Fundjavë nën qiell të hapur

KAPSHTICË - Rreth 20 mijë emigrantë të ardhur nga Greqia hynë në Shqipëri vetëm gjatë fundjavës së kaluar. Radhët në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë në pikat e kalimit kufitar të Kapshticës dhe Kakavijës u bënë sërish kilometrike dhe emigrantët kaluan natën e së shtunës, duke u gdhirë e diela, në pritje për të hyrë në atdhe. Peshën më të madhe e mbajti pika e kalimit kufitar të Kakavijës, ku u regjistruan rreth 12 mijë hyrje emigrantësh përgjatë fundjavës së fundit. Për t’u përmendur vlen edhe fakti, se emigrantët kanë filluar që të dëgjojnë këshillat e ekspertëve të Policisë kufitare dhe Doganave, që të kalojnë edhe nga pika kufitare e Qafë-Botës, ku u desh të shtoheshin sportelet për të përballuar fluksin e kalimeve.
Në Kapshticë
Ka kapur një numër rekord hyrja e udhëtarëve shqiptarë që vijnë për pushime në atdheun e tyre gjatë kësaj fundjave. Mbi 6 mijë emigrantë janë regjistruar në pikën kufitare në juglindje të vendit. Por nga ana tjetër, emigrantët kanë kaluar dhe orë të tëra në kufirin grek, në pritje për të kryer procedurat e tyre ndërkufitare të kalimit nga njëra pikë në tjetrën. Gjatë mesnatës të së dielës, radha në anën greke ka kaluar dy kilometrat, ndërsa fluksi i emigrantëve nuk ka rënë aspak edhe gjatë orëve të së dielës, ku dyndja e tyre ka qenë e madhe. Sipas komandantit të pikës kufitare të Kapshticës, Shaban Dervishi, në një prononcim për gazetën, tha se gjatë kësaj fundjave fluksi i hyrjeve në Shqipëri të emigrantëve ka arritur pikun e tij më të lartë. Madje nuk janë shmangur dot as radhët në kryesisht anën greke, teksa në tokën shqiptare për shkak se janë vënë në dispozicion 6 sportele vetëm për hyrjet në Shqipëri, pritja e udhëtarëve ka qenë e pakët. Vetëm në javën e fundit nëpërmjet kësaj pike kalimi kanë hyrë më shumë se 40 mijë emigrantë shqiptarë, ndërsa në dy javët e para të këtij muaji priten të hyjnë mbi 100 mijë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në vendin fqinj, Greqi.
Në Kakavijë
Orët e para të ditës së diel kanë shënuar sërish një fluks të lartë të hyrjes së emigrantëve shqiptarë në doganën e Kakavijës. Sipas shifrave të publikuara nga policia lokale, vetëm gjatë orëve të para të mëngjesit kanë lënë pas tokën greke me destinacion Shqipërinë rreth 6 mijë emigrantë dhe 1500 automjete. Hyrjet e larta të emigrantëve ditën e diel e kanë çuar në rreth 12 mijë numrin e bashkatdhetarëve tanë, të cilët gjatë fundjavës nëpërmjet doganës së Kakavijës kanë udhëtuar në drejtim të vendlindjes për të kaluar pushimet verore. Ndërkohë, të dyja doganat e Kakavijës shqiptare dhe greke vazhdojnë të mbajnë hapur një numër më të lartë sportelesh krahasuar me ditët e fundit të korrikut. Ndërkohë, rruga kombëtare Kakavijë-Gjirokastër-Tepelenë vazhdon të jetë nën vëzhgimin e vazhdueshëm të patrullave të Policisë Rrugore, me qëllim shmangien e aksidenteve të mundshme rrugore, si shkak i fluksit të rënduar të lëvizjes së automjeteve të emigrantëve, të cilët kthehen në vendlindje për pushimet verore.
Mbingarkohet edhe Qafë-Bota
SARANDË - Me fillimin e sezonit të pushimeve, shumë emigrantë kanë preferuar pikën e kalimit kufitar të Qafë-Botës për të hyrë në Shqipëri. Dje në mëngjes, në Mavromat, pika e kalimit kufitar në pjesën greke të kufirit, kishte në radhë rreth 150 makina të vogla, të cilat po kryenin pa pengesa përpunimin doganor dhe kontrollin kufitar. Me gjithë masat e marra dhe sportelet e shtuar nga 2 në 4, përsëri të ardhurit për pushime kanë hasur në radhë dhe në mbingarkesë e mbipopullim në këtë pikë hyrëse. Edhe pika greke e kalimit kufitar është përgjigjur me shtim sportelesh, për t’iu ardhur në ndihmë dhe për të mos krijuar konfuzion në qarkullimin e emigrantëve. Mbingarkesa në Qafë-Botë ka ardhur edhe për shkak se shumë të punësuar në brendësi të Greqisë dhe në Itali zgjedhin portin e Gumenicës si të preferuar për të udhëtuar drejt Shqipërisë.
Vjen anija antike
Edhe pika kufitare e portit detar në Sarandë ka qenë me ngarkesa mbi normalen, por nuk ka pasur bllokime apo vështirësi në hyrje e dalje. Sipas komandantit të kësaj pike, Selman Shabani, deri më tani nuk ka pasur asnjë problem dhe çdo gjë ka vijuar normalisht. “Nuk kemi pasur asnjë bllokim e vonesë. Për shkak të masave të marra për shtimin e sporteleve dhe gatishmërisë së personelit, koha e përpunimit të një pasagjeri shkon deri në 5 minuta vonesë. E veçanta e ditës së diel që ngjalli edhe kuriozitetin e pushuesve dhe banorëve, ka qenë hyrja në port e një anijeje të stilit antik, të vënë në lëvizje me rrema, me rreth 50 rremtarë dhe kapitenin që drejtonte lundrimin. Kjo anije u prit në port nga një grup kuriozësh dhe autoritet vendore. Anija me rrema është nisur nga porti i Korfuzit për të demonstruar këtë lloj lundrimi antik, i cili zgjoi interesimin e turistëve dhe banorëve që shikonin për herë të parë anije të këtij lloji.