E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Kryeministri Berisha, një bolshevik gënjeshtar dhe i korruptuar”

Kreu i selisë rozë: “Berisha, i implikuar në krimin shtetëror të Gërdecit”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka përgënjeshtruar të gjitha sukseset e shpallura nga kryeministri Berisha për periudhën 7-mujore të qeverisjes së tij për vitin 2008. Kreu i selisë rozë tha se Berisha u shfaq si bolshevik duke paraqitur suksese të shtirura, të cilat bien ndesh me raportet profesionale të organizatave ndërkombëtare. Rama tha se raportet konfirmojnë në Shqipëri rritjen e nivelit të korrupsionit dhe të varfërisë. Ai e cilësoi kryeministrin Berisha si gënjeshtar, të paaftë dhe të korruptuar, duke shtuar se është në të mirën e vendit largimi sa më i shpejtë i kryeministrit më të dështuar që ka pasur Shqipëria në këto 17 vite tranzicion.
Korrupsioni
Kryetari i Partisë Socialiste, duke iu referuar raportit më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, theksoi se korrupsioni në Shqipëri jo vetëm që nuk është luftuar nga qeveria “Berisha”, por edhe është mbështetur dhe inkurajuar prej saj. “Shifrat konfirmojnë, pa asnjë mëdyshje, se korrupsioni është jo vetëm njolla më e zezë e kësaj qeverisjeje, por se treguesi i korrupsionit për periudhën 2005-2007 është dy herë më i keq se ai i periudhës së mëparshme dhe tri herë më i keq se ai i vendeve të pranuara së fundi në Bashkimin Europian. Në treguesin e korrupsionit Shqipëria renditet në krye kokëposhtë, e zhytur edhe më thellë sesa Kazakistani, Azerbajxhani, Moldavia, Bjellorusia e të tjera vende thellësisht të korruptuara, të cilat më parë renditeshin zakonisht nën vendin tonë”, - tha Rama. Ai theksoi se korrupsioni në Shqipëri ka zënë rrënjë të thella dhe kjo vihet re qartësisht në përhapjen e tij në administratën shtetërore, në administrimin e fondeve publike, në shpërthimin vullkanik të korrupsionit të Gërdec, ku rezulton i implikuar edhe vetë kryeministri Berisha. “Por, shifrat e këtij raporti tregojnë se ky është vlerësimi më negativ që Shqipëria ka marrë qysh kur nuk mbahet mend dhe provojnë pakundërshtueshmërisht dështimin tronditës të kryeministrit Sali Berisha, i cili në 2005-n i mblodhi votat e shqiptarëve për të luftuar korrupsionin dhe do të dalë së shpejti nga zyra kryeministrore duke lënë pas një Shqipëri të zhytur më thellë në zullumin e qeverisë së saj”, - tha kryetari i PS-së, Edi Rama.
Gjendja ekonomike
Kryetari i Partisë Socialiste u ndal gjithashtu edhe në kapitullin që ka të bëjë me ritmet e rritjes ekonomike të raportit të FMN-së për Shqipërinë. Rama tha se si rezultat i paaftësisë së Berishës, ritmet e rritjes ekonomike në vend janë më të ulëta se në periudhën 1998-2004. “Raporti konfirmon përmes shifrave lehtësisht të krahasueshme se ritmet e rritjes ekonomike për periudhën 2005-2007, me të cilat mburret deri në qesharakëzim të plotë kryeministri Sali Berisha, janë në fakt më ulëta se ritmet e kësaj rritjeje në periudhën 1998-2004. E bardha në të zezë konfirmohet shqetësimi ynë për rrezikun e një uljeje të mëtejshme të rritjes ekonomike, që do të sillte edhe më shumë papunësi e varfëri në vitet në vazhdim”, - tha Rama. Kreu i selisë rozë deklaroi se Shqipëria është në duar të paafta dhe po humbet shumë kohë të çmuar në raport me zhvillimet ekonomike në Ballkan dhe në Europë.
Bujqësia
Duke vijuar me raportin e FMN-së për Shqipërinë, Rama tha se shifrat në këtë raport tregojnë të kundërtën e atyre çka Berisha trumbeton si suksese për rritjen e prodhimit vendas, sidomos për atë bujqësor. “Këto shifra tregojnë qartë se të gjitha deklaratat qeveritare e kryeministrore për rritjen e prodhimit vendas, sidomos atij bujqësor, dhe për uljen e importeve, janë vetëm vulgaritet propagandistik në përpjekjen për të mbuluar me gënjeshtra të bujshme plagë tepër të rënda, e sidomos plagën e fshatit shqiptar. Kryeministri e kukullat e tij në qeveri flasin për fshatin vetëm kur u duhet të përgënjeshtrojnë me deklarata banale të vërtetat e dhimbshme të fshatit shqiptar, të cilat prej një viti ne po i nxjerrim me mund e durim në dritën e vëmendjes së mediave, por koha e llafeve për fshatin ka ikur”, - vijoi Rama. Kryetari i selisë rozë përmendi gjithashtu dështimet e bujshme të qeverisë, që kanë të bëjnë me kufizimin e lirisë së biznesit, me problemet e thelluara në sektorin energjetik, me rritjen e shpenzimeve qeveritare dhe me shtimin e nivelit të varfërisë në vend.

21 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›