E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monolog te pragu i shtëpisë sime

Nga Veledin DURMISHI    
Kapërcimi i madh historik si dhe marrëzia kolektive e vitit 97, i dha krahë fobisë raciste e që ndoshta u deshën dhjetë vjet që ky racizëm të zbresë në kuotat më të ulëta të shfaqjes së vet. Dhe arsyet janë të shumta, por së pari është pasojë e një qëndrimi koherent e serioz, ku komunitetet shqiptare, gjatë gjithë këtyre viteve, kanë vërtetuar se ata zotërojnë reflekset e një qytetërimi të civilizuar dhe të tillë janë të parët që kanë hapur  rrugën drejt Evropës. Rituali që përsëritet tri herë në vit, aq herë sa shqiptarët emigrantë në Greqi bëjnë lëvizja masive drejt Atdheut, më bllokoi edhe mua te porta ku hyhet në Shqipëri. Orë të tëra në radhë. Shyqyr thashë me vete, do të kem kohë të monologojë. Sa të gjendet kodi i hapjes së kompjuterave të grekut. Grekut i paska humbur kodi, dëgjova dikë me tej. Unë kisha rreshtuar disa pyetje për kryeministrin grek, por miku ishte  larguar nga vendi ynë.Ja për atë pritje të gjatë, për ato radhë pafund e për atë kod të humbur por takimi me gazetarët u bë: unë do të flas e ti vetëm do të dëgjosh! Se janë ca gazetarë  të pacipë, ja kështu si unë që bëjnë ca pyetje pakripë e ashtu prishin imazhin e shkëlqyer të marrëdhënieve tona, ku emigrantët në Greqi e minoriteti në Shqipëri janë faktorë kur stadi aktual i marrëdhënieje më i mirë se kurrë.. E u puthëm vesh më vesh e mbuluam çduhej mbuluar me gjethe fiku. Të dy kryeministrat, shend e verë, bënë sprovë të përbashkët pa u menduar sa falsitet kishte në atë paraqitje. Vërtet marrëdhëniet shtetërore Shqipëri- Greqi janë në stinën e tyre më të mire, se rruga Athinë - Tiranë e kthim bëhet me avionë, por të ulesh në rrugë, ku është jeta, sigurisht që takimi do të merrte  tjetër karakter. U hodhën lule mbi tribuna, i dhanë vizitës kurorë bukurie e mirësjelljeje, por hallet e shqiptarëve emigrantë, për të cilët BE-ja paguan miliarda euro, skanë të mbaruar. Sorollatjet e tyre nëpër dyer zyrash e duar avokatësh veçse i rropën, i nëpërkëmbën e i përbuzën shqiptarët. Dhjetëra vendime qeverie, ligje parlamenti, qarkore ministrish jo vetëm i lodhën shqiptarët, por në më të shumtën e rasteve, nga mosnjohja e situatës, kundërshtojnë njëra-tjetrën. Një vërtetim i bardhë që më 2007 u quajt një shans i mirë për legalizimin e shqiptarëve të mbetur jashtë skemës së mëparshme, rreshtoi qindra  hallemëdhenj në dyert e pushtetit vendor të cilët paguan në CASH 150 euro, kundrejt një dokumenti, që për absurditet të qeverisë greke, nuk kishte kurrfarë vlere. Lekët nuk kthehen më, shqiptarët mbetën ku ishin. Kjo lëvizje u quajt lojë avokatësh, por që të humburit dihet cilët ishin. Ishin ata që ndërtuan Greqinë në këto 20 vitet e fundit, ata që me djersën e tyre pasuruan grekët, ata që provuan mbi shpinën e tyre edhe dhunën policore e në fytyrat e tyre kanë ndjerë të përplasen mëritë, cinizmin, urrejtjen, racizmin se ne, jo grekët, kemi lindur  për të mos u bërë kurrë  qytetarë si ata, se ne kemi lindur për të bërë keq, kemi lindur kriminelë e hajdutë  e të tillë do të vdesim. Por ne, me këtë gen të prapë, kemi trazuar çdo 25 mars opinionin grek. Dikush është skuqur në këtë opinion, dikush është zverdhur, dikush nxori shkumë. Nxënësit më të mirë i takon të mbajë flamurin kombëtar në festën kombëtare të Greqisë. Por nëse ky nxënës është shqiptar, nga ata me gen të prapë, kaq herë është trazuar Greqia. Po të ishte francez, anglez e ku ta di unë, ai nxënësi i mire,  nuk do të trazohej gjë. Por vjen në shqiptar, nga ata me një  mijë e një halle e gjunjëzon më mësim fëmijët