E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori Borchardt: “Skandalet dhe varfëria ul besueshmërinë e qytetarëve”

18/12/2008  Forumi “Për demokraci dhe etikë” organizoi tryezën për dialogun deputet-zgjedhës

Ambasadori gjerman Bernd Borchardt tha dje gjatë tryezës së organizuar nga forumi “Për demokraci dhe etikë” me temë “Dialogu politik dhe përmirësimi i mekanizmave të komunikimit deputet-zgjedhës” se apatia qytetare në Shqipëri ka përmasa në rritje, ndaj duhen gjetur format për ta bërë qytetarin të ndihet pjesëmarrës në politikë. Ai renditi arsyet që sipas tij kanë çuar në rritjen e kësaj apatie. “Varfëria, pritshmëria që ka nga politika, një shoqëri postdiktatoriale, mbytja e debatit politik me diskutime për korrupsionin, i cili ul nivelin e kredibilitetit politik, fokusimi i debatit te reformat thjeshta politike dhe skandalet që shpërthejnë herë pas here dhe që ndikoje në uljen e besueshmërisë te qytetaret, si dhe izolimi nga debati politik i reformave që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve”, - përmendi ambasadori gjerman. Në këtë tryezë, e cila është pjesë e projektit të financuar nga qeveria gjermane, ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga të gjitha partitë politike, si Blendi Klosi dhe Marko Bello nga PS-ja, Tritan Shehu dhe Lajla Pernaska nga PD-ja si dhe Dritan Prifti nga LSI-ja dhe Petro Koci nga PS91. Drejtori Ekzekutiv i FDE-së Arian Galdini gjatë hapjes se këtij debati tha se pjesëmarrja e qytetarëve në politikë është shumë e rëndësishme dhe ky projekt është shumë i rëndësishëm në zbutjen e apatisë qytetare. Ai u shpreh se demokracia është një negocim i vazhdueshëm social dhe në këtë aspekt qytetarët duhet të ndihen të konsultuar vazhdimisht nga ana e aktorëve politikë. Përfaqësuesit e partive politike e fokusuan debatin kryesisht te Kodi Zgjedhor. Dy deputetët e PS-së, Blendi Klosi dhe Marko Bello, u shprehen se ky sistem është më i përshtatshmi për momentin, duke rreshtuar edhe avantazhet e tij. “Ky sistem zgjedhor shmang vëmendjen nga personi te oferta dhe idetë politike”, - tha Klsoi. Ndërsa për deputetin Bello sistemi i ri i jep funksionin real deputetit. Përfaqësuesi i LSI-se Dritan Prifti, duke përmënuar ndryshimet kushtetuese, tha se fill pas këtyre ndryshimeve vendi ka bërë hapa prapa në raport me temën e diskutimit. “Sistemi i ri zgjedhor e shkëput qytetarin nga deputeti, duke e bërë deputetin të varërur nga lideri i partisë dhe jo nga qytetarët që e votojnë”, - tha ai. Avantazhet e sistemit zgjedhor u përmendën edhe nga dy deputetët e PD-së, Lajla Pernaska dhe Tritan Shehu.

Mesazhi i ambasadorit

Uithers: Të gjithë të barabartë para ligjit

Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri Xhon Uithers gjatë pjesëmarrjes në dekorimin nga Presidenti i Republikës Bamir Topi të juristes amerikane Melisa Shrajbman, i drejtoi një mesazh qeverisë dhe institucioneve të tjera shqiptare mbi funksionimin e shtetit të së drejtës. “Shteti i së drejtës nënkupton faktin se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, se të gjithë duhet të dëgjohen dhe të gjykohen para ligjit në mënyrë të barabartë. As fuqia, ose posti, as statusi shoqëror, as pasuria nuk duhet të influencojnë në barazinë e sistemit ligjor”, - tha ai. Shrajbman u dekorua me Medaljen e Mirënjohjes, në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje “për kontributin e vyer në përpjekje për ndërtimin e shtetit ligjor në Shqipëri, nëpërmjet ndihmës që ka dhënë në procesin e vështirë të reformimit të drejtësisë, veçanërisht në reformën legjislative dhe atë në sistemin penal të drejtësisë’. Pas ceremonisë kreu i shtetit shqiptar zhvilloi një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, me të cilin ndau pikëpamje të njëjta rreth reformave të domosdoshme integruese dhe përpjekjeve për konsolidimin e shtetit të së drejtës, duke theksuar rëndësinë e reformës në drejtësi, në prokurori dhe asaj zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›