Manjani: Vendimi i 3 qershorit, i ka dhënë fund betejës zgjedhore për Tiranën

Juristi Ylli Manjani thotë se presionet e Ramës ndaj Kolegjit janë përpjekja e fundit e një humbësi, i cili ka rënë në opozitë. Sipas tij, Kolegji Zgjedhor legjitimoi në 3 qershor vendimin 709 të KQZ-së, duke vlerësuar të vlefshme votat e hedhura në kutinë e gabuar. Nga ana ligjore, thotë Manjani, nga këtu merr fund çdo betejë tjetër ligjore dhe se rezultati zgjedhor për Tiranën mund të cilësohet përfundimtar
Vendimi i 3 qershorit i Kolegjit Zgjedhor për vlerësimin si Kushtetues të numërimit të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara duket se i ka dhënë fund betejës zgjedhore për kryeqytetin. I këtij mendimi është juristi Ylli Manjani i cili pa dashur të paragjykojë ecurinë e shqyrtimit të kërkesës së re të Partisë Socialiste, e cilëson presionin e kreut të selisë rozë Edi Rama ndaj trupit gjykues si përpjekja e fundit e një humbësi që tashmë për herë të parë i duhet të dalë në opozitë. “Ai po përpiqet të bëjë përpjekjen e fundit, por përsëri është qesharak sepse ai nuk ka takat sepse ai është humbës, sepse qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë e kanë dënuar me votë. Deklarime të tilla të hapura janë deklarime të ngjashme me ato talebane’ dhe nëse vërtet do merren ndonjëherë seriozisht ky lloj talebanizmi duhej ndëshkuar. Që nga ardhja e tij nga emigracioni në vitin 1998 dhe deri në këtë ditë zotëria e tij ka qenë në pushtet, kështu që ai nuk ka shijuar asnjë ditë të jetës politike të qenurit në opozitë. Kështu që, është çasti që duhet të dalë në opozitë për herë të parë”- u shpreh Manjani. Ai deklaroi më tej në argumentin e tij ligjor se, teksa i referohet edhe animimit të ri të Partisë Socialiste. Sipas tij, selia rozë ka humbur çdo betejë ligjore duke nisur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të mbërritur në kërkesë paditë e shqyrtuara në Kolegj. Kjo disfatë juridike sipas z.Manjani sërish është e diktuar nga politika e mbrapshtë e kryesocialistit Rama në raport me orientimin e tij drejt leximit të votës së qytetarit. “Ata kanë qenë konfuzë në qëndrimet e tyre juridike; nuk kanë dashur që të digjeshin afatet ligjore për ankimimet dhe e dyta, kanë dashur që ta bëjnë këtë ankim të shitej sa më bukur publikisht. Kjo është një lojë e vjetër e z.Rama. Mesa duket ka fituar një rrugë e mesme e cila s’e çoi asgjëkundi. Pra, edhe presioni i Ramës për të prishur zgjedhjet në imazh dhe nga ana tjetër edhe presioni i juristëve për të respektuar institucionet i çuan në një konfuzion që nuk arritën të fitojnë asgjë. Rreshtimi i gabuar drejt numërimit të votës së qytetarëve mund të them se u ka dhënë dorën përfundimtare juridike por edhe demokratike. Lenia në fuqi e vendimit të 709-ës për numërimin e votave të gabuara besoj se e ka mbyllur çështjen e kërkesë padisë”- thotë Manjani. Bazuar në këtë logjikë juridike z.Manjani thotë se nisur nga ky konfuzion sa ligjor aq dhe politik të z.Rama, në 8 maj e majta kaloi në opozitë. Sipas tij, konsumimi i z.Rama për 3 mandat në krye të bashkisë dhe mos ndërtimi i politikave mbi bazën e koalicioneve të qëndrueshme shënuan kapitullimin politik të kreut të selisë rozë dhe daljen e tij në opozitë. “Konsumimi i gjatë i z.Rama në krye të bashkisë së Tiranës vjen në mënyrë të natyrshme pas 3 mandateve, shto këtu edhe faktin që në mandatin e 3-të dhe të fundit z.Rama e kishte lënë pas dore bashkinë. Z.Rama, në krye të Partisë Socialiste nuk arriti të bëjë aleancat e duhura që të sjellë e tij apo të Partisë Socialiste në bashkinë e Tiranës apo në të gjithë Shqipërinë dhe ky kapitullim është një fenomen që do të ndodhë në mënyrë të natyrshme për shkak të drejtimit të gabuar që i ka bërë z.Rama PS-së, i cili e ka çuar atë në përçarje, në nxitjen e konflikteve të brendshme, në nxitjen e klimës së ndëshkimit të demokracisë së brendshme në Partinë Socialiste, pra të gjitha këto çuan në atë rezultat, që do të thosha katastrofë për socialistët”- deklaroi më tej juristi Ylli Manjani.