpërmjet Republikave ish sovjetike. Më të fortët në këtë fushë janë dhe mbeten italianët. Ata kontrollojnë veri-perëndimin, zonën e Bukureshtit dhe deri poshtë në Detin e Zi. Për ata, mbeturinat nuk bëjnë pis, ato pastrojnë. Mbeturinat pastrojnë para, dhe thithin fonde publike. Bashkimi Evropian është dorëlëshuar për sa i përket financimeve për modernizimin e sistemit të mbeturinave dhe kjo i mbush llogaritë monetare të kriminelëve.

Si rrjedhojë, emergjenca Napoli, për disa, është një pulë që bën vezë të arta. Paguan qeveria, paguan Brukseli, paguajnë të gjithë. Firmosen kontrata me korporata italiane, dhe plehrat ecin në rrugët e Kamorrës, të përziera me plehra që në Itali është e pamundur ti zhdukësh. Nuk është fanta-shkencë, ky është rregulli: Plehrat janë tashmë një biznes që sjell fitime më shumë se sa droga. Kriminaliteti ka bërë një kapërcim cilësor duke u hedhur në të ashtuquajturat sipërmarrje ekologjike.

***

Është e qartë që strategjia bazë e riciklimit të plehrave shikon drejt Lindjes. Mjafton të bësh vetëm një kalim të shtunave në Bambo. Është një nga diskotekat më të mëdha të Europës Lindore, parajsë e ndërtuar nga muzika, vajza të bukura dhe meshkuj biznesmenë. Pronarët janë dy italianë që kanë ndërtuar një perandori të vogël në kryeqytetin rumun: Xhiosu e Çiro Kastelano, nipërit e Pupeta Mareskas, mikja e njohur e bosit Umberto Amaturo, gruaja e parë mes Kamorrës. Një tavolinë në zonën VIP ta japin vetëm ata personalisht dhe pastaj paguan edhe 1000 euro për të pirë vodkë komerciale. Jashtë vijnë rrotull Ferrari, Audi, BMË të reja fringo. Në Bukuresht, seksi dhe biznesi janë shumë të përziera. Në atë pistë vallëzojnë jo vetëm njerëz, por edhe miliarda, që nga Italia kalojnë transit në Ballkan. Një inxhinier lombardez vitin e kaluar ishte bërë pjesë e lojës duke dashur të behej pjesë e xhiros së shkarkimeve. Dhe rezultati i vetëm që arriti ishte vajtja në spital me kocka të thyera. Shoqëritë pas të cilave fshihet krimi i organizuar, marrin nga shteti (komunat) autorizimin për shkarkimet e plehrave, tregon ai për LEspresso. Është parashikuar zgjerimi i biznesit tashmë.

****

Pak javë më parë policia rizbarkoi në Glina. Ndaloi disa kamionë. Brenda? Ajo që pritej. Transportonin sasi substancash ilegale. Pak më në jug arrestuan një shofer më një ngarkesë mërkuri. Këta janë arsyeja që plehrat e Napolit për popullin rumun mbeten një ankth që rikthehet. Pikërisht për këto mbeturina presidenti Traian Besesku vendosi një JO të prerë në 2007. Po të shkosh sot në Glina ose në rrethina të tjera e të flasësh italisht rrezikon jetën. Para disa muajsh të rinjtë e zonës i përzunë të gjithë nga shkarkimet. Me ta është edhe Alin, një i ri që ka punuar në Napoli në kantierin e pafund të metropolitans. E njëjta gjë ndodh nëse shkon në jug, drejt Kostancës, ku një mori shkarkimesh abuzive e kanë trazuar zonën. Banorët rrahën edhe një gazetar, reporter i huaj. E konfirmon policia rumune dhe zyrat diplomatike. Këto të fundit këshillojnë të mbrosh veten. Nga kush? Nga këta të dëshpëruar apo nga ekomafia ballkanike?

_________________

Ky artikull i shkruar nga

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›