Epoka merr Certifikatën Ndërkombëtare për Menaxhimin e Cilësisë
Tiranë, 3 Prill NOA - Duke pasur parasysh se Procesi i Bolonjës në vetvete dhe inkuadrimi i Shqipërisë në të, është një ndër sfidat më të mëdha më të cilat po përballet sistemi arsimor universitar në rajon, Universiteti Epoka si dhe ekspertët e ardhur nga Universiteti i Sakarya-s në Turqi, një ndër universitet model për sa i përket implementimit të standardeve të Bolonjës, organizuan Konferencën e Parë Ndërkombëtare me temë Cilësia dhe Akreditimi në Arsimin e Lartë.
Gjatë punimeve të Konferencës, Rektorit i Universitetit Epoka, Prof. Dr. Hasan Kaplan u shpalosi të pranishmëve Certifikatën Ndërkombëtare për Menaxhimin e Cilësisë ISO 9001 të lëshuar nga Forumi Ndërkombëtar i Akreditimit.
Prof. Kaplan shprehu kënaqësinë që është Universiteti Epoka që pajiset i pari në vendin tonë me këtë certifikatë. Paskëtaj, ai vlerësoi bashkëpunimin e Universitetit Epoka me Këshillin e Akreditimit dhe Universitetet publike në vend.
Tashmë të gjitha përpjekjet duhet të drejtohen drejt cilësisë. Kjo është strategjia jonë. Kemi mes nesh Kryetarin e Këshillit të Akreditimit dhe Rektorë të Universiteteve Publike. I falenderoj për mbështetjen dhe u siguroj bashkëpunim të mëtejshëm, deklaroi Kaplan në fjalën e tij.
Në Konferencë, e mori fjalën edhe Kryetari i Këshillit të Akreditimit dhe Këshilltari i Jashtëm i Kryeministrit për Arsimin Prof. Dr. Bardhyl Musaj.
Ai vlerësoi kontributin e Universitetit Epoka dhe Arsimit të Lartë privat në rritjen e standardeve të cilësisë. Katërvjeçari i kaluar ishte i rëndësishëm për çeljen e dyerve të Universiteteve tona dhe pranimin e sa më shumë studentëve, ndërsa ky katër vjeçar duhet të synojë rritjen e cilësisë në Arsimin e Lartë, u shpreh Musaj.
Në Konferencë përcollën mendimet e tyre edhe Rektori i Universitetit Politeknik, Prof. Dr. Jorgaq Kaçani; si dhe Rektori i Universitetit Aleksandër Moisiu Prof. Dr. Agim Kukeli.
e.r/NOA