Xhamia dhe Muzeu, 100 studio në garë për projektin
Plot 28 vende të ndryshme të botës kanë aplikuar për të fituar projektin e ndërtimit të
Xhamisë së re dhe Muzeut të Tiranës, ndërkohë që në garë janë përfshirë 100 studio të huaja. Bashkia e Tiranës bën të ditur se më 21 shkurt është mbyllur faza e parë e konkursit, e cila priti interesin për pjesëmarrje të studiove të ndryshme nga mbarë bota, si: Britania e Madhe, Portugalia, Spanja, Franca, Italia, Belgjika, Holanda, Gjermania, Danimarka, Republika Çeke, Rusia, Lituania, Ukraina, Austria, Sllovenia, Kroacia, Bosnja & Hercegovina, Kosova, Rumania, Bullgaria, Greqia, Turqia, Qipro, Japonia, Australia, Egjipti, Jordania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me mbylljen e fazës së parë të konkursit është mbledhur dje dhe sot Komisioni i Short-listimit, për të shqyrtuar 100 kërkesat për pjesëmarrje. Ky komision do të përfundojë punën e tij, me seleksionimin e 5 studiove që do të vlerësohen si më të përshtatshmet, për të vazhduar garën në fazën e dytë, për projekt-idenë e Xhamisë së Re dhe Muzeut të Tiranës e Bashkëjetesës Fetare. Rezultatet e punës së Komisionit të Short-listimit, pra lista me 5 konkurrentët që do të garojnë në fazën e dytë, do të shpallet ditën e sotme. Komisioni ka 9 anëtarë dhe ka në përbërjen e tij arkitektë ndërkombëtarë dhe vendës, përfaqësues të Bashkisë, përfaqësues të Komunitetit Musliman dhe përfaqësues të shoqërisë civile.