E Diel, 1 Nëntor 2026

Erion Veliaj: “Shqiptarët nuk janë injorantë që të mashtrohen nga kreu i qeverisë”



Drejtuesi i lëvizjes “G99”, Erion Veliaj, i quajti broçkulla sukseset e vetëshpallura të kryeministrit Berisha për bilancin 7-mujor të qeverisë së tij gjatë vitit 2008. Gjatë një konference për shtyp, Veliaj tha se shfaqja dhe fjalimi i Berishës ngjasonin me paroditë televizive të viteve të komunizmit, ku trumbetoheshin arritjet imagjinare, ndërkohë që njerëzit vuanin për bukën e gojës. “Sepse sot, pas mëse tre vitesh në qeverisje, Berisha mundohet të nxjerrë dhjamë nga pleshti, duke tentuar të trumbetojë si ‘ndryshime histerike’ ato pak zhvillime që nuk ka arritur t’i prishë me sukses”, - tha Veliaj. Drejtuesi i “G99”-s deklaroi se Berisha nuk mund t’i mashtrojë shqiptarët dhe nuk mund të sillet me ta sikur të ishin injorantë.
“Sot, pas 3 vjetësh në pushtet, Berisha duhet të kuptojë njëherë e mirë se nuk mund t’i trajtojë qytetarët e Shqipërisë si të ishin një turmë injorante dhe të fyejë inteligjencën e tyre duke vazhduar të premtojë se do të bëjë sivjet atë që nuk ka arritur të bëjë në tre vite qeverisje. Ky është viti kur kryeministri duhet t’u japë llogari taksapaguesve shqiptarë për ato që ka bërë deri tani dhe jo të premtojë një të nesërme që nuk vjen kurrë”, - tha Veliaj. Ai shtoi se kryeministri Berisha duhet t’u japë llogari shqiptarëve për mosmbajtjen e premtimeve të bujshme që u bëri në zgjedhjet e 3 korrikut 2005. “Berisha duhet të japë llogari për dështimet e qeverisë së tij në të gjitha pikat e premtuara me aq bujë në 2005-n. Për ujin dhe dritat 24 orë, për 6000 kilometrat rrugë, për uljen e korrupsionit, për rritjen ekonomike e përmirësimin e klimës së biznesit, për rritjen e rrogave e pensioneve në terma realë, për uljen e papunësisë etj., etj. Por fatkeqësisht gjatë kësaj vere kemi mësuar se gjatësia e shiritave që ka prerë kryeministri është më e madhe se e atyre pak kilometrave rrugë që janë ndërtuar. Por ndoshta është shumë të presësh një lidhje të fortë me realitetin nga Sali Berisha. Në fund të fundit kjo është mëse e kuptueshme sepse teksa shqiptarët varfërohen e vuajnë pa ujë e drita, familjet e kryeministrit dhe e të tijve po kalojnë kohën më të bukur e të begatë të jetës së tyre”, - tha Veliaj.

21 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›