E Diel, 1 Nëntor 2026

Erion Veliaj zhduku bashkë me të vëllanë 300 mijë euro kredi për biznesin rinor

Disa pyetje të cilave kreu i G 99 duhet t’u japë përgjigje sot në prezantimin zyrtar të programit elektoral në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”

Erion Veliajt prej vitesh i është kërkuar të bëjë transparente paratë që ka përfituar nga donatorët ndërkombëtarë të destinuara për shoqërinë civile rinore shqiptare, por ai ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë. Arsyetimi i tij karakteristik spërdredhësh ka qenë se ai i jep llogari donatorëve të huaj dhe jo shqiptarëve. Prej një viti, kërkesa për transparencë është përsëritur me tone më të forta pas angazhimit të hapur politik të Veliajt me G 99 si provë integriteti pasi ai po i kërkon shqiptarëve që të bëhet administrator i taksave të tyre. Si mund t’i besohet dikujt të administrojë taksat e shqiptarëve që refuzon hapur të bëjë transparente sa para ka marrë dhe si i ka harxhuar fondet që burojnë nga taksapaguesit e huaj?
Në fakt arsyeja pse Veliaj refuzon të tregojë sa para ka marrë dhe si i ka shpenzuar ato lidhet me 3 arsye të forta:
E para, Veliaj nuk tregon dot se ka përfituar mbi 5.4 milionë euro nga komuniteti ndërkombëtar, kontribute këto për shoqërinë civile shqiptare sepse të gjithë do të kuptonin se pse sot në Shqipëri nuk ka më asnjë qendër rinore që të ofrojë shërbime për rininë.
E dyta, Veliaj nuk tregon dot se si 5.4 milionë euro janë grabitur drejtpërdrejt nëpërmjet bizneseve familjare të klanit Veliaj (Grafik Propaganda, C&PR Production, ACG sh.p.k, etj).
Dhe e treta dhe e fundit, sepse me një pjesë të këtyre parave të dhëna nga donatorët për të mbështetur shoqërinë civile shqiptare janë kanalizuar për të financuar në mënyrë të paligjshme Partinë private të tipit OJF G 99.
Por një nga rastet më të pa precedentë në shoqërinë civile shqiptare është pikërisht mënyra se si Erion Veliaj në konflikt të pastër interesi përfitoi 300 mijë euro që duhej të ofroheshin si kredi të buta për rininë shqiptare i ndau dhe zhduku me të vëllanë e tij Arbër Veliaj dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë Mazniku dhe Fuga.
E gjithë kjo grabitje ka ndodhur nëpërmjet vrimës së zezë të Fondacionit MJAFT, i cili u zhduk para 1 viti nga qarkullimi (u mbyllën dhe u zhduk kompjuteri i financave dhe të gjitha dosjet financiare) nga Erion Veliaj për të fshehur gjurmët e korrupsionit galopant me donacionet ndërkombëtare të destinuara për shoqërinë civile shqiptare. Një ndër pikat më të errëta të këtij Fondacioni është “zhdukja” pa lënë gjurmë e vet Fondacionit bashkë me qindra mijë eurot e tij, të cilat mund të kenë fluturuar një ditë të bukur në numrin që kontrollon Erion Veliaj në San Francisko, “145 Swiss Ave., San Francisco, CA 94131 (Payable to BYL, memo Mjaft)”.
Një ndër arsyet kryesore që ky Fondacion u zhduk një ditë të bukur pa lënë gjurmë, është edhe se Fondacioni MJAFT ka gëlltitur një shumë të pallogaritshme parash (nga të dhënat paraprake rezultojnë 300 mijë euro) nga Balkan Children and Youth Foundation (BCYF), (fondacion i themeluar edhe me mbështetjen e Fondacionit Soros), International Youth Foundation (IYF), Youth Business International (YBI), The Prince of Wales International Business Leaders Forum (Fondacioni i themeluar nga familja mbretërore angleze).
Parimi i konfliktit të interesit shërbente si mekanizëm korrupsioni për mbështetjen e politikanit Erion Veliaj.
Në 2004, Erion Veliaj zgjidhet si anëtar i Bordit të Balkan Youth Children Foundation, një Fondacion ndërkombëtar që u krijua me qëllim mbështetjen e iniciativave rinore në Ballkanin e pasluftës së Kosovës dhe ku President Nderi u zgjodh personaliteti i shquar Maarti Ahtisaari. Propozimi për zgjedhjen e Velisë si përfaqësues i Shqipërisë në krye të këtij Fondacioni, erdhi në 2004 nga themeluesi i Fondacionit Soros në Shqipëri, shqiptaroamerikani Fron Nazi, i cili njihet si një ndër ekspertët kryesorë të Sorosit në Ballkan. Ky është njeriu që zgjodhi celulën e parë të Soros në Tiranë në 1992.
