Liri Berisha vesh gratë diplomate me kostume popullore
Identitet dhe traditë. Nën këtë moto, Liri Berisha, bashkëshortja e Kryeministrit të Shqipërisë, ftoi gratë e diplomatëve, por edhe zonjat diplomate të akredituara në Shqipëri, për të promovuar traditën e vendit tonë. Ky aktivitet u organizua me qëllim promovimin e klubit diplomatik Mirësevini në Tiranë, një iniciativë kjo e bashkëshortes së ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Ana Maria Volfarth, krijuar në fillim të muajit tetor. Aktivitetet e kësaj dite u ndoqën me shumë interes nga ambasadorët dhe bashkëshortet e tyre. Gjithashtu, të pranishme ishin: kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gra nga politika dhe shoqëria civile, si dhe mbështetëse të Klubit Diplomatik. Qëllimi i Klubit Diplomatik është që këto aktivitete si ky i sotmi, të jenë të shumta në numër dhe në pjesëmarrje, ti shërbejnë njohjes së historisë, kulturës, traditës së vendit tonë. Do të ishte një kënaqësi e madhe për ne, kur të mbaroni misionin tuaj të nderuara zonja, të dini çtë tregoni për Shqipërinë, të keni mall për vendet e bukura dhe historinë tonë, u shpreh Liri Berisha. Kjo dite e veçantë nisi me një vizitë në Pallatin Mbretëror, ku zonjat u njohën më nga afër me historinë e shtetit shqiptar, me familjen mbretërore si dhe me historinë e kësaj periudhe. Një prezantim shumë mbresëlënës për zonjat ishte njohja me larminë e kostumeve popullore të trevave të ndryshme të Shqipërisë, shoqëruar nën tingujt e muzikës tradicionale shqiptare. E veçanta e këtij aktiviteti, që ia shtoi dhe më tepër larminë, ishte veshja në këtë eveniment me nga një element apo veshje nga kostumet tona kombëtare. Më pas, aktivitetet e kësaj dite vazhduan me një drekë me gatime tërësisht tradicionale nga krahina të ndryshme të vendit, në një nga restorantet e kryeqytetit. Dreka u shoqërua me muzikë popullore, interpretuar me shumë dashuri nga këngëtarë të muzikës sonë popullore. Një atmosferë shumë e ngrohtë dhe miqësore shoqëroi të gjithë evenimentin, ku zonjat e ftuara vlerësuan jashtëzakonisht këtë organizim dhe shprehën kënaqësinë dhe interesin e tyre të veçantë në njohjen e historisë, traditës dhe kulturës shqiptare, e cila është shumë e pasur dhe nga më të vjetrat në Europë.