Gjermania ndalon bashkimin familjar për ata që nuk dinë gjuhën
Gjykata gjermane vendos rregull të ri për emigrimin në Gjermani për të afërmit e emigrantëve
Pa gjermanishte nuk ka bashkim familjar. Këtë klauzolë në nenin 30 të ligjit gjerman për rezidencën (Aufenthaltsgesetz), që ka hyrë në fuqi në vitin 2007, e konfirmoi të martën edhe instanca më e lartë e gjyqësorit të administratës gjermane: "Gjykata Federale e Administratës e konsideron këtë rregull në përputhje me ligjin themeltar, sepse çdo njeri duhet të jetë në gjendje të mësojë bazat e gjermanishtes. Kjo cilësohet si një kërkesë e rëndësishme për integrim dhe është interes legjitim i Republikës Federale të Gjermanisë që t'u kërkojë njerëzve, të cilët vijnë këtu, që të dinë të orientohen në gjuhën e vendit", - sqaron për programin shqip të Deutsche Welle-s profesor Harald Doerig, gjykatës në Gjykatën Federale Administrative me seli në Lajpcig. Shkaku se përse vetëm 64 për qind e kandidatëve (nga Kosova vetëm 51, nga Maqedonia 33) arrijnë ta kalojnë provimin e gjuhës, që përmban gjithsej afro 600 fjalë në gjermanisht, ka të bëjë edhe me mospjesëmarrjen e tyre nëpër kurset e ofruara nga Instituti Goethe dhe partneret e tij. Por kritikuesit e këtij ligji vënë re se në shumë vende, ose nuk ka institut, ose kandidatët banojnë nëpër zona rurale, ku s'ka oferta për mësimin e gjuhës. Për lidhjen bashkëshortore provimi i gjuhës shndërrohet shpeshherë në një sprovë. Një sprovë e përballueshme, gjykon Doerig: "Martesa është një lidhje për një periudhë të gjatë dhe ajo duhet të jetë në gjendje të kalojë edhe sakrifica të tilla. Një dëshmi për këtë është marrëdhënia bashkëshortore e paditësve në Lajpcig: "Ata kishin dhjetë vjet që jetonin të ndarë nga njëri-tjetri. Burri kishte ardhur në vitin 1998 si azilkërkues, pastaj ishte martuar me një gjermane, ishte ndarë prej saj dhe vetëm tani, pas lindjes së fëmijës së pestë, shtroi kërkesën për bashkim familjar me mamanë e fëmijëve të tij në Turqi, - sqaron Doerig. - Por ne nuk kërkojmë një sakrificë kaq të gjatë, gjykatat gjermane mendojnë se deri në dy vjet ndarja është e përballueshme.