Në vitin 2004, sapo Erion Veliaj bëhet anëtar Bordi, një lumë donacionesh të destinuara për shoqatat rinore në Shqipëri të cilat aplikonin më kot për fonde, shkuan për MJAFT-ët e Velisë. Për këtë arsye po atë vit, u regjistrua në Gjykatën e Tiranës Fondacioni MJAFT, një organizatë e cila kërkonte të diversifikonte politikën e fund raising (mbledhje fondesh) nga donatorë të ndryshëm për MJAFT, pasi shumë donatorë e kuptonin se po thyenin çdo barazi financimesh duke i derdhur mbi 1 milionë euro në numrin e llogarisë së Lëvizjes MJAFT megjithëse kishte vetëm 1 vit jetë. Fondacioni MJAFT u prezantua në nivelin ekzekutiv me 2 emra vajzash të reja: Jona Repishti dhe Anisa Kaltanji, dy nga aktivistet kryesore të MJAFT në atë kohë, të cilat Veliaj i kishte nën kontroll, pasi ato nënshkruan një deklaratë konfidencialiteti që nuk i lejon të flasin për fondet e fondacionit (deklaratë që nuk njihet nga ligji shqiptar). Ndërkohë sot për tiu përgjigjur ndonjë e-maili për ndonjë donacion të ri përgjegjës është caktuar koordinatorja e MJAFT Anisa Kaltanji e cila në fakt do të ishte edhe personi që do të thirrej e treta si dëshmitare në gjykatë për të deklaruar se ku ndodhet kompjuteri i financave por që siç ka deklaruar dhe vetë as që e ka idenë e financave të vjetra.
Ajo që të bën më shumë përshtypje në qarkullimin e qindra mijë eurove të Fondacionit MJAFT, është loja e pokerit financiar të Velisë me shokë e shoqe, të cilën do e kenë mësuar nga Kryetarja e Bordit të Fondacionit MJAFT, Milva Ekonomi, (maestro e të gjithë parave dhe spinoffeve të George Soros që qarkullojnë në Shqipëri dhe Kosovë)
Sipas të dhënave, rezulton se Erion Veliaj i zgjedhur në vitin 2004 si anëtar i Bordit të Balkan Children and Youth Foundation, në krye të të cilit ishte zgjedhur personaliteti i shquar Maarti Ahtisaari, në konflikt të pastër interesi propozon, mbron dhe voton projektin e paraqitur nga Fondacioni MJAFT, “Youth Business Albania (YBA)” (“Biznesi Rinor Shqiptar”). Duke shkelur çdo parim të konkurrimit të barabartë për projektpropozime (pasi ishte jashtë çdo lloj kriteri të aplikimeve), i gjithë fondi i BCYF shkretoi të gjithë buxhetin bazë të këtij fondacioni për Shqipërinë.
Problemi bazë i pakënaqësisë ballkanike me emrin Veliaj, ishte konflikti i hapur i interesit që kishte një anëtar Bordi me mbështetjen e strukturës së tij. Sipas CV së Erion Velisë në Bordin e BCYF, ai prezantohet edhe si Drejtor Ekzekutiv i Balkans YouthLink, e cila kontrollon edhe numrat bankar të Fondacionit MJAFT në San Francisko (e cila sipas të dhënave të websitit të zhdukur të fondacionit MJAFT është më e rekomandueshmja për çdo transfertë donacionesh pasi është “pa taksa”).
Problemi më i madh që kishte projekti i “Biznesi Rinor Shqiptar” ishte mënyra e harxhimit të parave. Ky projekt synonte dhënien e mikrokredive për të rinjtë, para të cilat do tu jepeshin me grande deri në 4000 Euro për çdo biznes të ri dhe më pas me paratë që do të kthenin së bashku me përqindjet e të kredituarve të parë do të kreditoheshin të tjerë të rinj dhe kështu me radhë do të krijohej një Bankë Rinore e cila do të vazhdonte të funksiononte si subjekt i shoqërive të mikrokreditit. Kjo fushë përcaktohet si dhënie kredish dhe fondacionet që japin para me përqindje klasifikohen nga ligji shqiptar si piramida nëse nuk kanë një licencë të dhënë nga Banka e Shqipërisë.
