E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erdogan – Peres, debat në Davos për luftën në Gaza

Autori i Lajmit: red.
Debati që solli ngritjen e tonit të zërit nga Presidenti i Izraelit, Shimon Peres, si dhe braktisja e sesionit nga kryeministri Rexhep Taip Erdogan, të cilit nuk iu njoh e drejta e fjalës, bëri që në panelin e Gazës në Davos, tensionimi të arrinte kulmin. "Peresi nuk po flet me një prijës klani, ai duhet të mësojë si duhet t i drejtohet Kryeministrit të Republikës së Turqisë", - tha Kryeministri turk. Erdogan është tensionuar kur Peres tha se Izraeli ishte i përkushtuar për paqe, ndërsa e kishte akuzuar Hamasin për situatën në Gazë, ndaj së cilës izraelitët ndërmorën një ofensivë ushtarake trijavore në fillim të këtij muaji. Por Peresi i telefonoi Erdoganit dhe i kërkoi të falur. Sipas informacioneve të marra, Peresi, pasi ka theksuar se ndihet mjaft i dëshpëruar për ngjarjet, tha se miqtë herë pas here mund edhe të debatojnë mes tyre. Mësohet që në bisedën telefonike Peresi të ketë thënë: "Para së gjithash unë kam respektuar gjithmonë Republikën e Turqisë, dhe ju si Kryeministër. E shoh veten si mik të Turqisë dhe kryeministrit Erdogan. Respekti dhe konsiderata ime për ju si Kryeministër ka qenë gjithmonë". Kryeministri Erdogan, pasi braktisi sallën ku zhvillohej sesioni me temë Gazën, u takua me Kryetarin e Forumit, Klaus Shvab, me të cilin organizuan një konferencë për shtyp. Shvab, duke vënë në dukje se është mjaft i indinjuar që paneli përfundoi në këtë mënyrë, tha: "Falënderoj pafundësisht kryeministrin Erdogan për rolin që ka luajtur ai për paqe në Lindjen e Mesme. Në sesion, fjalimet e raundit të parë zgjatën shumë dhe z. Erdogan pasqyroi një reagim kuptimplotë". Ndërsa kryeministri Erdogan deklaroi se reagimi i tij ishte ndaj drejtuesit të sesionit, nga i cili pritej një qëndrim objektiv. Në përgjigje të pyetjes së një gazetari të BBC-së, ndërkohë që largohej nga konferenca për shtyp, Erdogani tha: "Peresi nuk po flet me një prijës klani, ai duhet të mësojë si duhet t i drejtohet Kryeministrit të Republikës së Turqisë". Ndërkohë që përjetoheshin të gjitha këto, Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Amr Musa, i cili bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së merrnin pjesë në këtë sesion, mbështetën plotësisht Kryeministrin turk, Erdogan. Musa u shpreh në këtë mënyrë: "Z. Erdogan ka të drejtë që të braktisë sesionin dhe mua më duket kuptimplotë. Kryeminstri Erdogan tha ç kishte për të thënë dhe doli. Kjo është gjithçka dhe ai kishte të drejtë". Me të mbërritur në Turqi, Kryeministri u prit nga dhjetëra mbështetës, të cilët teksa e duartrokisnin, valëvisnin dhe flamuj palesinezë.
Ky lajm është publikuar: 31/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›