E Diel, 1 Nëntor 2026

Erdogan fiton zgjedhjet parlamentare në Turqi, por nuk bën dot dy të tretat

12-06-2011 / Gazeta 55

“Një fitore jo e kompletuar”, kështu mund të etiketohet fitorja e kryeministrit të sapo riafirmuar, Rexhep Tajip Erdogan. Në bazë të rezultateve preliminare të votimeve të djeshme, partia e tij AKP, ka fituar qartazi zgjedhjet, megjithatë ai nuk ka mundur dot të sigurojë shumica e nevojshme prej dy të tretash, shumicë kjo e cila do ta lejonte Erdoganit që të ndryshonte kushtetutën pa referendum


Rezultate preliminare në Turqi tregojnë se AKP, partia e kryeministrit Erdogan, ka fituar 337 vende në parlament. Por kësaj partie i mungon shumica e nevojshme e dy të tretave. Ajo mund të ketë 337 nga 550 mandate parlamentare gjithsej në parlamentin e Turqisë, duke qenë kësisoj nën kuotën e dy të tretave me 367 mandate. Erdogan me një shumicë të tillë do të kishte arritur ta ndryshonte kushtetutën pa qenë nevoja për referendum. Në zgjedhjet e vitit 2007 AKP-ja, që qeveriste qysh nga 2002 fitoi me vetëm 46,6 % të votave. Si një vend ku demokracia bashkëjeton me islamin, dhe si një vend që ka statusin kandidat për Bashkimin Europian, Turqia është kthyer në një “impiant” të madh të zhvillimit ekonomik, por edhe në një lojtar me ndikim në skenën global. Gjatë zhvillimi të procesit të votimit, nuk ka pasur raporte për probleme qe mund të komprometonin procesin, madje as në rajonin e pa nënshtruar kurd. Kandidatët e 15 partive politike dhe 200 kandidatë të pavarur garuan për një vend në parlamentin me 550 ulëse të Turqisë. Partia turke për Drejtësi dhe Zhvillim, shpresonte që të fitonte 330 vende. Nga popullata prej 73 milionë banorëve, mbi 50 milionë banorë të Turqisë, e kanë pasur të drejtën që të votojnë në 200 mijë qendrat e votimit. Presidenti Abdullah Gyl votoi në Ankara së bashku me Zonja e Parë, Hajrynisa Gyl, dhe djalin e tyre që votoi për herë të parë, Mehmet Emre. “Çdo gjë mbeti në sheshet e fushatave elektorale, besoj se partitë së bashku do të hyjnë brenda një bashkëpunimi drejt të ardhmes së shtetasve turq”, u shpreh Presidenti Gyl. Në deklaratën që bëri pasi hodhi votën Erdogan tha se, “Ne folëm në sheshe, tani është radha që të flasë populli. Populli duke vënë në shesh vullnetin kombëtar do të vendosë udhëheqësit për 4 vitet e ardhshme. Ky do të jetë një vendim që ne do ta respektojmë. Procesi i votimit vazhdon shumë mirë. Uroj që votat të bëhen një okazion për të mirën e vendit tonë”. Gjatë fushatës ai ka premtuar rritjen e mëtejme ekonomike dhe një rol më të fuqishëm të Turqisë në botë. Në pllakatet parazgjedhore bëhej fjalë edhe për 100 vjetorin e lindjes së Republikës së Turqisë, në vitin 2023. “Turqia është e gatshme, qëllimi është 2023-i”. Kur shikon këto pankarta, fiton përshtypjen se Erdogani ka për qëllim të mbetet në pushtet deri më 2023. Por tani fjala është për katër vitet e ardhshme. Disa prej mbështetësve të dikurshëm ndërkombëtarë të Erdoganit janë distancuar prej tij. Revista britanike “The Economist”, për shembull, u sugjeronte më parë zgjedhësve që të votojnë për Erdoganin. Ndërsa tani u ka sugjeruar të votojnë për partinë opozitare, CHP. Muajt e kaluar Turqia ka ngritur shpesh aktakuza dhe ka frikësuar gazetarët. Vëzhguesit thonë se proceset janë nën kontrollin e qeverisë. Kritikohet edhe angazhimi jo i duhur i partisë AKP për integrim në BE si dhe mungesa e një zgjidhje të problemit me kurdët. Kurse Kryetari i Partisë Republikane Popullore CHP, Kemal Këllëçdarollu (Kemal Kılıçdaroglu) hodhi votën në Ankara së bashku me bashkëshorten Selvi dhe djalin Kerem. Kryetari i CHP-së në deklaratën që bëri tha: “Sot është dita e vendimit të popullit, do ta respektojmë atë. Shpresojmë që përpjekjet tona për demokraci dhe liri të shkojnë në vendin e duhur”.


Një kushtetutë e re

AK, një parti shoqërore konservatore, gjatë mandatit të dytë kishte 331 vende prej 550 në parlament. Partia e Erdoganit do të merrte më shumë se një shumicë prej dy të tretave, ajo do të ishte në gjendje për të ndryshuar kushtetutën pa përdorur një plebishit. Për t’u futur në parlament partitë duhet të fitojnë 10 për qind të votave. Kjo kuotë është futur në vitin 1980, me qëllim që të pamundësohet futja në parlament e partive kurde. Analistët kishin parashikuar qe partia e djathtë MH nuk do ta kalonte pragun zgjedhor, kështu që do ta bënte më të lehtë për Erdoganit të plotësonte numrin prej 2 të tretësh, por rezultati zgjedhor tregoi se kjo parti e ka kaluar pragun zgjedhor, 10%. Reformimi i Kushtetutës është një prej kushteve që duhet plotësuar në rrugën për integrim në BE. Erdogani tha se është i interesuar për një “kushtetutë që do të respektonte të drejtat elementare dhe vlerat, një kushtetutë me të cilën njerëzit do të identifikoheshin”. Por deri tani nuk dihen detajet e reformës kushtetuese. Kritikët kanë shprehur shqetësimin e tyre se AKP-ja ka për qëllim të forcojë edhe më shumë pushtetin e vet. Sipas tyre, Erdogani do të vendosej në maje të këtij pushteti, për një kohë më të gjatë. Disa kritikë të tjerë thonë se zoti Erdogan ka abuzuar me pushtetin dhe ai po e largon vendin nga karakteri laik drejt një sistemi qeverisës më islamik. Kandidati i opozitës Oguz Kaan Salici i Partisë Republikane Popullore thotë se qeveria është bërë më jo-tolerante ndaj kritikave. Vëzhguesit thonë se ai edhe tani ka tepër pushtet. Pra për Erdoganin, një fitore që ia vlen të festohet është një fitore prej dy të tretash  Rezultati i votimit të së dielës do të ketë pasoja edhe jashtë Turqisë, një anëtare e NATO-s dhe aleat i SHBA-se e cila ka krijuar lidhje të forta me fqinjët e tjerë myslimanë. Analistët kanë paralajmëruar se qeveria e re do të përballet me sfida të mprehta ekonomike. Deficiti i llogarisë rrjedhëse është në rritje papunësia e të rinjve është e lartë në një vend ku mosha mesatare është 28. Turqia ka një sipërfaqe prej 810.000 kilometra katrorë dhe është dyfish më e madhe se Gjermania. Por vetëm 24.000 kilometra katrorë janë në territorin e Evropës. Pjesa tjetër është në Azi. Prej 73 milionë banorëve, gati 99 % janë myslimanë, por vetëm 70 % janë me përkatësi kombëtare turke. Të paktën 20 % e popullatës janë kurdë. Të tjerët janë arabë, çerkezë dhe gjeorgjianë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›