Paratë e donatorëve më të rëndësishëm në botë, përfshirë Familjen Mbretërore Angleze, International Youth Foundation (IYF), Youth Business International (YBI), të cilat njihen botërisht për mbështetjen që i japin bizneseve dhe vetëpunësimit të të rinjve nëpërmjet fondeve të mikrokreditit, iu dhanë një organizate pas asnjë lloj eksperience në këtë fushë, pa asnjë lloj ekspertize të domosdoshme dhe të detyrueshme që kërkon fusha e mikrokreditit. Fondacioni MJAFT rezulton nga të dhënat e dokumentuara se nuk ka plotësuar asnjë kërkesë për t’iu njohur e drejta e dhënies së mikrokrediteve pranë Bordit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, as sipas ligjeve të para shkurtit 2007 dhe as ato pas shkurtit 2007. Fondacioni Mjaft nuk është licencuar nga Banka e Shqipërisë për të dhënë mikrokredi. Ndaj dhe për këtë qëllim këto fonde iu duheshin besuar një institucioni të liçensuar por Veliaj nuk mund të pranonte që ti ikte nga dora që thelë kaq e majmë që më pas do ta ndante me të vëllanë, Maznikun dhe Fugën.
Në vitin e parë, shuma prej 55.800 dollarësh amerikanë, iu dha 15 të rinjve, të cilat duhej ta kthenin me përqindje më të lartë për të shërbyer si kreditim i besueshëm dhe jashtë çdo risku për të tjerë të rinj. Personat që morën shumën ishin anëtarët e Lëvizjes MJAFT të cilët në kundërshtim me ligjin për OJF-të, e kthyen organizatën e tyre në një organizatë që ndan fitime. Por ajo që përcaktoi konfliktin më tipik të interesit, ishte kreditimi nga Erion Veliaj, i vëllait të vet Arbër Veliaj 18-vjeçar i cili edhe mori që në fillim grandin maksimal që lejohej prej 4000 eurosh. Ky operacion i paligjshëm financiar dhe i dënueshëm nga legjislacioni shqiptar, ndodhi nën hundën e Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave duke përfshirë në shkeljen e ligjit mbi piramidat e ‘97 edhe zyrtarë të lartë të kohës.
Problemi kryesor që pati grandi i parë i mikrokreditit, ishte zhdukja pa lënë gjurmë një ditë të bukur e të gjithë fondit të mikrokredit rinor prej 300 mijë eurosh, fakt që ka implikuar në këtë lojë të shëmtuar vetë zyrtarët e BCYF. Këta zyrtarë janë vënë në siklet të madh këto ditë se nuk po dinë si të raportojnë dështimin e tyre dhe vrimën financiare me emrin Fondacioni MJAFT që zhduku një ditë të bukur 300 mijë euro të Familjes Mbretërore Angleze dhe të disa donatorëve të tjerë, para që u dhanë për të mbështetur punësimin rinor në Shqipëri. Në vetë faqen e tyre zyrtare rezulton paraqitja e të dhënave komprometuese se kush kontribuoi për paratë e mikrokreditit të paligjshëm rinor në Shqipëri, kush i mori dhe mbi të gjitha në formë spektakolare, tregohet Arbër Veliaj duke marrë paratë në një ceremoni zyrtare nga vetë i vëllai Erion Veliaj (siç shihet edhe në foton bashkëngjitur).
Qindra mijë euro të kontribuar për Shqipërinë nga komuniteti ndërkombëtar dhe të zhdukura nën hijen e rëndë të personalitetit Marti Ahtisaari, janë një nga rastet që tregon se si kanë abuzuar këta pionierë të politikës së re të korrupsionit galopant. Erion Veliaj tre vjet më parë i kujtoi një gazetari që e kishte akuzuar Fondacionin MJAFT si Fondacioni i Sudes, se po akuzonte Fondacionin që e paska krijuar Marti Ahtisaari. Tashmë i ngelet Ahtisarit ti përgjigjet pyetjes: a është ai krijues i fondacionit të Sudes në Shqipëri me emrin Fondacioni MJAFT numrin e llogarisë bankare në San Francisko të të cilit e kontrollon Erion Veliaj? Dhe Ahtisari që nuk ka asnjë dijeni për këtë histori, edhe sepse nuk është ai që e ka krijuar kurrë Fondacionin MJAFT, është pikërisht modeli se si Veliaj shpik çdo lloj historie mbi mbështetje ndërkombëtare për të fshehur vjedhjet e tij mbi paratë e rinisë shqiptare. Mënyra se si Veliaj ka keqpërdorur emrin e Ahtisarit është tipike si përralla e Velisë që gëzonte mbështetjen e Obamës (një përrallë që s’po përmendet më prej javësh pasi i ka dalë boja në mënyrë qesharake).
