E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma, si do të emërohen këtë vit drejtorët dhe mësuesit e shkollave

MASH-i: Emërimet e reja do të bëhen sipas kualifikimit dhe përvojës në punë

Jonida Tashi

Duke filluar që nga ky vit shkollor do të ketë procedura dhe kritere të reja për emërimin e drejtorëve dhe mësuesve të shkollave bazë dhe të mesme në të gjithë vendin. Sipas Ministrisë së Arsimit, qëllimi i këtij reformimi është emërimi i drejtuesve të shkollave sipas kualifikimit të duhur dhe eksperiencës së tyre në punë. Ministria e Arsimit ka nisur reformimin e sistemit të formimit dhe zhvillimit profesional të të gjithë personelit shkollor, në veçanti të drejtuesve të shkollës, që është mëse i domosdoshëm për të realizuar autonominë e shkollës dhe përmirësimin e arritjeve të nxënësve. Deri tani për emërimin e drejtorëve vendimmarrja ka qenë ekskluziviteti i drejtorit të drejtorisë apo zyrës arsimore rajonale përkatëse. Një grup pune i ngritur në MASH ka hartuar disa propozime rreth procedurave të emërimit të drejtorit të shkollës, por edhe të punonjësve të tjerë arsimorë, si nëndrejtorit, mësuesit, personelit ndihmës në shkollë etj. Këto propozime po debatohen në personelin shkollor, me ekspertët e arsimit dhe grupet e interesit.
Drejtorët
Që një mësues të bëhet drejtor shkolle duhet të ketë të paktën kategorinë e dytë të kualifikimit të mësuesve (domethënë mbi 10 vjet eksperiencë në mësuesi). Gjithashtu ai duhet të ketë qenë nëndrejtor shkolle për të paktën një vit shkollor. Nëse i është nënshtruar provimit të kualifikimit, të jetë vlerësuar me më lart se “mjaft” (shkallët e tjera të vlerësimit janë “mirë” dhe “shumë mirë”).
Të ketë marrë dëshminë e drejtuesit të shkollës. Mandati i një drejtori shkolle pritet të jetë katër vjet. Kur drejtori mbush katër vite të plota të njëpasnjëshme shkollore, duhet të hapet konkurrimi për vendin e tij. Mandati i një drejtori mund të përsëritet pa kufizim. Bordi i arsimit ngrihet në nivel zone, që është nën juridiksionin e një DAR/ZA-je. Ky bord ka në përbërje përfaqësues nga DAR/ZA përkatëse, qeveria lokale përkatëse dhe kryetarin e bordit të shkollës përkatëse.
Mësuesit
Secili mësues i shkollës nënshkruan një kontratë njëvjeçare me drejtorin. Ky i fundit mund ta përtërijë kontratën me mësuesin, ose të shpallë kërkesën për mësues tjetër. Drejtori i shkollës e shpall kërkesën për mësues tjetër kur: mësuesi nuk ka diplomën që kërkon vendi i punës; bordi i shkollës propozon shpalljen e kërkesës për një mësues tjetër.
Drejtori shqyrton mundësinë për të shpallur kërkesën për mësues tjetër kur: mësuesi ka shkelur pika të kontratës; arritjet e nxënësve të mësuesit në vlerësimet e jashtme konsiderohen të ulëta. Drejtori e shpall këtë kërkesë vetëm pasi këshillohet me komisionin, i cili shqyrton respektimin e kontratës nga mësuesi. Aplikuesit për vendin e një mësuesi paraqesin pranë drejtorisë së shkollës paketën e aplikimit, që më pas shqyrtohet nga Komisioni i shqyrtimit të aplikimeve. Ky komision përbëhet nga: një nëndrejtor (kur shkolla ka nëndrejtor); kryetari i bordit, ose një nga anëtarët e bordit të shkollës i caktuar prej tij, i cili është prind; një specialist në DAR/ZA; kryetari i ekipit lëndor; një mësues. Komisioni përzgjedh dy aplikues dhe ia propozon drejtorit të shkollës. Drejtori emëron njërin prej dy kandidatëve. E njëjta procedurë ndiqet edhe për edukatorin e kopshtit publik.
Diploma
Për t’u bërë mësues i Arsimit të Mesëm të Ulët apo i Arsimit të Mesëm të Lartë, një studenti, përveç diplomës 3-vjeçare e nivelit të parë, do t’i duhet të kryejë edhe një “Master” të nivelit të parë 1-vjeçar (3+1). Masteri duhet të jetë i specifikuar për Arsimin e Mesëm të Ulët dhe Arsimin e Mesëm të Lartë. Për përgatitjen e mësuesve të Arsimit të Mesëm të Lartë, Ministria e Arsimit ka lënë si mundësi që në të ardhmen kohëzgjatja mund të bëhet, gjithmonë sipas propozimeve të universiteteve, edhe 3+2, në momentin kur edhe statusi i profesionit të mësuesit të justifikojë koston e studimeve. Ndërsa kohëzgjatja e studimeve për një edukator të arsimit parashkollor, kopshtit dhe mësues të ciklit të ulët do të jetë 3 vjet dhe do të mjaftojë diploma e nivelit të parë. Përsa i përket tarifës së shkollimit për Masterin e Mësuesisë, ende nuk ka propozime konkrete të universiteteve. Por në bazë të nenit 75, të ligjit “Për Arsimin e Lartë”, tarifat e shkollimit për të gjitha ciklet e studimeve përcaktohen me vendim të këshillit të ministrave (me propozim të MASH-it, e cila konsultohet paraprakisht me universitetet) dhe ato asnjëherë nuk e kalojnë koston e studimit.