e grekut që ka një mijë e një të mira. Absurditeti shkon më tej, kur dikush propozon që nxënësit shqiptarë të mos vlerësohen sa meritojnë.!!! Si, si u tha kjo?! Shqiptarët të paguhen më pak, të hanë më pak, të mbeten jashtë skemave që i bën ata të ligjshëm, rrugën drejt Evropës ta gjejnë të fundit E më në fund tu hahet edhe nota fëmijëve të tyre në shkolla. Është indinjuese, fyese, e turpshme. Shumë gjëra nuk dinë ti lexojnë mirë grekët! Më mirë pa gazetarë takimi. Kryeministri Greqisë erdhi, pa dhe iku, diçka mbuloi me gjethe fiku. Ai vizitoi edhe ambasadën e vet në Tiranë, por jo nga prapa, andej rrinë  hallexhinjtë e përjetshëm. Nuk duhej të prishej imazhi i vizitës. Se fshesa e policisë është gati këtej se andej nga shtëpia ime policët të ngjajnë si ca lypsa rrugësh që unë gjithnjë heq rripin e sigurisë në makinë për të justifikuar dhënien e ndonjë bakshishi të vogël. Sbën burri për 2000 lekë! Se andej kufirit d.m.th. këtej në Shqipëri) emigrantët kanë mbajtur me bukë për 20 vjet rresht familjet e tyre, por ne nuk vëmë re një zverdhje të dashurisë së tyre ndaj atdheut. Përse mungojnë ato nota dashurie që çdo i larguar i ka pjesë të jetës së vet? Politika e Tiranës zyrtare e jozyrtare ska asgjë të re që të bëjë fjalë  për mbështetjen e duhur që kërkon kjo pjesë e atdheut, kjo pjesë që ka pritur më tepër atë antishqiptarizëm që fatkeqësisht është ndier te fqinji ynë jugor më tepër se gjetkë. Askush nuk kujtohet për ta edhe pse ata rrinë orë të tëra në radhë për të hyrë në shtëpinë e vet. Në këto raste ministri i Jashtëm ka fjalët ju lutem, me gjithë konsideratat e larta, nëse mundeni atë kodin e humbur etj. Kujdes rruga drejt Evropës shkon nga Athina! Nëpër zyrat tona zyrtarët tanë fërkojnë duart poshtë tavolinës kur hallexhiu është emigrant. Të jetë aq i pacipë ai .për 2 lekë Shpërfillja qeverisëse i ka braktisur ata në hallin e vet dhe emigrantët tërësisht të zhgënjyer janë indiferentë në kulm ndaj gjithçkaje që ndodh në Shqipëri. Ata ndihen jetim, udhëhumbur edhe pse përbëjnë një pasuri të madhe të cilën shteti ynë duhet ta thithë. Paprekshmëria e Shqipërisë nga kriza, shifrat më të cilat qeveria shqiptare paraqit sukseset e saj  politike, janë aq inkurajuese sa  të bëjnë të lësh emigrimin e të kthehesh në Shqipëri. Shqipëria që në shifra është gjithnjë e më pranë Evropës, nuk po i tundon dot bijtë saj e kapitale e tyre, largimi i të cilave (sipas financave të Greqisë) do të trondiste bankat greke. Qeveria jonë do të kërkonte me ngulm  që këto  kapitale të jenë aktive në Shqipëri, por më parë ajo tu ngjallë shpresën e humbur; të largojë korrupsionin që i tremb e i mban ata tej kufirit, të ketë një qeverisje serioze që të premtojë më pak e më pak të gënjejë. Dhe është një kontigjent, që për hir të së vërtetës, duhet thënë se është qeliza më e civilizuar e shoqërisë, pjesa që tashmë ka marrë certifikatën e qytetërimit e statusin e hyrjes në Evropë, por që ne i lëmë jashtë. Emigrantët, pra, që jashtë ndihen të huaj e të përbuzur e brenda jetimë e të shpërfillur. Ata janë gjithnjë jashtë proceseve shoqërore që ndodhin në Shqipëri, qoftë edhe ndaj procesit zgjedhor, edhe pse kohë më parë një përfaqësi e tyre u prit nga majat e shtetit tonë. Por gjithçka, si në një takim kortezie, u mbulua me një gjethe fiku. Dhe pesha e krizës që ka rënduar më shumë emigrantët, i ka bërë ata më të mbyllur, më skeptikë. Papunësia, mungesa e sigurimit shpesh herë i bën ata që të mbledhin plaçkat, por një lajm i keq nga atdheu i tyre i mban ata edhe ca kohë aty, me shpresën e ndonjë lajmi të ri ogurbardhë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›