Konsultimet dështojnë, maturantët preferojnë kurset
Kurset private kanë lulëzuar për Maturën Shtetërore, ndërkohë që këtë vit nuk do të merren masa kundër tyre
Kur pesë vjet më parë, ministri i atëhershëm i Arsimit deklaroi se maturantët do të bëjnë konsultime në klasa për Maturën Shtetërore dhe kurset private do të gjobiten, medoemos nuk e kishte fjalën për situatën e sotshme. Kurse për Maturën Shtetërore reklamojnë institucione të ndryshme në shkollat e mesme të vendit tonë, ndonëse diçka e tillë ka qenë e ndaluar. Dy ditë më parë ne vizituam një prej shkollave të mesme në Tiranë, ku nxënësit u shprehën se me dhjetëra broshura reklamuese kanë mbirë në oborret e shkollave, duke u bërë thirrje nxënësve të rendin në këto kurse, për të marrë njohuri më të thelluara për lëndët e Maturës Shtetërore. Në shkollën Petro Nini Luarasi, nxënës të ndryshëm u shprehën se janë regjistruar në këto institucione, pasi mësuesit që jepnin lëndët në fjalë, konsideroheshin mjaft të mirë e për më shumë ishin edhe mësuesit në shkollat e tyre, çka do ti favorizonte në notat që do të merrnin në fund të vitit. Neve na kanë thënë edhe nga vitet e kaluara që konsultimet janë kot, kështu po mësojmë në kurse këto mësime që të dalim mirë te provimet e maturës. Nuk na ka thënë njeri që ndalohet, - tha për standard Erjola, një prej maturanteve të këtij viti, që vetëm të hënën e kaluar nisi kurs në matematikë, ku nuk ndihet e fortë. Gjoba deri në treqind mijë lekë ishte masa ndëshkimore për këto kurse deri në vitin e kaluar, por me sa duket, për këtë vit nuk ka një reagim institucional. Kurset për Maturën Shtetërore kanë qenë të ndaluara gjatë viteve të para të funksionimit të këtij institucioni, porse duket se ndalimi i tyre ishte i pakontrollueshëm për institucionet shtetërore, pasi, siç ishte bërë e ditur një vit më parë, asnjë gjobë nuk ishte lëvruar nga këto kurse. Në këtë mënyrë, me liberalizimin në heshtje të kurseve private për lëndët e maturës, duket se konsultimet në fund të shkollës nuk janë më primare për maturantët. Këto konsultime të organizuara nga mësuesit e lëndëve janë vetëm 21 orë në total për të katërta lëndët që ata duhet të japin provim e si pasojë kurset mbeten zgjidhja e vetme.