Prag-sezoni, Durrësi nis pastrimin e plazheve
Ndërmarrja e Pastrim-Gjelbërimit e Bashkisë Durrës nis aksionin e pastrimit të ranishtës në prag të sezonit turistik
Ndërmarrja e Pastrim-Gjelbërimit, e cila është nën administrimin e Bashkisë së Durrësit, ka nisur prej ditësh një aksion të gjerë që ka përfshirë plazhet nga sektori "Iliria" e deri në zonën e Bërryl-Currilave. Burimet zyrtare pranë saj saktësojnë se në më pak se një javë janë pastruar dhjetëra tonë mbeturina, mes tyre inerte dhe papastërti të tjera organike, të cilat ishin në dekompozim, duke krijuar një mjedis të ndotur për pushuesit. Veç kësaj, bashkia është angazhuar edhe në pastrimin e plazhit të Currilave nga shkurret dhe bimësia e dendur që ka mbirë në rërë. Në të vërtetë plazhi i Currilave mund të konsiderohet si i fundit i plazheve publike, pasi zona informale që i ngjan një getoje, ka larguar pushuesit tradicionalë. "Aksioni për pastrimin e plazheve do të zgjasë deri në fund të muajit gusht dhe do të jetë i përditshëm", - tha për standard kryetari i bashkisë, Vangjush Dako. Mësohet se punonjësit e ndërmarrjes shtetërore kanë ndërhyrë dhe në ato zona të marra në shfrytëzim nga subjekte private, në plazhet më të frekuentuara nga pushuesit. Mbërritja e mijëra pushuesve pas pak javësh, pas çeljes zyrtare të sezonit veror, do të krijojë edhe probleme me higjienën. Periudha nga muaji maj deri në javët e para të shtatorit numëron një numër të madh pushuesish, kryesisht sezonalë e më pak ditorë. Por ende pa u hapur zyrtarisht sezoni veror 2010, duket se privatët po synojnë sërish të zaptojnë plazhin. Plazhi i Durrësit zaptohet nga parcelat private gati çdo vit. Administrimi i lejeve të përkohshme të dhëna nga Bashkia e Durrësit lidhur me lejet e plazheve private ka qenë deri vjet jashtë kontrollit. Përgjatë vijës bregdetare nga Ura e Dajlanit e deri te sektori "Iliria", statistikat zyrtare të bashkisë deri vjet flisnin për afro 120 plazhe private, të cilat në të shumtën e rasteve i dyfishonin sipërfaqet e parcelave të fiksuara në kontratën tremujore.