Ajo që ka rëndësi sot është pikërisht që një nga elementet bazë të gjoja programit të G99 bazohet te punësimi i rinisë nëpërmjet fondeve të mikrokreditit. Pyetjeve që duhet t’iu përgjigjet Veliaj tashmë është se para se të përrallisë mbi punësimin e të rinjve shqiptarë nëpërmjet mikrokredive, më parë duhet të deklarojë ku janë 300 mijë euro të zhdukura të Fondacionit MJAFT, një pjesë të dhuruara nga Familja Mbretërore Angleze, që duhet të qarkullonin si mbështetje kreditimi për biznesin rinor shqiptar?
Përse Fondacioni MJAFT është shpallur i mbyllur në marrëdhënie ndërkombëtare dhe përse nuk raporton se ku janë 300 mijë eurot e kreditimit rinor?
Përse Fondacioni MJAFT ka fshirë faqen e vet on-line (duhej të ishte aktiv në faqen ëëë.mjaftfoundation.org) dhe përse u zhduk logoja e Fondacionit MJAFT nga faqja zyrtare e Lëvizjes MJAFT (ëëëë.mjaft.org) kur gazeta Sot denoncoi zhdukjen e parave të Fondacionit MJAFT? Ku ndodhet kompjuteri apo beckaup-i i financave të Fondacionit MJAFT apo do të vazhdohet se qenka fshirë pa dashje dhe zyrat gjoja qenkan grabitur me të gjithë dokumentacionin (ndërkohë që pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë nuk ka ardhur kurrë ndonjë denoncim i tillë)?
A është kryer procedura ligjore e mbylljes së Fondacionit MJAFT në Gjykatë duke bërë edhe likuidimet e nevojshme (kthimit të fondit prej 300 mijë eurosh në BCYF)?
Sot 300 mijë euro duhej të ishin ricikluar duke shtuar përqindjet e mikrokredive rinore duke u shpërndarë vazhdimisht të rinjve shqiptarë. Sa është përqindja që mungon?
Ç’lidhje kanë 300 mijë euro-t e zhdukura pa lënë gjurmë me krijimin e biznesit të paligjshëm Grafik Propaganda (biznes i paligjshëm dhe pa numër liçense) që drejtohet nga vëllai i Erion Velisë i cili ka mbi 80 klientë duke qarkulluar deri tani mbi 500 milionë lekë?
A i ka paguar ndonjëherë taksat vëllai i Velisë për llogari të Grafik Propagandës që u krijua me kapitale fillestare nga fondi i mikrokreditit?
Sa qindra mijëra euro të MJAFT ka faturuar vëllai i Erion Velisë që në atë kohë?
Po Arbjan Mazniku dhe Endri Fuga ku i gjetën 111 milionë lekë kapital në kohën kur zhduket fondi prej 300 mijë i kreditit rinor, për të themeluar biznesin e tyre ortakëror ACG sh.p.k (Albanian Communication Group shpk me numër nipti K62225006P ku 30% të aksioneve i ka Arbjan Mazniku dhe 70% beniamini i Ramës, Endri Fuga) i specializuar për import – eksport dhe publikimin e revistës MAPO e cila tashmë njihet si organi zyrtar i G 99?
Përse Erion Veliaj i ka deklaruar donatorëve se ai s’ka asnjë lidhje me Fondacionin MJAFT kur dihet shumë mirë se është ai një ndër themeluesit dhe drejtuesit kryesorë ku dhe numri i llogarisë ndërkombëtare të Fondacionit që ndodhet në San Françisko kontrollohet drejtpërdrejtë nga ai vetë?
Ja pra këto janë pyetjet që Erion Veliaj duhet t’iu përgjigjet në prezantimin e sotëm zyrtar të programit të G-99 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Ai sot, bashkë me bashkëpunëtorët kryesorë të zhdukjes së 300 mijë eurove të kreditimit të biznesit rinor do të prezantojë përballë disa dhjetra të rinjve (që vijnë për të parë Alban Skënderajn), platformën e re por njëkohësisht të vjetër të punësimit të të rinjve shqiptarë nëpërmjet kreditimit të biznesit rinor. Por ai duhet të tregojë sot se çfarë bëri me 300 mijë eurot që iu besuan për kreditimin e biznesit rinor në 2004 dhe në vazhdim. A po mos plani i Veliajt është që siç i zhduku bashkë me të vëllanë, Maznikun, Milvën 300 mijë eurot plus përqindjet e vetëpunësimit të të rinjve do të bëjë edhe me dhjetëra miliona eurot e Qeverisë Shqiptare për punësimin e të rinjve nesër në rast se larg qoftë xhepistët e shoqërisë civile do të vijnë në pushtet?

* Lëvizja Qytetare ZGJOHU
(“Zgjohu” është Lëvizja më e re Qytetare në Tiranë dhe drejtohet nga Avokat Altin Goxhaj)

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›