E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eposi i Kreshnikëve, kryevepër e UNESCO-s në rrezik

SHKRUAN: Aida Tuci 26-02-2011 11:00

Eposi legjendar i Kreshnikëve, i përbërë nga këngë të ndryshme epike, ku këngët kryesisht shoqërohen me lahutë, është një nga kryeveprat e trashëgimisë shpirtërore që është nominuar në rrezik nga Komiteti i Trashëgimisë Shpirtërore, që, sipas akademikut Vaso Tole, është organizmi më i lartë i trashëgimisë shpirtërore në Shqipëri. E mbi këtë “status” Komiteti ka ngritur dje grupin e punës që do të merret me plotësimin e dosjes së Eposit të Kreshnikëve, për ta nominuar si kryevepër në rrezik të UNESCO-s. Në një intervistë për MAPO-n kryetari i grupit të punës, Vaso Tole, shpjegon arsyet e kësaj nisme, për ta futur ashtu si Isopolifonia edhe Eposin e Kreshnikëve në listën e kryeveprave në mbrojte të UNESCO-s. Kjo është nisma e parë konkrete që ndërmerret jo vetëm për të nxitur dhe ruajtur këtë traditë, por edhe për të vendosur një balancë, siç shprehet akademiku Tole, për njohjen e trashëgimisë kulturore jashtë vendit, si të Shqipërisë së Jugut, që përfaqësohet nga Isopolifonia, ashtu edhe të Shqipërisë së Veriut, që në këtë rast përfaqësohet nga Eposi i Kreshnikëve.

Eposi i Kreshnikëve nën mbrojtje të UNESCO-s, një dëshirë që diskutohet së fundmi shumë shpesh në qarqet akademike. Çfarë po bën konkretisht Komiteti i Trashëgimisë Shpirtërore në këtë drejtim?

Pikërisht sot (dje) Komiteti i Trashëgimisë Shpirtërore, që është organi më i lartë i trashëgimisë shpirtërore në Shqipëri, vendosi që të ngrejë një grup pune, i cili do të merret me plotësimin e dosjes së Eposit të Kreshnikëve, për ta nominuar si kryevepër e UNESCO-s në rrezik. Ky status që është shumë i lartë, ku aktualisht është edhe Isopolifonia, i jepet dukurive shumë të rëndësishme që kanë si problem vijimësinë e përhapjes së tyre. Grupi i punës përbëhet nga akademikët Shaban Sinani, Zymer Neziri nga Kosova, profesor Gjovalin Shkurtaj, Drejtoria e Trashëgimisë në MTKRS, dhe Drejtoria e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike.

Është një iniciativë në bashkëpunim me Kosovën?

Eposi i Kreshnikëve është një dukuri shpirtërore mbarëkombëtare, që nuk e ndan dot kufiri politik. Prandaj, si punë kryesore grupit i del jo vetëm thjesht përgatitja e dosjes deri vitin tjetër, por që kësaj t’i paraprihet me një fushatë të karakterit popullarizues të ruajtjes së kësaj dukurie, që do të thotë se do të organizohen veprimtari që ta prezantojnë këtë nismë në publik, ku të organizohen festivale dhe aktivitete me lahutarë. Njëkohësisht, të organizohen edhe konferenca studimore dhe shkencore duke rifokusuar prioritetet e studimeve albanologjike në këtë pikë të dukurisë ku është Eposi i Kreshnikëve. Kjo vendos edhe një balancë, pas shpalljes edhe të listës së kryeveprave kombëtare, për njohjen e trashëgimisë kulturore jashtë vendit, duke patur parasysh se Shqipëria e Jugut përfaqësohet nga Isopolifonia, ndërkohë që Eposi i Kreshnikëve është dukuria më origjinale e muzikës popullore të Veriut. Prandaj termi konkret me të cilin do të regjistrohet dosja është: Monodija legjendare e kënduar dhe e shoqëruar me lahutë.

Ju jeni i pari që në një farë mënyre keni dhënë “alarmin” e zhdukjes së lahutarëve si pjesë e trashëgimisë shpirtërore…

Pikërisht për këtë arsye Eposi i Kreshnikëve nominohet si kryevepër në rrezik, prandaj ne synojmë që të nxisim sensibilitetin kombëtar dhe ndërkombëtar, në mënyrë që të ndërmerren masa dhe veprime që, duke e futur në këtë listë shumë të rëndësishme, për një periudhë 1-vjeçare gjendja të ndryshojë dhe të punohet me mjete të cilat synojnë studimin më të gjerë të kësaj dukurie, e mbi të gjitha edukimin e të rinjve përmes saj dhe sidomos përcjelljen nga një brez në tjetrin.

Dhe vënia nën mbrojtjen e UNESCO-s, do ta shpëtojë nga ky rrezik?

Në rast se punohet në këto nivele, është e mundur që gjendja të ndryshojë. Nëse kjo dukuri është në mbrojte të UNESCO-s, krijohen disa mundësi. E para: është një fond ndërkombëtar i cili quhet Fondi i Kryeveprave në Rrezik, gjë që bën të mundur që institucionet shqiptare dhe shoqatat të aplikojnë duke patur parasysh faktin se kjo dukuri është në rrezik. Së dyti: ky status rrit edhe vlerën që ka si dukuri shpirtërore Eposi i Kreshnikëve. Për të qenë më konkret me shembuj: në fushën akademike mund ta ngresh deri në mbrojte masterash, doktoratesh me këtë temë, mund ta bësh pjesë të pelikulave në shkollat e sistemit muzikore etj. etj., pra ndodhin shumë gjëra të këtij karakterit. Por më e rëndësishmja nga të gjitha është se tërhiqet vëmendja si një kryevepër e cila ka vlera unikale. Sepse statusi rrezik ka të bëjë me problemet në transmetim, por nuk ka të bëjë me probleme që lidhen me identitetin apo me vlerat e saj unikale që kjo dukuri ka.

Kur do të fillojë konkretisht nga puna grupi i punës?

Në fillim të marsit do të fillojë puna dhe gjëja e parë që do ndërmarrë ky grup do të jetë aprovimi i një aksion-plani për gjithë vitin 2011-2012, me hapa konkretë se çfarë do të bëhet në drejtim të plotësimit të dosjes, popullarizimit të kësaj dukurie dhe organizimin e aktiviteteve të karakterit shkencor dhe edukues.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›