Nga Teherani në Tiranë
Pozita gjeografike e Iranit me një qytetërim të kahershëm rreth 10 mijë vjeçar i ka dhënë mundësinë këtij vendi që në botë të shikohet si një kryqëzim i qytetërimeve. Imazhet e shumta dhe të shumëllojshme që ky qytetërim i lashtë i ka paraqitur botës së qytetëruar si në art, arkitekturë, poezi, letërsi, mistikë dhe moral, shkencat bazë si edhe në sistemin juridik janë bërë shkas që kjo kulturë e pasur dhe me vlera të jetë në qendrën e vëmendjes botërore. Në panairin e artit Iranian, që do të organizohet duke filluar që nga 3 marsi në Tiranë, i titulluar “Nga Teherani në Tiranë”, do të paraqiten disa prej dimensioneve të artit iranian. Nga data 3-8 mars në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, në bashkëpunim me Fondacionin Kulturor Iranian “Saadi Shirazi”, do të ekspozohen veprat e tre artistëve bashkëkohorë: Said Moayyeri Zadeh, i cili do të sjellë teknika guash në karton, një pikturë tradicionale iraniane në miniaturë, që i ngjajnë një bote të vogël që me ngjyrat e çelura dhe të ngrohta të fton në një harmoni qetësuese; Ali Zaimi, që paraqitet me një perceptimin postmodernist të ilustrimit të artit grafik dhe të pikturës iraniane në një këndvështrim krejt të ndryshëm, por që në thelb pasqyron shpirtin e artit iranian-islamik; si dhe Einodin Sadaghzadeh, që janë një përpjekje e vazhdueshme dhe mësimi i kaligrafisë iraniane-islamike deri në gjetjen dhe mësimin e pikturës dhe arteve pamore, nga afrimiteti i grafikës në bukurshkrimin e Lindjes së Largët.