E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eranda Libohova me klip të ri

Këngëtarja e njohur Eranda Libohova duket se nuk po gjen rehat në këto ditë të nxehta vere, pasi jo vetëm nuk po bën pushime, por është e mbytur në punë. Përveç koncerteve të shumta që organizohen këto kohë nëpër qytetet bregdetare ku ajo është e ftuar, Eranda po punon edhe për një videoklip të ri, i cili pritet të publikohet së shpejti. Vetë këngëtarja ka preferuar që ta mbajë në fshehtësi të plotë çdo detaj që ka lidhje me këtë hit të ri, duke e lënë kështu surprizë performancën dhe mënyrën sesi ajo do të vijë këtë herë përpara publikut. Eranda në fakt nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndonjë bashkëpunimi muzikor me të motrën, Irmën, që do të sjellë një këngë vërtet profesionale dhe të arrirë.

Adelina dhe Jehona lavdërojnë njëra-tjetrën

Dy këngëtaret e njohura kosovare, Adelina Ismaili dhe Jehona Sopi, kanë dëshmuar qartë se janë shoqe të ngushta, pikërisht gjatë emisionit të verës që transmetohet në KTV. Adelina nga njëra anë e ka lavdëruar Jehonën se është një këngëtare e plotësuar dhe me një stil të veçantë e krejt ndryshe nga koleget e tjera, ndërsa Jehona ka thënë se Adelina tashmë është një këngëtare e pjekur. Lavdërimet që ato të dyja i kanë adresuar njëra-tjetrës, shkuan edhe më tej, kur Adelina ka lavdëruar videoklipin e fundit të Jehonës me titull “Marramendje”, duke thënë se ai është njëri nga klipet që asaj i ka pëlqyer më së shumti deri më tani.

Tuna i rikthehet dashurisë së parë

Këngëtarja nga Maqedonia, Altuna Sejdiu, duket se nuk është rehatuar aspak më të dashurit e saj kohëve të fundit. Pas ndarjes nga Ledri Vula, ajo kishte gjetur kënaqësinë pranë një të dashuri tjetër, në një kohë kur fotot e të dyve u publikuan në site të ndryshme në internet. Mirëpo mësohet se këngëtarja i ishte rikthyer sërish dashurisë së parë, duke argumentuar se ndarja e tyre erdhi për shkak të disa mosmarrëveshjeve që kanë pasur me njëri-tjetrin. Jeta private e Tunës ka bërë që ajo të jetë paksa e tërhequr nga jeta artistike. Kështu, ende nuk dihet nëse ajo do të publikojë ndonjë këngë të re apo videoklip, gjë e zakonshme kjo që ndodh me kolegët e saj gjatë muajve të verës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›