Kriteret për drejtorët
Të ketë të paktën kategorinë e dytë të kualifikimit të mësuesve (domethënë mbi 10 vjet eksperiencë në mësuesi).
Të ketë qenë nëndrejtor shkolle për të paktën një vit shkollor.
Nëse i është nënshtruar provimit të kualifikimit, të jetë vlerësuar me më lart se “mjaft” (shkallët e tjera të vlerësimit janë “mirë” dhe “shumë mirë”).
Të ketë marrë dëshminë e drejtuesit të shkollës.
Mandati
Mandati i një drejtori shkolle të jetë katër vjet.
Kur drejtori mbush katër vite të plota të njëpasnjëshme shkollore, të hapet konkurrimi për vendin e tij.
Mandati i një drejtori mund të përsëritet pa kufizim.
Bordi i arsimit
Bordi i arsimit ngrihet në nivel zone, që është nën juridiksionin e një DAR/ZA-je.
Bordi i arsimit ka në përbërje përfaqësues nga DAR/ZA përkatëse, qeveria lokale përkatëse dhe kryetarin e bordit të shkollës përkatëse.
Dy lloje procedurash për emërimin dhe shkarkimin
Emërimi dhe shkarkimin i një drejtori mund të kryhet sipas dy lloje procedurash: Procedura 1: Nga bordi i shkollës dhe bordi i arsimit; Procedura 2: Vetëm nga bordi i arsimit.
Bordi i një shkolle merr pjesë në emërimin dhe shkarkimin e një drejtori vetëm kur përmbush disa kushte paraprake.
Procedura 1
Emërimi
Bordi i shkollës përzgjedh dy kandidatë për drejtor në mes aplikuesve dhe ia dërgon bordit të arsimit.
Bordi i arsimit përzgjedh njërin nga dy kandidatët.
Shkarkimi
Bordi i shkollës vendos që t’i propozojë bordit të arsimit shkarkimin e drejtorit.
Bordi i arsimit merr vendimin për shkarkim.
Procedura 2
Emërimi
Bordi i arsimit përzgjedh njërin nga aplikuesit.
Shkarkimi
Bordi i shkollës vendos që t’i propozojë bordit të arsimit shkarkimin e drejtorit.
Bordi i arsimit merr vendimin për shkarkim.
Shkarkimi bëhet nga ministri i Arsimit.
Vetëm ai ka të drejtën të shkarkojë një drejtor pa ndjekur procedurat e mësipërme.

Kontrata mes mësuesit dhe drejtorit të shkollës
Secili mësues i shkollës nënshkruan një kontratë njëvjeçare me drejtorin.
Ky i fundit mund të përtërijë kontratën me mësuesin ose të shpallë kërkesën për mësues tjetër.
Drejtori i shkollës e shpall kërkesën për mësues
tjetër kur:
Mësuesi nuk ka diplomën që kërkon vendi i punës;
Bordi i shkollës propozon shpalljen e kërkesës për një mësues tjetër.
Drejtori shqyrton mundësinë për të shpallur kërkesën për mësues tjetër kur:
Mësuesi ka shkelur pika të kontratës;
Arritjet e nxënësve të mësuesit në vlerësimet e jashtme konsiderohen të ulëta.
Drejtori e shpall këtë kërkesë vetëm pasi këshillohet me komisionin, i cili shqyrton respektimin e kontratës nga mësuesi.
Aplikimi për vendin e një mësuesi
Aplikuesit për vendin e një mësuesi duhet të paraqesin pranë drejtorisë së shkollës paketën e aplikimit, e cila shqyrtohet nga komisioni i shqyrtimit të aplikimeve.
Procedura e emërimit të mësuesit
Komisioni i shqyrtimit të aplikimeve
përbëhet nga:
Një nëndrejtor (kur shkolla ka nëndrejtor)
Kryetari i bordit ose një nga anëtarët e bordit të shkollës i caktuar prej tij, i cili është prind
Një specialist në DAR/ZA
Kryetari i ekipit lëndor
Një mësues
Komisioni përzgjedh dy aplikues dhe ia propozon drejtorit të shkollës
Drejtori emëron njërin prej dy kandidatëve
E njëjta procedurë ndiqet edhe për edukatorin e kopshtit publik

21 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›