E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erdhi ora e zhvillimit për Greqinë?

Pa lenë gërshërët mënjanë, vetëm me masat e fundit të programit të dytë ekonomik pagat në sektorin privat shkurtohen deri 40%, qeveria greke papritur filloi të nisë si prioritet të axhendës së saj zhvillimin e ekonomisë.

Jo se tani “zbuloi” Amerikën, kur dhe nga qytetari më i thjeshtë grek dëgjon se shpëtimi i vendit nuk mund të vijë veçse nga zhvillimi dhe jo nga shkurtimet. Por tani, siç tha kryeministri Lukas Papadhimos, erdhi ora. “Ka ardhur ora që rrethi vicioz i recesionit, i defiçiteve financiare dhe masave, të zëvendësohet me një cikël të virtytshëm reformash, shëndoshjes financiare dhe zhvillimit,” deklaroi Papadhimos duke shpallur njëkohësisht një paketë masash për shfrytëzimin e fondeve komunitare për sigurimin e likuiditetit të bizneseve dhe hapjen e vendeve të reja të punës, përfundimin e veprave të akseve të mëdha rrugore, rikapitalizimin e bankave, nxjerrjen e hidrokarbureve por edhe strukturimin e një sistemi fiskal të drejtë dhe efektiv.

Rrugë e vështirë, pasi vendi kërcënohet me një spirale të dytë recesioni

Opinioni ndërkohë mbetet skeptik, kur edhe të dhënat më të fundit të Eurostat-it thonë se për shkak të masave shtrënguese dhe zhvillimit inekzistent recesioni i ekonomisë për vitin 2011 ishte 7%. Pa dashur të pajtohet plotësisht me një qëndrim të tillë, analistja e njohur e çështjeve ekonomike Dhimitra Kadha, thekson në mikrofonin e DW se cikli i zhvillimit është i mirëpritur, por aspak i lehtë. “Rruga do të jetë e vështirë. Pas memorandumit të dytë, pas programit të dytë përshtatës, masat financiare që janë marrë dhe do të merren janë të shumta dhe vendi detyrimisht hyn në një spirale të dytë recesioni”.

15 miliardë euro të disponueshme “flenë” në arkat komunitare

E vetmja mënyrë që kjo fazë e dhimbshme të kapërcehet shpejt është shfrytëzimi i fondeve komunitare, rreth 15 miliardë euro, që aktualisht “flenë” në arkat komunitare. Por akordimi i këtyre fondeve të disponueshme, që mund tu vijnë në ndihmë biznesmenëve të vegjël dhe të mesëm, të papunëve, bizneseve ndërtuese kur veprat e insfraktukturës kanë ngecur në vend, has në burokracinë e aparatit të paralizuar shtetëror që do një vit e gjysmë për të aktivizuar një program. “Në qoftë se ky bast fitohet, në qoftë se këto fonde do të hidhen në treg, 1.5 miliardë euro bile deri në fund të marsit pasi programet janë aprovuar, atëherë Greqia mund të ketë shpresë, shpresë për investime dhe krijimin e vendeve të punës” thotë Kadha. Vetëm kur këto para do të mund të thithen do të mundet edhe Evropa të flasë sërish për një “plan Marshall”, për më shumë para për ekonominë e rrënuar greke.

Zhvillimi nuk është vetëm çështje fondesh

Por zhvillimi, apo rivënia në efiçensë e ekonomisë siç do të thoshte edhe favoriti i zgjedhjeve të parakohshme, kreu konservator Samaras, nuk është vetëm çështje fondesh. Është një problem shumë më kompleks dhe në radhë të parë instrumentash zhvillimi dhe rritje të kompetivitetit, rreth të cilave pala gjermane nëpërmjet nënkancelarit Resler nuk i kurseu kritikat, që arritën deri në keqkuptim, në adresë të ministrit grek të Zhvillimit Hrisohoidis.

“Rivënia në efiçensë e ekonomisë është një problem kompleks. Flasim për reforma strukturore, që do të thotë hapje tregjesh që janë vonuar tej mase pasi këtu e dy vjet nuk është bërë asgjë. Do të thotë hapje profesionesh për të cilat gjithashtu nuk është bërë gjë. Do të thotë luftë kundër shtrenjtësisë, por edhe për këtë nuk është bërë gjë. Synohet rritje e kompetivitetit vetëm me shkurtim masash. Vendi është në vitin e pestë të recesionit, me recesion të akumuluar 20%, dhe paaftësi për vendosje rregullash kompetiviteti të shendoshë në treg” thotë Kadha dhe thekson se “pa u shënuar kthesa nuk kemi për të parë investitor të huaj në vend”.

“Greqia arriti të ulë avionin e falimentimit në pistë të sigurtë”

Me një bëmë moderne, analoge të atyre të Herkulit mitologjik, e krahason kthesën e aspiruar profesori i ekonomisë në Universitetin e Athinës Panajotis Petraqis, i cili nis bisedën e tij me DW me një konstatim optimist. “Në radhë të parë arritëm të ulim avionin e falimentimit të Greqisë në një terren të përgatitur shumë mirë” thotë Petraqis për “qethjen” e borxhit me rreth 100 miliardë euro por edhe “paketën e re që e mban në jetë vendin jo vetëm deri në vitin 2014 por edhe më tej”. “Falimentimin e pakontrolluar duhet ta përjashtojmë përfundimisht” thotë Petraqis, i cili le të hapur një propabilitet të ulët falimentimi por që në modelin e tij ekonomik e zëvendëson me një “rimëkëmbje akute”.

Ndryshimi kërkon një kulturë të re mendimi dhe biznesi

Në optikën e tij vend themelor zë ndryshimi i modelit të biznesit, që sipas tij do të marrë rreth 10 vjet dhe do të kryhet jo aq me fondet nga jashtë se sa nga resurset e brendshme. “Mund të përdorim një pjesë të të ardhurave të privatizimeve për rritjen e kërkesës në treg” thotë profesori duke e vlerësuar si “imperativ luftimin e recesionit dhe ndryshimin e modelit prodhues që ka humbur tre deri pesë vjet”. Por kjo kërkon një kulturë të re mendimi dhe biznesi. “Po të mbajmë parasysh edhe zhvillimet në realitetin evropian duhet të fillojmë të mendojmë pak ndryshe” thotë profesori dhe flet për vepra me rëndësi jo thjesht kombëtare, siç janë akset rrugore, por edhe biznese vetëm për eksport dhe pa taksa për 5 vjet.

Pa injoruar risqet profesori grek sheh te kriza një shans për unifikimin e mëtejshëm të Evropës. “Ajo çka duket e pabesueshme në kushte të tjera, mund të jetë absolutisht e arsyeshme dhe e besueshme si produkt i krizës” përfundoi profesori grek për të thënë se, bashkë me shpëtimin e Greqisë, është edhe “ora e forcimit institucional të Evropës”./Dw-Start/

                                                                                             2012-03-10 09:10
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›